Opinion

Gati të djegin shqipërinë për një hajdut dhe vrasës ?!

Nga PETRO DHIMITRI

Ka tre muaj rresht që Parlamenti është thuajse i paralizuar. Për as edhe një projekt ligj, sado i rëndësishëm të jetë, nuk debatohet. Pozita shpejton të ngrejë kartonat për t’i miratuar dhe është e kënaqur. Berisha dhe deputetët pasues gjithashtu janë të  kënaqur sepse sallën e Parlamentit e shndërruan në një kaos të vërtetë me karrige të hedhura përmbys para foltores. Si për të mos mjaftuar kjo anormali, të enjteve, me anë të piroteknikës, lëshonin flakadanë dhe tymuese. Dy herë nuk ngurruan t’u vinin zjarrin dhe karrigeve të përmbysura. Po t’u shtosh këtyre hyrjen  duke u kacavjerrur nga dritaret dhe bllokimin e telefonave të folësve, tabloja e Parlamentit tonë bëhet e plotë. Është një shfaqje nga më të turpshmet, për të mos thënë më e turpshmja në historinë e Parlamentit tonë. Së fundmi po vihen në veprim bilbilat zhurmues. Po shikojmë në këmbë anash foltores edhe  deputetë berishjanë tek mbajnë  parrulla.

       I kujt është dëmi për këtë kaos të mirëdirigjuar nga Sali Berisha dhe deputetët e grupit të Rithemelimit? Socialistëve jo e jo. Me këtë lloj rrugaçërie, edhe ligjërisht të dënueshme, dëmi më i madh i shkaktohet opozitës nga që populli gjithnjë e më shumë po indinjohet nga ato akte  që janë të pahijshme edhe për minorenët apo adoleshentët e droguar. Pasojat kanë për t’u dukur më qartë në zgjedhjet e ardhshme. Më i humbur, edhe nga vetë grupi i të revoltuarve reaksionarë , është populli. Ai informohet vetëm  për titujt e ligjeve   që miratohen pa as një lloj debati ose sqarimi më të gjerë. I shkreti popull i heshtur është krejt i paqartë .I mbetet vetëm me përfytyrim të vakët të krijojë një ide se ç’të mira kanë për t’i sjellë ato ligje. Zero njohuri edhe për buxhetin e shtetit të vitit 2024 ?! U miratua sa hap e mbyll sytë në sallën e tymosur e të përflakur.
  •        Duke më dalë para syve pamjet e zymta me tymuese,  deputetët e majtë si të murosur me kartonat e votimit në duart e ngritura lart dhe rebelët e Rithemelimit deri me pankarta në duar kundër qeverisë së keqe, kam pyetur për kushedi sa herë: PSE KJO ANORMALI ULURITËSE MESJETARE?
            U tha vetëm se ,me që nuk po ngrihen komisionet hetimore, ata kanë vendosur të bllokojnë punimet e Parlamentit.  Ndryshe nuk kanë si t’i nxjerrin bojën qeverisjes diktatoriale të Ramës. Është gjyqësi primitive. Të gjithë njerëzit me dy para mend në kokë e dinë që ka një Gjykatë Kushtetuese që shqyrton konfliktet. Ekziston dhe një Gjykatë fare e lartë në Strasburg që ia ka mbledhur disa herë zotit Rama, madje duke e ndëshkuar shtetin  shqiptar edhe financiarisht. Ata e dinë këtë rrugë, po nuk u intereson. Pse? Nuk e kanë aspak hallin te komisionet hetimore për të cilat po përbetohen. Kanë vetëm hallin si e si të shpëtojnë prijësin e tyre Sali Berisha nga kthetrat e SPAK-ut.
