Gati masat për të disiplinuar opozitën
Skenat e pahijshme në Parlament me piramida karrikesh, flakadanë, dhe gardistë do të jenë një kujtim i hidhur i së shkuarës. Vendin e zhumrës dhe sherrnajës do ta zërë qetësia dhe mirëkuptimi. Shumica parlamentare do të miratojë një rregullore që deputetët e opozitës që nuk sillen mire, do të marrin “notë në sjellje” dhe do të përjashtohen jo më nga 10 ditë, por nga 1 deri në dy muaj.
Në fakt siç e kemi parë muaji kalon shpejt, ndaj mirë është që të përjashtohen një vit ose dy vite. Përjashtimi me dy vite është si të vrasësh me një gur dy zogj. Largon sherrin nga Parlamenti dhe kursen edhe buxhetin sepse lë pa rroga ngatrrestarët.
Me përjashtimin e deputetëve të opozitës, Parlamenti do të konkurrojë për qetësi kishat, teqetë, xhamiat, dhe sinagogat. Reformat aq shumë të kërkuara nuk do të pengohen më, madje shumica tani ka rast që me disiplinimin e opozitës jo vetëm do të bëj reforma, por do të ketë rast të bëj edhe ndonjë punë.
Demokraci, shumë dakord, por me rregull dhe qetësi.
Është e qartë se pas periudhës së dënimit deputetët e opozitës do të kthehen sërish në Kuvend, ndaj duhen marrë masa që Parlamenti të mos kthehet në han pa porta. Deputetët e opozitës duhen kontrolluar me imtësi se mos mbajnë vezë, tymuese dhe fishekzjarrë. Por kjo nuk mjafton. Për t’u siguruar se nuk do të thonë gënjeshtra, para se të hyjnë në Kuvend secili deputet i opozitës duhet t’i nënshtrohen makinës së vërtetës me pyetjen standarte:
Çfarë plani keni sot?
Kush nga deputetët ka tymuese me vete?
Kush ka ndërmend të shajë qeverinë?
Për t’u garantuar se qetësia në sallë nuk do të cënohet, kryetarja e Kuvendit duhet të ketë një buton të vecantë dhe sa herë të marrë fjalën, qoftë edhe për procedurë një deputet i opozitës duhet të shtypë butonin mute (heshtje) dhe kështu deputeti i opozitës është i lirë të flasë me veten deri në 1 minute.
Ndërkohë kryetarja e kuvendit dhe deputetët e shumicës duhet të dyllosin veshët që të mos dëgjojnë broçkullat e deputetëve të opozitës.
Për t’u siguruar që maskarenjtë e opozitës nuk do të lëvizin nga karrikja e tyre, mirë është që në çdo karrike ose të ulet një gardist ose të montohen pranga ku deputetët t’u lidhet një dorë ndërkohë që me dorën tjerër mund të kërkojnë fjalën sa herë të duan dhe të ushtrojnë detyrën si përfaqësues të popullit.
Shqipëria është një vend që ka të garantuar lirinë e shprehjes me kushtetutë, ndaj nuk bëhet fjalë që deputetëve të opozitës t’u kufizohet liria e shprehjes, por duke shfrytëzuar teknologjinë, deputetët e opozitës mund të komunikojnë në një grup në whats’app, ku administrator i grupit do të jetë kryetari i grupit parlamentar të shumicës. Nëse deputetët e opozitës do të guxojnë të shkruajnë fjalë fyese, atëherë nuk do të lejohen të shkruajnë më me gërma, por sërish mund të shprehen me emoji. Por nëse sillen mirë, aty mund të diskutojnë të shprehen me votë pro (me shenjën e gishtit të shkurtër lart) ose votë kundër (shenja e gishtit të shkurtër poshtë).
Me marrjen e këtyre masave pritet që deputetët e opozitës të mos heqin dorë nga kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Ata do të kërkojnë sërish ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por do të modifikojnë objektin e kërkesës: Objekti i ri i hetimit do të jetë: sjellja destruktive gjatë dy muajve të fundit e deputetëve të opozitës.