Bota

Gjermani: Bundeswehri me mision në Lituani

NATO do të përforcojë prezencën ushtarakë në kufijtë lindorë. Berlini po shqyrton mundësitë e një angazhimi të Bundeswehrit në Lituani. Vendet baltike e përshëndesin këtë nismë.

Bundeswehr me prezencë në Balltik

Kryeministri letonez, Maris Kucinskis është „shumë i gëzuar“ për lajmin e ardhur nga Gjermania, se do të angazhohet ushtarakisht në rajonin e Balltikut. Këtë deklaratë kryeministri e bëri pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin të premten (29.04). Merkeli i konfirmoi zërat e mediave, se ushtria gjermane po shqyrton mundësitë në kuadër të NATO-s për te qenë prezente në Lituani. „Fqinjët tanë lindorë duhet të marrin sinjalin, se Letonia është një vend i lidhur ngushtë me Bashkimin Europian dhe NATO-n”, sipas Kucinskit. “Në Letoni sundon konsesusi për atë që vendi i tij tani e “përgjithmonë” i përket BE-së, thekson kryeministri letonez. “E këtë nuk e ndryshon kush”. Vendet balltike i tremben “fqinjit të madh”, Rusisë që kërkon të minojë lidhjen e tyre me perëndimin. Prandaj ato kërkojnë mbështetjen e NATO-s.

Kërcënim me prezencë ushtarake

Në shtabin qendror të NATO-s në Bruksel zhvillohen plane për forcimin e prezencës ushtarake në Lindjen europiane. Këtë e ka kërkuar edhe presidenti amerikan, Barack Obama. “Ne kemi detyrimin brenda aleancës që të mbrojmë të gjithë partnerët e NATO-s, dhe do ta bëjmë këtë”, deklaroi Obama në një vizitë në Gjermani të dielën e shkuar (24.04). Për Obamën ky është më shumë detyrimi i vendeve europiane, anëtare të NATO-s.

Deutschland Premierminister Lettland Maris Kucinskis & Angela MerkelMerkel dhe kryeministri letonez, Maris Kucinskis

Qeveria gjermane nuk do t’i ikë përgjegjësisë dhe po planifikon të dërgojë ushtarë në Lituani për të marrë rolin drejtues në një trupë të NATO-s, ku vende të ndryshme anëtare i dorëzojnë njëri-tjetrit komandon me rotacion. Kjo procedurë lidhet me një marrëveshje me Rusinë, në bazë të së cilës, NATO nuk lejohet të stacionojë trupa ushtarake në vendet anëtare lindore. “Për ne është shumë e rëndësishme që të lëvizim brenda marrëveshjes, NATO-Rusi”, e ka sqaruar këtë çështje kancelarja Angela Merkel duke përshëndetur edhe fillimin e bisedimeve mes Këshillit NATO-Rusi, për herë të parë pas dy vjetësh. Merkel e quan të rëndësishëm vazhdimin e bisedimeve.

Planet të gatshme deri në samitin e korrikut

Ende nuk dihet se sa ushtarë gjermanë do të angazhohen në misionin balltik. Por deri në samitin e NATO-s në Varshavë, në korrik Gjermania do të ketë paraqitur planet e saj. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, von der Layen ka theksuar se angazhimi i Bundeswehrit nuk është territor i panjohur. “Që tani ka stërvitje ushtarake në Lituani dhe stacionime disa mujore.” NATO e ka forcuar hap pas hapi prezencën ushtarake në Lindje që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

Në Bundestag ka qëndrime të ndryshme lidhur me angazhimin e Bundeswehrit. Zëdhënësi për politikën e jashtme në fraksionin parlamentar të Unionit (CDU/CSU), Jürgen Hardt është shprehur se ky njoftim i qeverisë gjermane “është një sinjal i rëndësishëm për fqinjët tanë lindorë dhe aleatët që ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e tyre për shkak të sjelljes agresive të Rusisë.” Ndërsa politikani konservator, Henning Otte, CDU shton se “ajo që vlen është kthimi i Rusisë në veprime paqësore, përmes një strategjie të dyfishtë, dialog dhe kërcënim.”

Deutschland Bundeswehr IT Bundesamt für Informationstechnik Ursula von der LeyenMinistrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen pranë një zyre informatike të Bundeswehrit

Shkelet akt-marrëveshja NATO-Rusi?

Zëra kritikë vijnë nga opozita. Deputeti i Partisë së Gjelbër,Jürgen Trittin i quan planet e NATO-s të papajtueshme me akt-marrëveshjen, NATO-Rusi. “Një rotacion i vazhdueshëm (i trupave të NATO-s) është i barabartë me një stacionim faktik – dhe pikërisht këtë e ndalon akt-marrëveshja NATO-Rusi”, thotë Trittin. Një angazhim të Gjermanisë këtu, Trittin e quan “lojë dhe të gabuar”, në një kohë kur qeveria gjermane paralelisht përpiqet për dialogun me Rusinë.

“Kancelarja gjermane, Angela Merkel bën një provokim të papërgjegjshëm, kur ajo 75 vjet pas sulmit të Gjermanisë drejt Bashkimit Sovjetik dërgon Bundeswehrin në kufirin rus”, deklaroi Sahra Wagenknecht, kryetarja e grupit parlamentar të Majtë në Bundestag. Prezenca e vazhdueshme në kufirin rus shkel marrëveshjet me Rusinë, kritikoi politikanja e majtë. Për këtë Bundestagu duhet të konsultohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button