Gjithçka duhet të dini për mbretin e ri të Arabisë Saudite
Vëlla i ish-liderit Abdullah bin Abdulaziz u bë mbreti i ri pas vdekjes së mbretit Abdullah. Emri i tij është Salman bin Abdulaziz Al Saud.
Mbreti Salman lindi në Riyadh në vitin 1935. Ai u arsimua në teologji dhe shkencë moderne. Salman ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në mbretëri që nga viti 1954 dhe në vitin 2012 u emërua princ i kurorës. Përpara kësaj ai ishte guvernator i provincës Riyadh për plot pesë dekada.
Mbreti i ri 79-vjeçar ka qenë pjesë e klikës së princave për dekada. Në lidhje me mënyrën sesi ai do të qeverisë, shumica besojnë se ai do të vazhdojë të ruajë gjendjen aktuale të politikës strategjike të vendit. Këtu përfshihet vazhdimi i aleancës me SHBA-në dhe puna për stabilitetin e tregut energjetik.
Gjatë pesë dekadave të Salman si guvernator i Riyadh, ai mendohet se ka qenë mjaft i aftë për të ruajtur balancën delikate të interesave klerikale, fisnore dhe mbretërore që përcaktuan politikën saudite, ndërsa mbante marrëdhënie të mira me Perëndimin.
“Salman ka shërbyer si ministër i mbrojtjes që nga viti 2011 dhe ishte kreu i ushtrisë teksa Arabia Saudite iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera arabe në sulmet ajrore në Siri në vitin 2014 në luftën kundër Shtetit Islamik, grupit militant suni që mbretëria filloi ta shihte edhe vetë si kërcënim për stabilitetin”, raporton AP.
Salman është një nga shtatë djemtë e lindur nga Hussa bint Ahmad Sudeiri, një nga gratë e preferuara të themeluesit të Arabisë Saudite, mbretit Abdulaziz Al Saud, duke e bërë atë gjysmë vëlla të Abdullah.
“Shtatëshja Sudeiri” shihet si një qendër pushteti brenda familjes. Anëtarët e grupit të vëllezërve të vërtetë përfshinin pasardhësin e menjëhershëm të Abdullah, mbretin Fahd.
Salman ka vuajtur nga të paktën një infarkt, e për pasojë e ka të vështirë të lëvizë krahun e majtë. Ai është martuar tri herë dhe ka dhjetë djem, dy prej të cilëve i kanë vdekur dhe një vajzë.
Djali më i njohur i Salman është princ Sultan, kreu i Komisionit saudit për Turizmin dhe Antikitetin, që u bë i pari saudit që shkoi në hapësirë kur iu bashkua misionit amerikan të vitit 1985 për eksplorimin e hapësirës.
Princi Mohammed, djali më i madh nga gruaja e tretë e Salman, është ministri i Brendshëm i vendit dhe tani zëvendëspretendent për kurorën, duke u bërë i dyti në linjë për fronin. Muqrin bin Abdulaziz, gjysmëvëllai 69-vjeçar i Abdullahut është pretendenti i parë për fronin.
Pesë gjërat që duhet t’i dini rreth të ardhmes së Arabisë Saudite
Vazhdimësia e pushtetit po bëhet pa probleme
Mbreti Abdullah dhe familja e tij janë përgatitur prej vitesh për kalimin e pushtetit dhe princat pretendentë kanë një interes kolektiv të shmangin përçarjen, gjë që mund të sjellë rënien e familjes.
Për shkak të moshës dhe shëndetit jo të mirë, mbreti i ri Salman, do të ketë nevojë për dorën e Muqrin për të qeverisur, ky i fundit do të marrë parasysh edhe pikëpamjet e figurave dominante brenda familjes. Këta janë kundër ndërrimit të politikave.
Nuk ka gjasa të prishet marrëdhënia me Perëndimin
Princi Muhammad shihet si modernist, kryesisht prej një programi të deradikalizimit të tij, që përdor klerikët fetarë, mbështetjen financiare dhe familjare për të riintegruar në shoqëri xhihadistët e mundshëm. Pavarësisht diferencave periodike me SHBA, në sfond nuk duket ndonjë alternativë zëvendësimi.
Marrëdhëniet me Jemenin, Irakun dhe Iranin janë kryesoret
Princi Muhammad për pak sa nuk u vra nga Al-Kaeda në vitin 2009, ndaj është në dijeni të rrezikut që paraqesin xhihadistët. Ai mbështet bashkëpunimin për sigurinë me Irakun. Ka shumë gjasa që Arabia Saudite dhe Irani u kanë dhënë fund të gjitha konflikteve të tyre për rajonin. Përgjigjja e Arabisë Saduite ndaj ngritjes së milicisë Houthi në Jemen do të jetë një tregues kyç, pasi grupi shihet si aleat i afërt me Iranin.
Plane për barazinë dhe arsimin
Mbreti Abdullah vuri në lëvizje ndryshime afatgjata në sistemin e drejtësisë, përmirësoi sistemin arsimor dhe ofroi më shumë mundësi të pjesëmarrjes së grave dhe pakicave në qeverisje.
Përgjigjja nëse gratë do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e komunave të këtij viti do të bëjë qartësimin nëse këto reforma do të vazhdojnë.
Ndryshime ekonomike
Ndryshimet në strukturën ekonomike po ndërmerren. Çmimi i naftës ka rënë me 60 për qind që nga piku i vitit të shkuar. Por edhe nëse çmimet kthehen në 80-100 dollarë për fuçi, politika e rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve publike nuk do të jetë e qëndrueshme gjatë dekadës së ardhshme, teksa vendi përballet me popullatë në rritje dhe po konsumon gjithnjë e më shumë nga nafta e vet. Menaxhimi i pasojave politike që vijnë nga kjo do të jetë testi më i madh për gjeneratën e ardhshme.
*Burimi: Business Insider