Ekonomia

Gjermeni në Gjenevë: Reformat tona sigurojnë kohezion social

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni prezantoi sot 3 planet kombëtare mbi zhvillimin urban, gjatë sesionit të 76-të të Komitetit për Strehimin dhe Menaxhimin e tokës, pjesë e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën, që po zhvillon punimet në Gjenevë.

Në këtë takim, Gjermeni adresoi sfidat dhe progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e strehimit të qëndrueshëm, zhvillimit urban dhe menaxhimit të tokës. Ky takim këtë vit vjen në 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Komitetin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (15 dhjetor 1955).

Në fjalën e saj, Gjermeni theksoi se në dy vitet e fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa reforma të mëdha dhe ndërhyrje të planifikuara e të nevojshme, për të siguruar kohezion social dhe përdorimin më të mirë të burimeve natyrore, ku transparenca dhe ekuilibri midis interesave publike dhe atyre private, kanë luajtur një rol qendror.

“Pas zbatimit të reformës territoriale pak kohë më parë, ne tani kemi 61 komuna prej 374 njësive vendore që kemi pasur më parë. Qëllimi kryesor i kësaj reforme të re është rritja ekonomike dhe kohezioni social në vend, si dhe menaxhimi më i mirë i burimeve lokale. Planifikimi i mirë hapësinor është një parakusht i qëndrueshmërisë, kohezionit social dhe rritjes ekonomike për një vend”, tha ajo.

Në këto dy vitet e fundit, sipas ministres Gjermeni, qeveria shqiptare ka investuar rreth 150 milionë euro nga projektet e financimit në pothuajse çdo qytet për të rigjallëruar jetën sociale dhe ekonomike edhe në qytetet më të vogla.

“Brenda një periudhe dy vjeçare ne zbatuam 3 projekte pilot me një vlerë totale prej rreth 3,1 milionë dollarë për urbanizimin e vendbanimeve joformale në 3 komuna të ndryshme. Zbatimi i këtyre projekteve ka mundësuar që rreth 25,000 njerëz të jetojnë në kushte më të mira të infrastrukturës rrugore dhe kanalizimeve si dhe të ketë shërbime më të mira të ofruara për ta”, tha Gjermeni.

Ndërkohë sipas saj, sigurimi i strehimit të përshtatshëm për grupet vulnerabël dhe në veçanti për komunitetin rom është një përparësi strategjike për qeverinë shqiptare dhe veçanërisht Ministrinë e Zhvillimit Urban.

“Qëllimi ynë kryesor është krijimi i shtëpive të përballueshme për grupet e cënueshme për të mbështetur përfshirjen sociale të atyre që rrezikohet nga varfëria. Në vitin 2013, me mbështetjen e programit të PNUD-it në Shqipëri, nisëm hartimin e Strategjisë së parë strehimit social 2015 – 2025. Në vitin 2014 kemi përcaktuar një fond të veçantë buxhetor për rindërtimin e shtëpive për komunitetet rome dhe egjiptiane”, tha Gjermeni.

Ajo theksoi gjithashtu se qeveria shqiptare ka nisur  punën për krijimin e një procesi online për lejet e ndërtimit si e vetmja procedurë standarde. “Qëndrueshmëria, gjithëpërfshirja, kohezioni social, zhvillimi urban dhe menaxhimi i tokës në një shoqëri globale mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Unë besoj fuqimisht se, vetëm përmes angazhimit të përbashkët dhe bashkëpunimit të fortë dhe partneritetit, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ne do të bëjmë të mundur zbatimin e Kartës së OKB-së të Gjenevës mbi qëndrueshmërinë dhe Strategjinë e komisioneve për Strehim të Qëndrueshëm dhe Menaxhimit të Tokës për vitet 2014 – 2020”, përfudnoi ministrja Gjermeni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button