Opinion

Gjeopolitika e Memories mbi Holokaustin

Autor: Domenique Moisi

Përvjetori i 75-të i çlirimit të Aushvicit nga Ushtria e Kuqe është një ngjarje e shënuar nga ankthi po aq shumë sa edhe nga trishtimi. Antisemitizmi është kthyer me forcë nëpër të gjithë botën, a thua se leksionet e Holokaustit kanë avulluar me kalimin e kohës – ose, akoma më keq, nuk janë integruar kurrë plotësisht në ndërgjegjen tonë kolektive.

Ky krim i paprecedent, i kryer nga një nga shoqëritë më të përparuara dhe të kultivuara në Tokë, ishte shembulli më ekstrem i tmerreve që njerëzit mund t’i bëjnë njëri-tjetrit. Kur shtyhen nga një kombinim i frikës me urrejtjen, njerëzit  mundet të bëhen me të vërtetë monstra.

Rishfaqja aktuale e populizmit dhe nacionalizmit e bën shumë më të rëndësishme të rikujtohen viktimat e Aushvicit. Por, 75 vjet më vonë, detyra për të mbajtur mend është e kërcënuar në mënyrë të dyfishtë: nga instrumentalizimi politik i Holokaustit dhe na prirja e natyrshme njerëzore për të harruar të shkuarën dhe për t’u bërë indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve.

Më shumë se kurrë më parë, ne po shohim atë që mund të quhet gjeopolitika e memories mbi Holokaustin. Pesë vjet më parë, më 2015, vetëm përkujtimi i çlirimit të kampit u shënua in situ në Aushviç, me mbështetjen e qeverisë polake. (Në atë kohë Rusia sapo kishte pushtuar Krimenë dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk ishte i ftuar për të folur në ceremoni.) Këtë vit, gjithsesi, ka pasur një garë mes dy përkujtimeve: një në Jeruzalem për qeverinë e Izraelit dhe Kongresit Europian të Hebrenjve dhe një tjetër, nga qeveria e Polonisë në Aushvic.

Polonia, vendi ku tmerret u kryen, nuk dërgoi delegat në ceremoninë në Jeruzalem pasi presidenti i vendit,

Andrzej Duda, refuzoi të marrë pjesë. Duda nuk ishte ftuar për të folur në këtë ngjarje ndërsa Putini, presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe homologu i tij gjerman Frank-Walter Steinmeier, adhe Princi Charles i Britanisë ishin ftuar.

Pasi iu desh të zgjedhin mes Rusisë dhe Polonisë, kryeministri i Izraelit Binyamin Netanyahu nuk hezitoi – megjithëse tashmë Rusia thotë se Lufta e Dytë Botërore ka nisur më 1941 dhe jo më 1939, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi territorin e Polonisë nën Paktin Molotov-Ribbentrop me Gjermaninë Naziste. Por edhe trajtimi gjithnjë e më shumë nacionalist i historisë nga ana e Polonisë pa dyshim duhet të ketë ndikuar në vendimin e Netanyahut.

Përkujtimet në Jeruzalem shënuan edhe një fitore të padiskutueshme diplomatike për Izraelin. Nuk kishte ndodhur që nga viti 1995 në funeralin e ish-kryeministrit të Izraelit Yitzhak Rabin që kaq shumë udhëheqës botërorë të ishin mbledhur në qytet. Por ngjarja shënoi gjithashtu edhe një sukses për Rusinë, ku prania e Putinit konfirmoi statusin e ri si forcë e padiskutueshme në Lindjen e Mesme.

Me kalimin e kohës, heronjtë e vërtetë të përkujtimeve të Aushvicit po bëhen gjithnjë e më pak. Dhe ata nuk janë në gjendje t’i rezistojnë instrumentalizimit të vuajtjeve të tyre.

Natyrisht, instrumentalizimi i memories së Holokaustit nuk është asgjë e re. Gjatë Luftës së Ftohtë, regjimet komuniste në Europën Lindore e Qendrore theksonin krimet e kryera nga fashistët kundër patriotëve anti-fashistë, për rrjedhojë duke relativizuar e madje edhe duke mohuar origjinën hebraike të shumicës dërrmuese të viktimave. Sot, me ngritjen e populizmit, çdo lloj kritike ndaj “popullatave vendëse,” apo “bashkëpunimit” të tyre në krimet e kryera nga Gjermania Naziste, janë bërë vepra penale – duke filluar nga Polonia.

Kjo përqasje tregon se nuk ka respekt për të vërtetën historike – dhe shpesh e vërteta kundërshtohet. Kjo i përshtatet njerëzve që gjithashtu kanë vuajtur shumë por që nuk duan të përballen me përgjegjësitë e veta për vuajtjet që i shkaktojnë të tjerëve. Që kur Netanyahu është bërë kryeministër, instrumentalizimi i memories së Holokaustit ka luajtur një rol qendror në diplomacinë e Izraelit, ndërsa regjimi iranian, me thirrjet e saj të vazhdueshme për shkatërrimin e Izraelit, duket se po bën më të mirën që mundet për të nxitur një qëndrim të tillë.

Memoria ndaj të shkuarës po kërcënohet jo vetëm nga instrumentalizimi i saj por edhe nga një kombinim i fuqishëm i injorancës dhe harresës, pa përmendur kampin e mohuesve të Holokaustit. Një e pesta e të rinjve nën 24 vjeç në Francë nuk ia kanë idenë se çfarë ishte Holokausti. Dhe injoranca e disave ushqen frikën e disa të tjerëve: sondazhet tregojnë se 34% e hebrenjve të Francës tashmë ndjehen të kërcënuar në vendin e tyre.

Trajtimi i këtij problemi është para së gjithash një çështje arsimimi. Por ka edhe një çështje më të gjerë, konkretisht kontrasti mes njerëzve të rinj që kanë shqetësim të ligjshëm për gjendjen e planetit dhe mungesën e interesit të tyre për politikën. Për shembull, aktivistja e re e mjedisit Greta Thunberg, ka ndihmuar për mobilizimin e miliona njerëzve. Por si mundet t’i bindim ne ata që ndërgjegjësimi ekologjik nuk është zëvendësues për shqetësimet mbi lirinë dhe demokracinë, por një plotësues i tyre?

Memoria për Holokaustin duhet të shihet si një lloj pengese finale ndaj politikës së urrejtjes në një kohë kur demokracia dhe institucionet e saj po gërryen. Por nuk është e lehtë të mbrohet parimi i “kurrë më” kur rrjetet sociale po përhapin kaq shumë atavizëm dhe injorancë.

Pak para aktivitetit në Jeruzalem, unë isha në Berlin, qytetin ku “Zgjidhja Finale” u konceptua. Kur të përfundojë rindërtimi i Stadtschloss (pallatit të qytetit), ai do të ketë në mjediset e veta Forumin Humboldt, një qendër kulturore në nder të vëllezërve Alexander dhe Ëilhelm von Humboldt, të cilët mishërojnë frymën e Iluminizmit. Janë dashur 75 vjet për të fshirë gjurmët fizike të çmendurisë gjenocidale të Hitlerit. A mos nevojitet po kaq kohë sa për të harruar leksionet e historisë?

Unë kam vrarë mendjen së fundmi se çfarë do të kishte thënë im atë, i burgosuri me numrin 159721 në Aushvic, për këto përkujtime me rastin e 75 vjetorit. Ndoshta ai do të ndjente krenari që ngjarja nuk është harruar dhe trishtim se si Holokausti është bërë një ngjarje për të “shtyrë” përfitime politike në një botë që nuk ka mësuar praktikisht asgjë.

/Project Syndicate

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button