            … Heshtën ( se nuk kishin si të sulmonin) kur Washingtoni dhe më pas Londra zyrtarisht e shpallën Berishën NON GRATA. I ndalojnë hyrjen në këto shtete. Akuza: për korrupsion madhor, që shqip do të thotë VJEDHJE, për minimin e demokracisë dhe të drejtësisë. Madje bashkë me familjen?! Heshtja e tyre zgjati nja dy vjet. Pritën deri sa Parisi  , ku e regjistroi padinë doktori, të dënohej Washingtoni, po më kot. Akuzat kundër tij mund t’ia hiqnin vetëm gjykatat amerikane, po ta shikonin se i qe bërë padrejtësi. Te ato trimi i Viçidolit nuk trokiti. E dinte  që davanë  e kishte të humbur. Në intervistat televizive përbetohej sa ndaj tij  amerikanët nuk mund të gjejnë as dhe një fakt që e implikon në korrupsion. Çështja e marrëdhënieve të tij me SHBA-në, u agravua befas kur përfaqësues të lartë të asaj administrate erdhën dhe takuan Lulzim Bashën, kryetarin e PD-së zyrtare. I thanë hapur: ose me ne, ose me Berishën. Ai nuk mund ta vinte PD-në kundër SHBA-së. Me dhimbje të madhe përjashtoi doktorin nga grupi parlamentar i partisë, deri sa të zgjidhte konfliktin  me Washingtonin. NGA AJO DITË FILLOI FURTUNA: PËRÇARJA E MADE E PD-së. Berisha ndërmori fushatën që e quajti Foltore kundër PD-së, Washingtonit, Sorrosit dhe Ramës. Krijoi dhe grupin e Rithemelimit me më shumë deputetë nga PD-ja zyrtare e Bashës. Në ato çaste tejet të rënda për të ai iu bëri thirrje demokratëve të mbarë vendit të ngriheshin në revolucion për të përmbysur qeverinë e korruptuar të Ramës. Duhet të shpëtonin Shqipërinë nga monizmi. Thirrja  e përsëritur e tij për demonstrata ra si në vesh të shurdhët. Demokratët ashtu, si populli, e dinin se doktori donte t’i hidhte si mish për top kundër SHBA-së ,Anglisë dhe Evropës. Vetëm disa qindra vetë doli se e përkrahnin NON GRATËN. Kur e pa se dështoi revolucioni i tij imagjinar, mendja e tij perverse krijoi një alternativë të re: të fillonte ”kryengritjen” në Parlament. Prej andej flaka e revolucionit ose thënë ndryshe e mosbindjes civile, kishte për t’u përhapur në çdo rrugicë, rrugë e shesh të qyteteve të Shqipërisë. U bënë tre muaj që Parlamenti është i bllokuar, po përsëri populli nuk i përgjigjet dëshirës së pseudoliderit të opozitës për të përmbysur me dhunë qeverinë e të majtëve .Gjendja e tij u rëndua edhe më tej kur dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi si dhe vetë Sali Berisha u akuzuan për privatizimin e kompleksit ”Partizani”. Jamarbëri u arrestua, ndërsa doktori duhej të paraqitej në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Refuzimi inatçor për t’u paraqitur sipas kërkesës së SPAK-ut, i njeriut që e konsideron veten mbi ligjin, bëri që ai të përfundonte në arrest shtëpie. Sali Berisha dhe dishepujt këtë gjendje nuk mund ta kapërdinin. Vendosën  që me çdo mënyrë të kthejnë përmbys Parlamentin për të diskredituar edhe më keq qeverinë e korruptuar. Edhe SPAK na qenka mbushur me kriminelë dhe horra që i drejton Rama. Kë të besojmë: Anthoni Blinken, sekretarin e SHBA-së që ka thënë se ”SPAK-un e drejtojnë ne”, apo NON GRATËN e gënjashtrave klasike që ia atribuon këtë drejtim Edi Ramës?!
