Goditje kundër vjedhësve shqiptarë falë bashkëpunimit ndërkombëtar
105 raste vjedhjesh në Gjermani dhe në Francë janë zbardhur dhe shkojnë në llogari të këtij grupi shqiptarësh. Vlera e dëmit të shkaktuar është rreth gjysmë milionë euro.
Gazeta “Badische Zeitung” i kushton një artikull në numrin e së mërkurës (11.07) rastit të arrestimit të një grupi vjedhësish nga Shqipëria, që vepronin në jug të Gjermanisë dhe në Francë. Aksioni ishte i koordinuar mes autoriteteve franceze, atyre gjermane, Europolit dhe policisë shqiptare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi u realizuan në fillim të korrikut një seri kontrollesh nëpër shtëpi dhe restorante në Shqipëri, ku janë seksuestruar sende të vjedhura si dhe prova të tjera për veprimet e grupit. Vlerësimi i sendeve dhe provave do të pasojë. Si të dyshuar për vjedhjet janë marrë në arrest hetimor ndërkohë pesë persona.
Hetime afatgjata
Kontrolle janë kryer edhe në Gjermani në Ortenau, në Offenburg, ku brenda korrikut do të hapen proceset gjyqësore. Hetimet e kanë pasur fillesën e tyre, sipas një njoftimi të Prokurorisë, të Presidiumit të Policisë në Offenburg dhe Europolit, në fillim të vitit 2017, pasi në zonën e Rastatt, Offenburg dhe Freiburg ishin shtuar vjedhjet nëpër shtëpi. Atëherë qe arrestuar një nënshtetas shqiptar, ndërkohë që dyshimi ndaj dy shqiptarëve të tjerë nuk u provua tërësisht. Ndërkaq edhe autoritetet franceze hetonin ndaj një grupi shqiptarësh, që ishte i specializuar për vjedhje nëpër shtëpi në Europë. Në janar 2018 në Gjermani u arrestuan tre shqiptarë, pasi informacioni vinte nga autoritetet franceze të hetuesisë, që kishin vrojtuar se si grupi po e shtrinte veprimtarinë edhe në Gjermani. Hetimet e përbashkëta çuan në mars 2018 në gjurmët e një personi tjetër, që u arrestua në Paris. Gjatë këtyre proceseve arritën të zbardhen shumë vjedhje të kryera nëpër shtëpi.
Kontrolle edhe në Shqipëri
Duke pasur dyshime, që në grup vepronin edhe persona të tjerë hetimet u zgjeruan në bashkëpunim me Europolin e me policinë shiptare. Si rrjedhojë janë kryer dy takime pune nën drejtimin e Autoritetit Policor të Bashkimit Europian mes shteteve të prekura Gjermanisë, Francës si dhe Shqipërisë. Në këto takime janë përpiluar strategjitë e përbashkëta të veprimit. Puna efektive u mundësua edhe nga mbështetja financiare prej Zyrës Federale të kriminalistikës dhe nga projekti i BE-së, PRINZ. Ky projekt është pjesë e fondit të BE-së për sigurinë e brendshme.
Në kuadër të aksionit të emërtuar “Joint Action Day” u realizuan kontrolle në nëntë shtëpi në Shqipëri. Policia shqiptare veproi e autorizuar dhe me mbështetjen e autoriteteve hetimore franceze dhe gjermane si dhe nga Europoli. Në Shqipëri është arrestuar edhe një person, i cili do të përgjigjet para gjyqit në Tiranë për vjedhje të kryera në vitin 2017 në Europë. Grupi i shqiptarëve dyshohet të ketë kryer rreth 60 akte penale në Gjermani dhe 45 në Francë. Krahas parave cash janë vjedhur edhe bizhuteri e orë. Përmes hetimeve financiare janë zbuluar transfertat në para si dhe personat e tjerë të involvuar të grupit, prej më shumë se 40 vetësh. Aksioni i sukseshëm jashtë territorit të BE-së në Shqipëri, sipas deklaratës së shtypit, u bë i mundur falë mbështetjes nga Europoli në Hagë, shkruan “Badische Zeitung”.