Gazetaria robotike, kur një kompjuter shkruan lajmet
Në konkurrencë për lajmin më të shpejtë, agjencitë informative po përdorin kompjuterë që shkruajnë lajme automatikisht, një e ardhme kjo që do të revolucionarizojë gazetarinë.
Në vitin 2014, vetëm tre minuta pasi një tërmet goditi Kaliforninë një të hënë, gazeta Los Angeles Timese nxori lajmin në faqen e saj të internetit.
Artikulli i shkurtër dukej fare i zakonshëm. Në të, përshkruheshin të gjitha detajet – kur goditi tërmeti, sa ishte magnituda dhe sa larg u përhap. E vetmja shenjë e pazakontë ishte fjalia përfundimtare: “Ky postim u krijua nga një algoritëm i shkruar nga autori”.
Me fjalë të tjera, artikulli ishte publikuar nga një robot.
Sapo lexuesit e kuptuan se historia qe shkruar nga kompjuteri, ajo mori mjaft vëmendje. Por ka disa makineri në ditët e sotme që shkruajnë lajme. Revista Forbes përdor një kompjuter të quajtur “Shkenca Rrëfimtare”, me seli në Çikago, për të raportuar mbi fitimet e korporatës. I njëjti shërbim u partnerizua me Pro Publica, duke krijuar një aplikacion lajmesh për arsimin.
Algoritmi i tërmetit, me emrin Quakebot, nuk është i vetmi reporter robot i përdorur ngaLos Angeles Times. Një projekt i gazetës përdor robotë për të krahasuar lagjet dhe uebsajti i këtij projekti nxjerr lajme automatike rreth vrasjeve në qytet.
Ndërsa robotët gazetarë nuk janë ende në gjendje të shkruajnë reportazhe të mrekullueshme me nga 2000 fjalë, kërkimet e hershme tregojnë se ata nuk janë aspak keq. Studimet e kryera tregojnë se lexuesit nuk mund të dallonin nëse lajmi mbi një ngjarje sportive ishte shkruar nga një gazetar, apo nga një robot. Ata që përdorin gazetarinë automatike, e shohin atë si të besueshme dhe informative, megjithëse pak të mërzitshme.
“A do t’i zëvendësojë kjo gazetarët e vërtetë? Unë them jo”, thotë Christer Cleruall nga Universiteti Karlstad në Suedi. Ai beson se robotët do të mbeten te rrëfimi i historive të çastit, duke ia lënë punën më të ngatërruar gazetarëve njerëzorë.
Megjithatë, siç thotë dhe krijuesi i Quakebot, Ken Schuenke, nga robotët gazetarë kemi shumë përfitime.
“Ne e nxorëm lajmin, e publikuam të parët dhe kishim informacion për njerëzit”, thotë ai. “Nëse mund ta bëjmë automatike, përse jo?”
Robotët gazetarë janë tërësisht të bazuar te të dhënat. Ata shkruajnë histori duke analizuar rezultate sportive, shifra shitjesh apo fluksin e bursave. Kur vjen puna për fuqi kompjuterike, robotët e mundin njeriun gjithmonë.
Në rastin e Quakebot procesi është i ngjashëm me lojën e fjalive me hapësira. Kur autoritetet dërgojnë një email paralajmërues rreth një tërmeti, kjo ruhet në server. Roboti më pas analizon të dhënat e email-it, i përshtat në një model të shkruar më parë, dhe e ngarkon artikullin në sistemin e gazetës. Madje ai dërgon edhe një email te redaktorët që ta shohin.
Qasje të tjera më të lehta janë ato të robotëve gazetarë që kërkojnë për të dhëna në bazë të trendeve të interesit. Ata përqendrohen në histori të caktuara që i interesojnë vetëm një audience të ngushtë.
Krijuesit e kësaj lloj gazetarie kanë një drejtim të ndryshëm nga sa mendohet. Ata duan të shkruajnë lajme të shkurtra për lexues specifikë. Kështu, kontribuojnë në rrëfimin e historive që nuk marrin interesin e çështjeve të mëdha që i mbulojnë gazetarët humanë.
Në këtë rast, edhe kompjuterët praktikohen në shkrimin e lajmeve. Por teksa teknologjia përparon dhe robotët mund të përballojnë vetë shkrimin e lajmit dhe redaktimin, cili do të jetë hapi tjetër?
Në një panel mbi rrëfimin e automatizuar të historive, bashkëthemeluesi i Narrative Science, Larry Birnbaum, spekuloi mbi një sistem që mund të ushtrojë gjykim redaktues. Një robot do të mund të vendoste se cilat histori ia vlenin të shkruheshin, si do të shkruheshin dhe çfarë lexuesish duhet të kishin?
Organizata e lajmeve Associated Press planifikon të përdorë Wordsmith-in për të shkruar mijëra lajme sportive. Roboti merr të dhëna për ngjarje sportive si një ndeshje basketbolli, thuajse në kohë reale. Të dhënat i vijnë në formën e numrave apo tabelave. Ai ka një format të caktuar të shkrimit të titullit dhe trupit të lajmit, të cilin fillon ta mbushë me të mëdha.
Softueri kërkon për të dhëna informuese që do t’i përdorë si pika kyçe të lajmit. Ashtu si një gazetar i vërtetë, edhe kompjuteri përpiqet t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta si për shembull “Kush fitoi?”, “Me sa pikë përpara”, “Kush ishte lojtari më i mirë i mbrëmjes?” e të tilla.
Për ta bërë historinë e shkruar nga kompjuteri që të mos jetë e ngjashme me atë të një kompjuteri të një tjetër gazete, secila kompani harton gramatikën dhe stilin e saj.
Për të kuptuar strukturën e rrëfimit, roboti përdor një “pemë” virtuale, ku çdo degë është një mundësi për ta thënë historinë ndryshe. Megjithëse kompjuterët gazetarë po bëhen një realitet, raportimi njerëzor mbetet ende superior dhe i paarritshëm nga robotët.
*Burimi: BBC & New Scientist