            Sado të thonë dishepujt e tij që procesi kundër Berishës është akt politik për t’i hequr opozitës liderin e saj, sado t’i mëshojnë fort pretekstit të komisioneve hetimore, sado të thonë se Shqipëria është në diktaturë ose, thënë ndryshe, në monizëm, sado të vazhdojnë të përpiqen të bllokojnë punimet e Parlamentit, duke shpikur edhe gjëra të papara ndonjëherë, sado të shkumojnë duke thënë se SPAK-un e drejton i gjati, hetimi për dosjen e kompleksit ” Partizani” ka për të përfunduar. Berisha të përgatitet mirë që me fakte të mbrojë veten, se një ditë gjykimi i asaj çështjeje do të fillojë. Populli ka për t’u sqaruar se si 26000 metër katror tokë e fushës së aviacionit që Qeveria Italiane ua kishte blerë pronarëve shqiptarë, iu grabit shtetit. Po edhe sikur italianët të mos i kishin paguar, si mundet që Jamarbër Malltezi me 130-140 metër katror tokë, që i përkiste atij, u bë 30-40 perqint pronar i 17 se 19 pallateve?! Nuk e di se në cilin libër përrallash mund të gjejmë një rast të tillë?!
               Rithemeluesit (shyqyr zotit që janë katandisur pakicë) nuk duhet të harrojnë se  lideri ose idhulli i tyre karizmatik jo vetëm ka favorizuar fëmijët e tij të pasurohen duke anashkaluar ose shkelur ligjet, pra kanë vjedhur, po akuza më e rëndë për të janë vrasjet e 21 janarit. Strasburgu i ka cilësuar si krim shtetëror.  Shtetin, besoj se e dini mirë, që e drejtonte lideri i opozitës me emrin Sali Berisha. Ministër i Brendshëm ishte binomi i ij Lulzim Basha. Dënimet për vrasje nuk shkojnë nga 4 deri në 12 vjet si për korrupsionin pasiv. Shkojnë shumë më tepër. Edhe 26 viktimat e Gërdecit (të familjes së doktorit) kërkojnë të zbardhet e vërteta e hidhur. Edhe nënat, gratë, motrat, djemtë e mbi 200 të vrarëve në Tropojë akuzojnë direkt Sali Berishën. Ishte ai që kërkoi t’ia sillnin gjallë apo vdekur në Tiranë djalin e familjes Haklaj që i prishi mitingun…Këto i ka parasysh populli që nuk rend më pas Sali Berishës. Dikur mbi njëmilion njerëz brohoritnin dhe votonin për të. I kanë mbetur besnikë vetëm disa  partiakë që i ka ndihmuar për t’u pasuruar duke vjedhur. Një pjesë e tyre janë gati si Berisha t’i vënë edhe flakën Shqipërisë .Që lideri i tyre të vijë sërish në pushtet. Ata kanë për të vazhduar të bllokojnë Parlamentin, deri sa do të vijë një pikë vlimi ku nuk ka për t’u lejuar më rrënimi i demokracisë. Shpëtimi prej këtyre alabakëve, disa edhe me diploma universitare, ka për të qenë  sukses i demokracisë. Çdo ditë që shikoj Parlamentin e bllokuar aq herë mendoj  se drejtësia  mund t’i disiplinojë bastardët e Berishës. Jo vetëm ajo. Në zgjedhjet e ardhshme Parlamentare, do të jetë populli ai që ka për t’u treguar vendin, duke mos i votuar. Rregullorja e Parlamentit nuk ka pse të mos parashikojë dënime për 6 muaj ose heqjen e mandatit për ata deputetë të pafytyrë qofshin të majtë apo të djathtë që përmbysin  karriget, hedhin flakadanë apo tymuse ose  që në mënyra ose mjete të ndryshme bllokojnë punimet e seancës. Populli nuk meriton të mos shikojë një Parlament normal me diskutime e debate, qofshin të ashpra për ligjet që miratohen. Edhe Evropa nuk besoj se na i ka zili seancat e bllokuara nga tribalët berishjanë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button