Kosova

Gjykatësi gjerman i Tribunalit të Hagës: Kosova u diskriminua me Gjykatën Speciale

Intervistë e Wolfgang Schomburg, ish-gjyqtar Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugpsllavi (ICTY).

Me dënimin kundër ish-udhëheqësve të kroatëve të Bosnjes Tribunali i Hagës (ICTY) përfundoi misionin. Meritat e drejtësisë ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme, mendon ish-gjyqtari i këtij Tribunali Wolfgang Schomburg.

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugpsllavi (ICTY) me seli në Hagë shqiptoi vendimet në procesin e apelit kundër gjashtë ish-udhëheqësve kroatë të Bosnjes. Për Jadranko Prlić, Bruno Stojić, Slobodan Praljak, Milivoj Petković, Valentin Ćorić dhe Berislav Pušić u dhanë dënime me burgim nga 10 deri në 25 vjet. Ata u dënuan të gjetur fajtorë për krime ndaj njerëzimit, shkelje të Konventës së Gjenevës dhe shkelje të ligjti të luftës. Vetëvrasja në mënyrë demonstrative e Slobodan Praljak në sallën e gyjqit lëshoi hije ndaj shqiptimit të vendimeve këtë të mërkurë (29.11). Pasi u konfirmua dënimi për të me 20 vjet heqje lirie, Praljak thirr “unë nuk jam kriminel” dhe piu diçka nga një shishkë e vogël, që mbante me vete. Pak pas kësaj ai ndërroi jetë në spital.

Wolfgang Schomburg: Kjo është një tragjedi, që një njeri i merr jetën vetes në një situatë të tillë. Për këtë duhet të mendojmë në plan të parë. Edhe në të kaluarën ne kemi pasur situata, kur ka pasur kërcënime me vetëvrasje – si në rastin e grevës së urisë të shpallur nga Vojislav Seselj. Për mua si gjyqtar penal gjerman janë të njohura rastet kur njerëzit në situata të tilla përdorin ekstremin nisur nga motive të ndryshme. Por një incident i tillë i veçuar me një të dënuar nuk mund ta ndryshojë imazhin e përgjithshëm të tribunalit, thekson Schmburg.

Deutsche Welle: Zoti Schomburg, çfarë synimesh kishte bashkësia ndërkombëtare në maj 1993, kur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së vendosi të themelohet Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY)?

Wolfgang Schomburg: Asokohe disa studiues kishin mbledhur shumë material dëshimishë për krime të tmerrshme në ish-Jugosllavi, aq sa Këshilli i Sigurimit nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të themelonte një të ashtuquajtur gjykatë penale ad-hoc. Kjo ishte përpjekja, që në përputhje me Kartën e OKB-së të vendosej paqja dhe kjo jo përmes ndërhyrjes ushtarake, por me mjetet e drejtësisë. Këshilli i Sigurimit mbi bazën e Kartës së OKB-së ka mundësi të ndryshme për t’iu kundërvënë atyre që kërcënojnë paqen. Kjo ishte hera e parë, që për një qëllim të tillë u krijua një gjykatë ad-hoc, pra enkas për këtë rast.

Pra Tribunali Hagës, sikurse u quajt kjo gjykaktë nuk ishte një model të mëparshëm?

Jo, kjo ishte një risi. Për të gjithë ata që ishin marrë gjatë më përpara me një tematikë të tillë, kjo erdhi si e befasishme, një ëndërr që papritur u bë realitet. Gjykata duhej të tregonte, se askush nuk qendron mbi ligjin e kushdo duhet të përgjigjet para drejtësisë, pavarësisht se çfarë roli luan në politikë, në ushtri apo kudo qoftë për vendin e tij. Kjo ishte një arritje e madhe në rrugën për më shumë drejtësi.

Cilat ishin sukseset më të mëdha të Tribunalit të Hagës?
Tribunali tregoi, se edhe të mëdhenjve mund t’u kundërvihesh dhe se nuk vlen “që të voglin ta varësh e të madhin ta lesh të lirë”. Ne në fillim kishim më shumë procese kundër të ashtuquajturve “më të vegjlit”, kundër disa rojeve në kampet e të burgosurve. E ne mundëm t’i gjykojmë ata. Më pas hap pas hapi mundëm të punojmë mbi bazën e dëshmive, që ishin mbledhur në proceset e tjera, e kështu arriti të plotësohet mozaiku. Kjo bëri të mundur, që si Mladiçi ashtu edhe Karaxhiçi të gjykoheshin. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i Tribunalit. Jam i bindur, që më vonë do të habitemi se si një gjykatë e themeluar si të thuash nga hiçi, arriti të ketë një rendiment të tillë.

