Gjermani: 60,4 milionë zgjedhës votojnë për parlamentin e ri
60,4 milionë zgjedhësve në Gjermani u është bërë thirrje (26.09) të votojnë për Bundestag-un e ri. Në sondazhe a kryesuar me pak diferencë SPD me kandidatin për kancelar Scholz i ndjekur nga CDU/CSU kandidatin Laschet.
Rreth 60,4 milionë qytetare e qytetarë me të drejtë vote janë ftuar të votojnë. Qendrat e votimit qendrojnë të hapura nga ora 8:00 deri në 18:00. Sistemi elektoral në Gjermani parashikon dy lloj votash, vota e parë për kandidatët e qarqeve për në parlament dhe vota e dytë për partitë. Eshtë pikërisht vota e dytë për partitë që në bazë të numrit të votave përcakton edhe partinë me përqindjen më të lartë e si rrjedhojë edhe se kush do të jetë kancelare apo kancelar. Pra vota e dytë për partinë është përcaktuese edhe për kancelarin. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.
Steinmeier bën thirrje për pjesëmarrje në votime
Presidenti Frank-Walter Steinmeier përpara hapjes së qendrave të votimit bëri thirrje: „Çdo votë ka rëndësi – vota juaj ka peshë. Ndaj ju lutem: shkoni sot në votime!”, nënvizon Steinmeier si autor i ftuar në një artikull për gazetën “Bild am Sonntag”. Demokracia jeton prej pjesëmarrjes dhe bashkëveprimit. „Kush bashkëvepron, dëgjohet. Kush nuk voton, ua lë të tjerëve të vendosin edhe për të”, shkruan Steinmeier.
Gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje – kaq shumë nuk ka pasur asnjëherë më parë në garë që pas ribashkimit të Gjermanisë. Në Bundestag-un e 20 gjerman sidoqoftë me gjasë do të përfaqësohen vetëm gjashtë partitë e sipërpërmendura si deri më sot. Kancelarja Angela Merkel pas 16 vjetësh në këtë post nuk rikandidon më.
Reporteri i DW-së Jared Reed ka biseduar me zgjedhësit në një qendër votimi dhe i ka pyetur ata, se çfarë i preokupon më shumë në këto votime. Sikurse shkruan ai në twitter, përgjigja ka qenë, se prblemi më shqetësues për njerëzit është mbrojtja e klimës.
Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 në Gjermani të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti. Asnjëra nga partitë me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh. Kësisoj konstelacionet e mundshme janë nga më të ndryshmet, si më realiste duken modelet:CDU/CSU – Të Gjelbërit – FDP, ose opcioni SPD – TË Gjelbërit– FDP. Në një koalicion të tillë do të ishte mjaft e vështirë ujdia për përmbajtjen e marrëveshjes së koalicionit për shkak të koncepteve politike me dallime të mëdha mes këtyre partive. Një koalicion SPD – Të Gjelbër – Të Majtë duket më pak i mudnshëm duke iu referuar shifrave nga sondazhet paraelektorale. Ndërsa një aleancë me partinë popiliste të djathtë AfD e përjashtojnë të gjitha partitë.
Prej javësh ka qenë evidente, se edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit – ka një shifër rekord të votimit në distancë përmes postës. Rreth 40 përqind e votave mund të jenë dërguar me postë.