Kronika

Gjykatësi që çoi Vladimir Gjutën në psikiatri: Burgu nuk i solli edukimin!

Njeriu që u akuzua për sulmet me tritol ndaj farmacisë së Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u konsiderua i papërgjegjshëm për gjendjen e tij mendore nga gjykata. Pavarësisht dënimeve thuhet në vendim, ky person nuk ka ndryshuar, ndaj “paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pasi është recidivist specifik dhe recidivist i përgjithshëm”. Vendimi i Gjykatës është publikuar sot në GSh.al.

VENDIMI I GJYKATES

Gjykata vlerëson se ndaj shtetasit Vladimir Gjuta duhet të vendoset masa mjekësore “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”. Kjo për faktin pasi sikurse u theksua më lartë qëllimi i masave mjekësore nuk është vetëm kurimi dhe shërimi i personave që kanë kryer vepra penale, por ka si qëllim dhe parandalimin e këtyre personave për të kryer vepra të tjera. Gjatë gjykimit u provua se shtetasi Vladimir Gjuta është dënuar pesë herë, ku dy herë është dënuar për të njëjtën vepër penale.

Po ashtu, rezulton se ky shtetas është dënuar pothuajse çdo vit për një vepër penale, duke filluar që nga viti 2011. Kjo tregon se shtetasi Vladimir Gjuta paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pasi është recidivist specifik dhe recidivist i përgjithshëm dhe kjo tregon se çdo lloj dënimi i dhënë ndaj tij edhe kur ka qenë i përgjegjshëm nuk ka arritur të sjelli tek ai edukimin me frymën e respektimit të ligjit dhe parandalimit për kryerjen e veprave të tjera në të ardhmen.

Ndodhur në këto kushte, përsa kohë shtetasi Vladimir Gjuta ka reflektuar rrezikshmëri të lartë shoqërore kur ka qenë i përgjegjshëm, në kushtet kur tashmë ai vuan nga sëmundje mendore rrezikshmëria e tij rritet më tepër, duke qenë se sëmundja e tij mendore është e tillë që ulë aftësinë e tij për të kuptuar dhe parandaluar kryerjen e veprave të tjera penale në të ardhmen.

Prandaj, Gjykata vlerëson se masa mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” parashikuar nga neni 46 i Kodit Penal e rekomanduar në Aktin e Ekspertimit Psikiatriko-Ligjor Nr. 254, datë 26.07.2016 “Mbi ekzaminimin e shtetasit Vladimir Gjuta”, të realizuar nga ekspertët e mjekësisë ligjore, është me e përshtatshme dhe në përputhje me provat e tjera të administruara gjatë gjykimit, që tregojnë rrezikshmërinë e lartë të shtetasit Vladimir Gjuta.

PËR KËTO ARSYE:

Gjykata, bazuar në nenet 379 të K.Pr.Penale dhe nenet 17, 46 dhe 328 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenet 17, 46 dhe 323/1 të Kodit Penal,

VENDOSI:

  1. Caktimin e masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” ndaj shtetasit VladimirGjuta parashikuar nga neni 46 i Kodit Penal
  2. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
  3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apeli Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.

AKUZAT

Vladimir Gjuta akuzohet për dhunë në familje dhe largim nga vendi i qëndrimit për të burgosur. Ndërkohë që ai ka qenë i dyshuar edhe për vendosjen e tritolit në farmacinë e babit të ministrit të brendshëm, Sajmir Tahiri, e për këtë arsye ka qëndruar për gati një vit në paraburgim. Duke parë veprimet e tij, ekspertet mjekoligjor, përcaktuan se Gjuta vuan nga çrregullime serioze që kategorizohen deri në papërgjegjshmëri të veprimeve. Gjuta akuzohet për dhunë dhe largimin nga arresti i shtëpisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button