Gigi, viktimë e një rrengu në Milano
Java e Modës në Milano nuk po shkon krejtësisht e qetë për Gigi Hadid. Modelja që po ngjit shkallët e karrierës me shpejtësi, ishte viktimë e një rrengu të ngritur nga Sediuk, i njohur për çmenduritë e tij në tapetin e kuq.
Ukrainasi, që ka me mijëra ndjekës në kanalin e vet në Youtube u shfaq papritur në momentin kur Gigi po i afrohej makinës së vet dhe e merr modelen në krahë.
Ngritja në ajër e zuri të papërgatitur modelen, e cila i është kundërvënë duke e goditur me bërryl dhe grushta e më pas iu turr me vrap për ta kapur, por u ndalua nga truprojat e saj.
Por Gigi nuk u mjaftua me kaq. Ajo u kërkoi truprojave të vet që ta gjejnë personin që i bëri rrengun sa më parë, ndërsa pak më vonë reagoi përmes rrjeteve sociale për incidentin në fjalë.
“Kam çdo të drejtë që të vetëmbrohem. Si guxon ai idioti?! Si guxon të mendojë se ka të drejtë që të marrë në krahë një të panjohur për të. Gjithsesi, vraponte shpejt”, shkruan modelja.
Sediuk është bërë i famshëm për disa veprime të tij të çuditshme, që nga sulmi ndaj Brad Pitt, për të cilin u dënua me 30 ditë burg, e deri tek përpjekjet për të puthur modelen Miranda Kerr, përqafimin dhe uljen në gjunjë me Leonardo Di Caprion e Bradley Cooper, e deri tek fotografimi poshtë fustanit të aktores America Ferrera.