Politika

Gjermani-Shqipëri, ambasadorja Schütz: 30 vjet marrëdhënie diplomatike, miqësi e veçantë, motoja e Tetorit Gjerman 2017

 Një vjeshtë kulturore gjermane vjen në Tiranë. Filma, letërsi, teatër, muzikë, ekspozita diskutime, workshope e shumë aktivitete të tjera, janë pjesë të një programi të larmishëm dhe emocionues kulturor gjermano-shqiptar, që shoqërojnë axhendën e aktiviteteve të “Tetorit gjerman 2017”, që do të çelet të shtunën më 30 shtator dhe do të vijojë deri në fund të muajit tetor. Në fokus edhe këtë herë do të jetë shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave midis shqiptarëve dhe gjermanëve. E kthyer tashmë në një traditë, edicioni i 11-të i këtij eventi, përkon këtë vit edhe me 30 vjetorin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve Shqipëri-Gjermani.

Në një konferencë të organizuar të mërkurën nga ambasada gjermane, në Tiranë, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri  Susanne Schütz, u shpreh se, 30- vjet rivendosje e marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, do të jetë motoja e Tetorit Gjerman të këtij viti, çka  tregon se miqësia mes dy vendeve tona është diçka e veçantë.

Që prej nënshkrimit të Protokollit për Rivendosjen e Marrëdhënieve në shtator të vitit 1987 dhe hapjes së Ambasadës Gjermane në Tiranë më 15 nëntor 1987, marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë zhvilluar në mënyrë tejet dinamike, tha ajo.

Duke u ndalur në risitë që sjellë ky event, Schütz theksoi se, “Pikërisht këtë diapazon dhe dinamikë të madhe të marrëdhënieve bilaterale të dy vendeve tona pasqyron „Tetori Gjerman“, të cilin e organizojmë këtë vit për të njëmbëdhjetën herë radhazi, së bashku me shumë partnerë shqiptarë dhe gjermanë.

Në program, vijoi diplomatja gjermane, kemi aktivitete kulturore klasike nga fusha e teatrit, kërcimit, filmit dhe muzikës. “Do të ketë përsëri shumë projekte, të cilat nxisin për reflektim dhe diskutim mbi tema politike, ekonomike dhe sociale: përballja me të shkuarën, efiçenca energjitike ose siguria kibernetike, po përmend këtu vetëm disa”tha ambasadorja Schütz .

Ndërsa nënvizoi se, pikërisht shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave midis shqiptarëve dhe gjermanëve qëndron edhe këtë herë në fokus të të gjitha projekteve.

Ajo, falënderoj partnerët gjermanë dhe shqiptarë që marrin pjesë me angazhim e tyre, tashmë për të njëmbëdhjetën herë radhazi në formësimin e programit, sjellin tema, të cilat janë aktualisht të rëndësishme për publikun shqiptar dhe nisin punën si gjithnjë me fantazi dhe energji për zbatimin e tij.

“Shpresoj që dhe këtë vit, me ofertën tonë me gamë të gjerë të “Tetorit Gjerman”, të cekim shijen e publikut shqiptar dhe ju ftoj të gjithëve përzemërsisht të merrni pjesë në sa më shumë aktivitete” deklaroi ambasadorja Schütz .

Gjatë kësaj konference, fjalën e mori edhe Johannes Dietrich, Drejtor i sektorit të Kulturës dhe Shtypit, i cili shpjegoj më në detaje axhendën e eventit “Tetori Gjerman 2017”, sipas së cilit, në fokus vihen projekte që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë njerëz nga të dy vendet.

Tetorit Gjerman 2017 çel siparin e aktiviteteve  me koncertin “Një requiem gjerman”, tha ai.

Rekuiemi Gjerman i Brahms-it, që prej shfaqjes së parë të plotë të tij në vitin 1868 në Katedralen e Bremen-it, hyn në mënyrë të padiskutueshme tek veprat kryesore të historisë së zhanrit oratorio. Vepra mbart një rëndësi tejet të madhe jo vetëm prej strukturës së dendur muzikore të pazakontë të saj, por dhe për shkak të tekstit, në të cilin Brahms-i përmbledh vargje kryesore nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, të përkthyera nga Martin Luther-i, në mënyrë të tillë që idetë qendrore “trishtim” dhe “ngushëllim” të lidhen qartas me njëra-tjetrën.

Orkestra e Operas dhe Kori, vijoi  Dietrich, do të drejtohen nga dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, Profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës Weimar. Krahas sopranos shqiptare Erjona Gjyzeli, rolin e dytë solo e merr baritoni gjerman Henryk Böhm. Koncerti “Një Requiem Gjerman” do të ngjitet në Sallën e Katedrales së Re Ortodokse, Tiranë në datën 30 shtator Ndërkohë që përgjatë të gjithë muajit tetor, do të zhvillohen aktivitete sipas kalendarit të programuar, nga specialistët e fushës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button