Gjykata Supreme e Rusisë ndalon regjistrimin e partisë Yabloko në zgjedhjet parlamentare
Gjykata Supreme e Rusisë anuloi të hënën regjistrimin e të vetmes parti liberale kundër luftës, Yabloko, për zgjedhjet parlamentare të vendit, të njohura edhe si zgjedhjet e Dumës Shtetërore.
Vendimi erdhi pasi partia nacionaliste pro-Kremlinit, Rodina, ngriti një padi më 7 gusht, duke kërkuar të largojë Yablokon nga zgjedhjet.
Duke reaguar ndaj vendimit në Gjykatën Supreme të Federatës Ruse, kreu i Yabloko-s, Nikolai Rybakov, tha se “nuk ka asnjë bazë për ta përjashtuar partinë nga zgjedhjet”.
Rybakov theksoi se “të gjitha dokumentet ishin kontrolluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vendimi për të na lejuar të kandidonim u mor unanimisht”, duke kujtuar se Ministria e Drejtësisë e kishte inspektuar vazhdimisht partinë për shkelje të ndryshme, por nuk kishte gjetur asgjë të paligjshme.
Ai i përshkroi pretendimet e Rodinës si të pabazuara.
Dhjetëra njerëz erdhën në ndërtesën e Gjykatës Supreme në Moskë për të shprehur mbështetje për Yablokon.
Lideri i Rodinës dhe deputeti i Dumës Shtetërore, Alexei Zhuravlyov, argumentoi se avokatët kishin gjetur shkelje të shumta në fushatën zgjedhore të Yabloko-s.
“Para së gjithash ky është financim i huaj që nuk kalon përmes llogarisë”, u shpreh ai duke shtuar se ishte një aktivitet i gjerë në rrjetet sociale të ndaluara, i cili financohet nga Perëndimi.
Por Rodina nuk ishte e vetmja parti që kundërshtoi Yablokon. Udhëheqës të partive të tjera ruse gjithashtu ngritën akuza kundër Yablokos.
Kryetari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Federatës Ruse, Gennady Zyuganov, fajësoi kundërshtarët e tij për mosmbështetjen e “politikës së forcimit të shtetësisë ruse”.
Ndërsa udhëheqësi i LDPR-së, Leonid Slutsky, bëri thirrje që Yabloko të shpallet një organizatë e padëshirueshme për shkak të propozimit të saj për të hyrë në bisedime paqeje me Kievin.
Një tjetër pretendim është se shfaqja e Yablokos në fletën e votimit u nevojitet autoriteteve ruse për t’i hequr një pjesë të votës partisë gjithnjë e më popullore të Popullit të Ri. “Yabloko është lejuar të hyjë në zgjedhje për të rrëzuar ‘Popullin e Ri’”, shkruan Alexander Kynev, një specialist në proceset politike rajonale të Rusisë, në mediat sociale.
Zgjedhjet për Dumën Shtetërore, së bashku me votime në nivele të ndryshme që mbahen në të njëjtën kohë, do të zhvillohen në Rusi gjatë tre ditëve, nga 18 deri më 20 shtator.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.