Kronika

Gjika: Pse refuzova 4 herë dokumentet për prokurorinë

Kreu i Bashkisë së Vlorës flet nga spitali për akuzat ndaj tij

sjpetim-gjika_1Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili thotë se pavarësisht vendimit të gjykatës, vetëm dje, pas 72 orësh, ka fituar lirinë në dhomën e spitalit privat, ku u zhvillua edhe masa e sigurisë ndaj tij, pretendon se akuzat e prokurorisë janë një skenar ndaj tij, por që ende nuk ka gjetur regjisorin. Ai ka mbajtur një konferencë për shtyp nga krevati i spitalit, duke shpjeguar edhe pretendimet e tij për katër pengesat që prokuroria pretendon se i ka bërë hetimit për pallatin 11-katësh, i cili dyshohet se është ndërtuar pa leje, me anë të falsifikimit të dokumenteve. Sa u përket zgjedhjeve vendore, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Gjika ka lënë gjithçka të hapur, duke u shprehur se;… “shëndeti është parësor”.

Prokuroria ju ka akuzuar se keni penguar punën e saj, duke mos dhënë dokumentet?

Kjo është një akuzë sa absurde aq dhe qesharake, në asnjë moment nuk kam qenë pengesë jo vetëm për prokurorinë, por për gjithkënd tjetër. Keni qenë dëshmitarë dhe ju mediat që zyra ime është hapur katër kanatash dhe nga qytetarë të ndryshëm. Hedh poshtë jo vetëm për vërtetësinë e faktit, por edhe me neveri e përbuzje këto akuza të prokurorisë. Dua të përmend dy fakte, prokuroria më akuzon se në katër raste kam penguar punën e saj. Por, në datën 29 janar për herë të parë prokurori i çështjes Kuliçi ka ardhur në zyrën time, kemi marrë takim së bashku, më ka thënë gojarisht që kemi nisur një shkresë, për fatin e mirë timin dhe të tijin në dosjen time kam pasur protokollin e shkresave zyrtare, në sytë e tij kam kontrolluar dhe shkresa nuk kishte mbërritur tek unë, por erdhi në atë moment që ai ka qenë i pranishëm. Data 27 janar që thotë prokuroria se kam penguar hetimin, është data që ka nisur shkresën për në bashki. Në datën 29 i kam thënë prokurorit që shkresa, siç e shihni sapo ka ardhur në dorë dhe nuk do të bëj më gabimet që kam bërë para një viti e gjysmë, që do të thotë ua kam dhënë prokurorëve çelësat dhe dyert e hapura dhe kanë marrë çfarë u ka dashur qejfi. Tani i thashë komunikimi do të jetë vetëm shkresor. Meqë ju ma keni kërkuar me shkrim këtë dokument edhe unë do t’iu përgjigjem me shkrim. I kam lënë takim për të nesërmen në datën 30 janar. Në këtë datë është e vërtetuar zyrtarisht që kryetari i bashkisë është thirrur për inspektim nga ILDKPKI dhe për këtë arsye nuk kam qenë në bashki. Në datën 2 shkurt pati situatë emergjente në qytetin e Vlorës dhe nëse prokurori kujton që vendi i punës për kryetarin e bashkisë është vetëm zyra e tij, bën gabim. Atë ditë dhe atë natë kryetari i bashkisë ka qenë tek argjinatura e Selevecit për gjithë natën, me qëllim që prokurori, kur të zgjohej të nesërmen, të mos i bëheshin këpucët me baltë. Dhe për të qenë korrekt me ligjin dhe detyrën e moralin, i kam dërguar shkresë, ku i drejtohem prokurorit të rrethit dhe atij të çështjes se për arsye të situatës emergjente, të më jepnin dy-tri ditë afat për t’u dhënë atë që atë që kërkonin. Nëse kjo quhet pengesë e punës së prokurorisë, kjo është çështje e prokurorisë.

Prokuroria ka aluduar dhe për shëndetin tuaj, i jeni nënshtruar koronarografisë?

