Gjermania financon interkonjeksionin Shqipëri-Maqedoni
Në mjediset e Ministrisë së Energjisë u firmos këtë të martë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, që siguron financimin e projektit të lidhjes energjitike 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Për palën shqiptare dokumenti u firmos nga ministri Damian Gjiknuri, ndërsa për palën gjermane nga ambasadorja Susanne Schutz.
“Bëhet fjalë për një nga projektet jashtëzakonisht të rëndësishëm të ndërlidhjes, një axhendë që tanimë siç dihet mbështetet edhe nga procesi i Berlinit. Janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme dhe procesi po ecën në rrugë të mbarë”, theksoi ministri Gjiknuri.
Në territorin shqiptar projekti përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 deri në kufi me Maqedoninë, rreth 56 km. Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2 me dy zbara dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr.
Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Gjithashtu, projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit.
Zbatimi i projektit në territorin shqiptar ka një kosto prej 70 milion Euro. Punimet do të financohen nëpërmjet një skemë ku kombinohen fonde grant në shumën 14 milion Euro, të Bashkimit Evropian, me kredi zhvillimore në shumën 49.8 milion Euro të mundësuar nga KfË, me koston lokale në shumën 5 milion Euro të mbuluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Gjermania ka financuar edhe lidhjet energjitike me Malin e Zi dhe me Kosovën, ndërkohë që puna për lidhjen me Maqedoninë nis në javët e para të 2017 dhe parashikohet që të përfundojë në 2020.