Gjosha: S’ka çelje negociatash pa reformën në drejtësi. Nuk rrezikojmë kthimin e vizave
Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian, në një intervistë për Top Channel thotë se pritshmëritë janë për një progres-raport pozitiv pas dy muajsh nga Komisioni Europian, por reforma në drejtësi – thekson ajo, – është çelësi i suksesit për çeljen e negociatave për anëtarësim.
TCH: Progres-raporti i radhës pritet të publikohet nga Komisioni Europian në më pak se dy muaj. A ka gjasa të ketë një rekomandim për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në?
Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian: Në këto momente jemi duke përgatitur progres-raportin. Është dorëzuar informacioni i parë në maj të këtij viti, tashmë do të dorëzohet ai përfundimtar nga pala shqiptare, pikërisht në afatin që është vendosur nga Komisioni Europian, që është data 1 shtator. Patjetër që do të jetë një progres-raport tejet i gjerë, pasi ka qenë një vit shumë intensiv, me një punë shumë të madhe dhe të rëndësishme nga qeveria shqiptare, ku do të përmenden një sërë reformash. Por, mbi të gjitha, progres-raporti do të fokusohet te realizimi i 5 prioriteteve, dhe më lejoni t’iu them se ka qenë një realizim shumë i mirë, sidomos në lidhje me prioritetin e parë, që është reforma në administratën publike. Kuptohet që kjo reformë do të vijojë të zbatohet dhe të implementohet, por masat e kërkuara nga Komisioni Europian janë drejt përfundimit. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj për rekomandimin, kjo do t’u takojë vendeve anëtare për të gjykuar për progres-raportin, por edhe vetë Komisionit Europian, nëse do të kemi një rekomandim të mundshëm për hapjen e negociatave. Megjithatë, bazuar edhe në komunikimin tonë të përditshëm me Komisionin Europian, patjetër që Shqipëria pritet të plotësojë një nga reformat më të rëndësishme, që është reforma në drejtësi, në mënyrë që të hapet “drita jeshile” për negociatat. Duke qenë se në këto momente reforma në drejtësi është në proces, ne presim për të parë gjykimin e Bashkimit Europian, nëse është mjaftueshëm në këtë fazë që është, apo do të pritet deri në përfundimin e saj për të parë edhe hapjen e negociatave.
TCH: Sa për qind janë realizuar 5 prioritetet nga qeveria shqiptare?
Klajda Gjosha: Deri në këto momente, ne jemi në fazën e 90% të realizimit të masave të marra. Ka pasur debat për këtë shifër, por më lejoni të them që udhërrëfyesi është lehtësisht i matshëm, sepse vetë Komisioni Europian ka mekanizmin e tij, që monitoron Shqipërinë në çdo hap, në çdo detaj, në çdo punë që ne bëjmë. Janë pikërisht grupet e përbashkëta të punës, ato që vlerësojnë punën dhe çdo masë që përmban udhërrëfyesi i 5 prioriteteve. Kur themi në masën 90%, kjo është pjesa më e madhe e punës që është bërë për hapjen e negociatave, por kemi një punë shumë të madhe për reformën në drejtësi. Kjo shifër nuk do të thotë që Shqipëria ka përfunduar punën, jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për zhvillimin e vendit në tërësi.
TCH: Zonja ministre, ju flisni për një realizim në masën 90%, por Këshilli Kombëtar i Integrimit, i cili drejtohet nga deputetja e opozitës, Majlinda Bregu, nuk mendon kështu.
Klajda Gjosha: Ky është mendimi i opozitës, por siç thashë janë të gjithë mekanizmat e mjaftueshëm për të vlerësuar realizimin e këtyre masave dhe nuk është një vendimmarrje, që bëhet nga Ministria e Integrimit apo Qeveria shqiptare, por është një vendimmarrje e përbashkët me partnerët tanë europianë.
TCH: A po bën ndonjë lobim ministria juaj sa i përket progres-raportit, për përshpejtimin e negociatave? Cilat janë hapat që po ndërmerrni ju në këtë drejtim?
Klajda Gjosha: Është një punë e vazhdueshme, që po bëhet jo vetëm nga Ministria e Integrimit, por edhe nga Ministria e Jashtme, që ka një rol edhe më të madh për sa i përket lobimit, në lidhje me arritjet që ka Shqipëria deri në këto momente. Do të kemi disa vizita dypalëshe për të prezantuar progres-raportin, për të prezantuar arritjet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Patjetër që, edhe me daljen e progres-raportit nga Komisioni Europian, lançimi i arritjeve do të jetë edhe më i madh, edhe më i dukshëm. Ne shpresojmë që në këtë mënyrë të dalin në pah të gjitha përpjekjet konkrete të Shqipërisë për të ecur përpara me procesin e integrimit.
TCH: Kemi një valë emigrimi në vendet e Europës, kryesisht në Gjermani, madje edhe Suedi. Më pak në Finlandë. Sa ndikon ky lloj emigrimi, në një kthim të mundshëm të regjimit të vizave për Shqipërinë?
Klajda Gjosha: Në radhë të parë, Shqipëria ka rrezikuar në imazh. Në një imazh, që ne kishim ngritur gjatë viteve të fundit dhe unë gjej rastin t’u bëj një apel shqiptarëve të mos kërkojnë azil, pasi nuk do t’ua hapë askush derën. Përkundrazi, ata dëmtojnë veten e tyre dhe Shqipërinë. Dëmtojnë Shqipërinë jo vetëm në imazh, por edhe në disa hapa të mëtejshme, që mund të marrë vetë Bashkimi Europian për sa u përket vizave. Ndoshta jo për të gjithë qytetarët, por për vetë azilkërkuesit, që trokasin në dyert e Europës së bashkuar.
TCH: Për ta bërë të qartë, zonja ministre; ata që deportohen nga këto vende ku kërkojnë azil, rrezikojnë të futen në “listën e zezë” për të mos hyrë për 5 vite në Bashkimin Europian?
Klajda Gjosha: Patjetër që këta persona rrezikojnë lëvizjen e lirë të tyre, për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian. Kështu që, edhe njëherë iu bëj apel të gjithë atyre që kërkojnë azil.