Gérard Depardieu tërheq apelin për dënimin për sulm seksual dhe u kërkon falje viktimave
Aktori francez Gérard Depardieu tërhoqi të hënën apelin kundër dënimit të vitit 2025 për sulm seksual, duke pranuar fajësinë dhe duke u kërkuar falje viktimave, siç njofton Reuters. Me këtë hap, dënimi i shkallës së parë mbetet në fuqi.
Në një deklaratë, Depardieu tha se në sheshxhirim kishte përdorur shpesh “humor vulgar me nuanca seksuale” dhe se tani e kishte kuptuar se “ka një vijë mes shakasë së guximshme dhe ofendimit”. Ai u shpreh se u ofronte “ndjesat e tij më të thella dhe më të sinqerta të gjithë atyre që mund të kenë vuajtur për shkak të tij”, duke shtuar se e tërhoqi apelin pasi kishte kuptuar se “i përkiste një bote që nuk ekziston më”.
Depardieu, një figurë madhore e kinemasë franceze që ka luajtur në më shumë se 200 filma gjatë pesë dekadave, përfshirë “Green Card”, “The Last Metro” dhe “Cyrano de Bergerac”, u shpall fajtor në maj 2025 për sulm seksual ndaj dy grave në një sheshxhirim. Ai u dënua me 18 muaj burg me kusht, ndërsa gjyqtari tha se aktori dukej se nuk e kishte kuptuar ndikimin “traumatik” të sjelljes së tij.
Aktori përballet ende me mundësinë e një gjyqi për përdhunimin e pretenduar të aktores Charlotte Arnould në vitin 2018. Për këtë akuzë, Depardieu e mohon fajësinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.