Prokuroria kujton se unë këtu kam ardhur të bëj depilim, të heq thonjtë, ose të heq vetullat. Ky është problem i tyre, nëse kam bërë apo jo koronare ka kartela mjekësore, mund të pyesni mjekët, nuk kam dëshirë të jap asnjë lloj informacioni për shëndetin tim. Unë nuk di në Shqipëri ndonjë të burgosur që mund të orientojë policinë, prokurorinë, gjykatat apo spitalet. Unë kam bërë të gjitha procedurat pa pasur asnjë lloj aksesi apo asnjë lloj benefiti për shkak të detyrës sime. Jam arrestuar në shtëpi, përtej pamjeve që japin mediat, kam shkruar në Drejtorinë e Policisë, pas një orë e gjysmë janë bërë procedurat, sepse vendimi i arrestimit tim ka ardhur me vonesë dhe prej andej kam përfunduar në qelitë e paraburgimit. Pas katër-pesë orësh, kam pasur shenja të përkeqësimit të shëndetit tim dhe me plotësimin e të gjitha procedurave ligjore, jam dërguar në spitalin e Vlorës. Prej andej jam transferuar në spitalin e burgut në Tiranë. Kam kërkuar trajtim mjekësor të specializuar dhe më kanë adresuar në Spitalin Amerikan. Unë nuk di që këtu të ketë ndonjë përfitim. Për sa i përket kartelës mjekësore, shëndetit tim, mënyrës së ndërhyrjes apo diagnozës që unë kam, ju lutem më mirëkuptoni të ruaj privatësinë time për shkak të familjarëve.

Avokati juaj ka deklaruar se akuzat mund të jenë politike… ?

Hiqeni fjalën mund dhe kjo është përgjigjja ime.

Do të merrni pjesë në zgjedhjet qoftë dhe i pavarur dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin?

Unë nuk besoj se këtu është momenti për të folur për zgjedhjet, në situatën që jam nuk më shkon mendja për zgjedhje, më shkon mendja vetëm të përmirësoj shëndetin tim dhe të ushtroj detyrën time, për të cilën më kanë votuar qytetarët e Vlorës. Sot dhe në këtë gjendje kaq të rëndë që kam 72 orë që pres urdhrin e lirimit, unë besoj se kjo duhet t’ju bënte dhe juve përshtypje, jo për mua si një qytetar që kam një status të kryetarit të bashkisë, por për këdo qytetar të Shqipërisë. Të vijë urdhri i lirimit pas 72 orësh, kjo është skandaloze. Kjo ndodh sepse sot prokuroria kishte organizuar skenarin për të shqyer zyrën time, kryetari i bashkisë duhet të ishte këtu, sepse zyra duhej shqyer, jo duhej hapur me çelës. Për të qenë korrekt, prapë pa u hapur zyra e bashkisë u kam dërguar mesazh instancave më të larta të shtetit, ku u kam thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë që jam i gatshëm të vij nga spitali edhe në këtë gjendje të rëndë shëndetësore me pranga në duar vetëm zyrën mos e shqyeni, sepse zyra nuk është e Shpëtim Gjikës, është e qytetarëve të Vlorës, është e Bashkisë së Vlorës, e atij institucioni, nuk ka arsye pse të shqyhet, jam i gatshëm të vë në dispozicion, jo vetëm dokumentacionin, por edhe muret, perdet, e gjithçka që është brenda.

Është thënë nga avokati juaj se në zgjedhjet lokale nuk do kandidoni si kandidat i PS-së apo i pavarur, në cilën logo do t’ju gjejnë qytetarët që ju përkrahin?

Kjo është një përgjigje e avokatit, sigurisht që ne nuk kemi bërë ndonjë akt noterial me avokatin e të kemi marrë ndonjë qëndrim, ka qenë një mendim i avokatit dhe besoj që përgjigjja e tij ka qenë që Shpëtim Gjika nuk kandidohet nga PS. Kjo nuk do të thotë që e ka marrë nga unë, mund ta ketë dëgjuar nga PS. Kjo nuk është thelbësore për momentin, nuk ka asnjë rëndësi, e rëndësishme është shëndeti im, zyra dhe bashkia janë një institucion që nuk i përkasin Shpëtim Gjikës, por qytetarëve të Vlorës. Por sigurisht që këtu luhen skenarë të mëdhenj, unë do të përdor në fund të fjalës sime një fjali që e kam për zemër. “Nuk keni parë gjë akoma”. Sepse siç dyshohet për Shpëtim Gjikën dhe për prokurorinë mos kujtoni se është shenjti në Shqipëri. Nuk keni parë gjë akoma se çfarë ka bërë prokuroria, jo vetëm në rastin tim, por dhe në shumë raste të tjera. Rasti im do vërtetojë shumë gjëra, se çfarë fuqish të jashtëligjshme ka bërë prokuroria në disfavorin tim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button