Gjermania, tentativa e re për koalicionin e madh
Unioni dhe socialdemokratët duan të përhapin optimizëm lidhur me raundin e parë të bisedimeve për mundësinë e një koalicioni të ri. Por në ditët e ardhshme do të shihet gatishmëria për kompromis.
Në prononcimin e dakorduar me partitë e tjera theksohet se ekziston vullneti i fortë, që deri të enjten të ketë një rezultat të bisedimeve testuese. Gjermania gjendet “në një kohë të re. Kjo kohë e re ka nevojë për një politikë të re.” Klingbeil theksoi se “e shohim që politika duhet të ndryshojë.”
Pavarësisht presionit për reforma dhe dallimeve të dukshme, ndërmjetësuesit shprehen optimistë, se mund të arrihet ujdia. Unioni kërkon një koalicion me bazë të gjerë, por SPD-ja e ka lënë të hapur rifreskimin e koalicionit të mëparshëm.
Refugjatët dhe sigurimi qytetar – tema debati
Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel koalicioni ka bërë gabim në vitin 2013 që u përqëndrua shumë më tepër në politikën e brendshme dhe jo tek Europa. Ka ardhur koha që të japim përgjigje për propozimet për reforma të presidentit francez, Emmanuel Macron, tha Gabriel për televizionin gjerman, ARD.
Ndërsa kancelarja Merkel para takimit theksoi, se para një qeverie të re ndodhen detyra të mëdha. Pikat kryesore të debatit janë politika e migracionit dhe sigurimi social qytetar për të gjithë i kërkuar nga socialdemokratët.
Këtë të hënë CDU, CSU dhe SPD vazhdojnë bisedimet për mundësinë e koalicionit në grupet e specializuara dhe ato për Europën. Krerët e CDU, CSU, dhe SPD-së e kanë marrë vetë në dorë temën për Europën. Të hënën ata diskutojnë për të ardhmen e unionit. Nuk dihet, nëse do të publikohen rezultate, sepse ndërmjetësuesit nuk do të japin hollësi për negociatat. Do të ketë vetëm një deklaratë të përditshme për zhvillimet aktuale lidhur me bisedimet për koalicion.