Gjiknuri: Jo monopoleve në tregun e gazit
Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri deklaroi të hënën në komisionin e Ligjeve se do të hartohet masterplani për të mos patur operator monopol në shpërndarjen e gazit për konsumatorët apo dhe për industrinë.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për sektorin e gazit natyror”, ministri tha se në këtë draft i jepen kompetenca Entit Rregullator për të mbikëqyrur tregun e gazit. “Do të hartojmë masterplan për të mos patur operator monopol në shpërndarjen e gazit për konsumatorët, por edhe për industrinë. Kemi gati aktin e ri që do të rregullojë tregun e bombulave të gazit”, u shpreh ndër të tjera ministri.
Ligji i ri për sektorin e gazit, që po diskutohet në komisionet e përhershme, ka për qëllim të garantojë furnizimin e qëndrueshëm dhe të sigurt me gaz natyror të klientëve, përmes krijimit të një tregu konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale e evropiane, për një shërbim me cilësi të lartë, kosto të arsyeshme, si dhe duke respektuar kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
Ky ligj përcakton politikat dhe rregullat për organizimin e funksionimin e tregut të gazit natyror dhe veprimtaritë e lidhura me të, përfshirë të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë.