Gjermania optimiste për raportet Kosovë-Serbi
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier në fjalimin e tij dje në Bundestagun gjerman kërkoi të miratohet vazhdimi i misionit të Bundeswehrit, që vepron në kuadër të KFOR-in në Kosovë, për të siguruar paqen dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës, por edhe gjithë rajonit.
Duke iu referuar situatës në veri të Kosovës, ministri gjerman Steinmeier ka thënë se atje ka një arritje, një polici të përbashkët, administratë komunale legjitime dhe ky është një hap përpara ose një hap më shumë përpara, por që akoma mungojnë shumë gjëra.
“Ushtaret dhe ushtarët tanë kanë luajtur një rol vendimtar dhe për këtë ata meritojnë një falënderim dhe mirënjohje për kontributin e tyre. Shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në marrëdhëniet mes shteteve, siç është rasti mes Serbisë dhe Kosovës me përkushtimin e tyre dhe gatishmërinë e tyre për kompromise kohë pas kohe i kanë ndërtuar marrëdhëniet e tyre dhe po lëvizin drejt normalizimit dhe respektimit të marrëveshjeve të arritura edhe në veri të Kosovës”, tha ai.
“Ne po bashkëbisedojmë me kosovarët dhe serbët për të arritur një bashkësi të përbashkët që të rregullohen çështje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit dhe kjo është ajo tema e marrëveshjes për normalizim, edhe pse akoma nuk është arritur, po gjithsesi nuk duhet të dorëzohemi. Sa i përket ndikimit politik, por edhe përpjekjeve tona për sigurimin e paqes dhe stabilitetit për këtë na duhet KFOR-i, për këtë ju lutemi të vazhdohet mandati i Bundeswehrit në Kosovë”, tha Steinmeier.
Ministri gjerman tha se vazhdimin e mandatit të KFOR-it nuk e bëjmë se po kemi qejf, por për faktin se Evropa ka interesa, se Gjermania ka interes të ketë një fqinjësi stabile në Ballkanin Perëndimor dhe për ketë i përcjellin ngjarjet në shtetet e ndryshme jo vetëm me interesa, por edhe me shqetësim, duke përmendur këtu ngjarjet e fundit në Maqedoni.
Ai tha se ka biseduar me komisarin e BE-së Hahn, i cili po përkujdeset për të ndërmjetësuar mes palëve në konflikt. Kemi një marrëveshje fragjile mes grupeve të ndryshme etnike dhe keqësimi i gjendjes nuk ka përfunduar dhe kjo gjendje do të vazhdojë të jetë kështu nëse përfaqësuesit politikë nuk marrin përgjegjësitë e tyre politike.
“Javën e kaluar menduam se ecëm përpara dhe se koha për zgjedhje të reja po afrohet në një kohë të caktuar, që t’iu mundësohet të gjitha grupeve etnike të kenë një shans fer në zgjedhje, por bisedat dje nuk rrodhën mirë dhe shpresoj që t’i rikthejmë sërish në ditët në vijim”, u shpreh ai.
Steinmeier kritikoi kryeministrin maqedonas duke thënë se duhet ta di se çdo vend i Ballkanit Perëndimor që dëshiron të ecë në rrugën drejt Evropës dhe nëse shpreson të arrijë aty, duhet të marrë përgjegjësi të ruaj strukturat e shtetit ligjor.
Në këtë fjalim ministri gjerman Steinmeier foli edhe për gjendjen politike në Bosnje duke e përshkruar atë si gjithkund në Ballkanin Perëndimor një situatë “ku ka dritë dhe hije”. Në Bosnje kishte disa përparime, por sipas tij kishte shume vite një bllokadë të brendshme politike.
Vlerësim pozitiv Steinmeier i bëri Kroacisë dhe anëtarësimit të saj ne BE, pastaj përmendi Malin e Zi, i cili, siç tha, po ecën në të njëjtën rrugë të integrimit, duke thënë se mesa shihet Mali i Zi e ka kuptuar se nëse duan të arrijnë aty ku dëshirojnë duan vetë të ecin përpara.
Por ai tha se nuk e di se a do të ndodhë e njëjta gjë me Serbinë, porse janë në kontakte të shpeshta me Serbinë, dhe sipas tij Serbia dëshiron t’i hapet kapitulli i anëtarësimit dhe Bundestagu i ka shprehur pritshmëritë e tij.
Në fund fjalimit, Steinmeier i bëri thirrje Bundestagut që Gjermania edhe më tutje ta ketë vëmendjen tek vendet e Ballkanit Perëndimor për të siguruar paqen dhe stabilitetin, duke vazhduar praninë e KFOR-it në Kosovë.