Çfarë do të konsideronit si gabimin më të madh apo dështimin e Tribunalit?`

Sigurisht ka gjithmonë gjëra, që mund të ishin bërë më mirë, por kjo ishte hera e parë dhe askush nuk ka qenë vërtetë i përgatitur si duhet në fillim. Në të erdhën prokurorë e gjyqtarë nga mbarë bota, me sfond të ndryshëm juridik e profesional dhe jo të gjithë ishin të kualifikuar sa duhet për këtë punë. Po ashtu shtrohet edhe pyetja, nëse ishte e drejtë, që të aplikohej ligji anglo-amerikan. Kjo një herë krijoi vëhtirësi kuptimi në disa procese. Por këto janë pak a shumë vogëlsira, nëse kemi parasysh rezultatin e përgjithshëm. Këtu vërtetë për herë të parë mundën të luftohen krimet e luftës me mjetet e së drejtës ekzistuese. Kjo ishte një arritje e madhe.

Veçanërisht në Kroaci dhe në Serbi gjykimet e Tribunalit konsiderohen si të dëmshme për kombn e tyre.

Kjo nga njëra anë është në natyrën njerëzore: nuk do të pranosh, që në vendin tënd nga persona të veçantë janë kryer krime të rënda. Mendohet direkt në mënyrë kolektive. Nëse gjykimi ka qenë në përshtatje me interesin vetiak, atëherë ai konsiderohet si i drejtë, e nëse është ndryshe, konsiderohet si vendim i padrejtë. Por gjithmonë kemi pasur të bëjmë me fajin individual të personave të veçantë. Unë e njoh edhe nga kodi penal në përgjithësi: ai që humbet është plotësisht i pakënaqur me gjykatën. Por ajo që ka qenë më e rëndësishmja, është, se viktimat janë dëgjuar. Pikërisht nga shumë shoqata të viktimave unë e kam dëgjuar ta thonë këtë. Kjo është më e rëndësishmja. Viktimat për herë të parë kishin mundësinë të konfrotoheshin me dorasit në sallën e gyjqit. Ndonjëherë ishte e vështirë tek shihje, se si viktimat mundoheshin ta shihnin në sy të akuzuarin e ky i shmangej shikimit, sepse nuk mund ta përballonte këtë kontakt në sallën e gyjqit. Askush prej të akuzuarve nuk e kishte menduar, që për shkak të veprave të tij një ditë do të dilte para një gjyqi të rregullt për të dhënë llogari.

Me vendimet në procesin e apelit në rastin e gjashtë kroatëve nga Bosnja faktikisht Tribunali  e mbyll punën e tij pas gati 25 vjetësh. Por e e ka kryer plotësisht punën ky Tribunal?

Sipas mendimit tim po. Nga 161 të akuzuar janë kryer 151 procese, në rastet e tjera kemi të bëjmë me persona që kanë vdekur, ose që rastet u janë kaluar gjykatave lokale. Pra janë përpiluar të gjitha rastet. Njëkohësisht me këtë punë është arritur një kualifikim i jashtëzakonshëm në fushën e drejtësisë. Ajo që është edhe më e rëndësishmja për ish-Jugosllavinë mundën të konstatohen shumë fakte, që sot askush me arsye nuk mund t’i mohojë më ato.

Ndërkohë është krijuar edhe një Gjykatë Speciale për Kosovën, si e shini ju këtë?

Po është e vërtetë që është krijuar edhe një Gjykatë Speciale për Kosovën. Ju lutem mos më pyesni mua se ç’kuptim ka një gjykatë e tillë. Por le t’i kthehem edhe një herë pyetjes së mëparshme, nëse u mbyll më shpejt se ç’duhej ICTY: Nëse në bashkësinë ndërkombëtare ekzsiton mendimi, që ndokund duhet të shqyrtohet ndonjë rast, atëherë do të kishte qenë më mirë që të ishte mandatuar ICTY me këtë. Por unë shtroj pyetjen, se ndërkohë që edhe në ICTY ka pasur disa procese lidhur me Kosovën, atëherë përse duhej trajtuar edhe një herë ky kapitull i Kosovës? Unë e konsideroj këtë në një farë mënyre si diskriminim të Kosovës. Është e vetëkuptueshme, që në rajone të veçanta edhe mund të ngrihen pretendime për raste të caktuara duke kërkuar, që të zbardhen ato në nivel lokal, pasi nuk kanë mund të përmbyllen në një gjykatë ndërkombëtare. Por në rastin e Kosovës unë nuk i kuptoj arsyet dhe kjo më duket si diskriminuese.

Wolfgang Schomburg (69 vjeç) ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë në Karlsruhe dhe në vitet 2000-2008 i pari gjyqtar gjerman në Tribunalin e Hagës. Ai ka qenë gjithashtu gjyqtar deri në vitin 2008 në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ruandën në Arusha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button