Zaev thyen akullin me Ramën, nesër ministri i Maqedonisë vjen në Tiranë
Pas një kohe të gjatë raportesh të ngurta mes qeverisë së kaluar të Maqedonisë dhe qeverisë shqiptare, thyhet akulli.
Siç njofton agjencia e lajmeve INA, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, me ftesë të homologut të tij Ditmir Bushati, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Shqipërisë.
Në kaudër të vizitës, krahas takimit me Bushatin, është parashikuar që Dimitrov të realizojë takime edhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë njoftoi se pas takimit me shefin e diplomacisë së Republikës së Shqipërisë, është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e të dy ministrave.
Qeveria e kaluar pothuajse nuk ka zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë me kreun shtetëror të Shqipërisë.
Vizitat më të shpeshta të qeverisë së Gruevskit janë zhvilluar me Beogradin zyrtar.