Gonxhja: 7,65 miliardë lekë për Turizmin, Kulturën dhe Sportin në vitin 2027, rritje me 3,5%
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi se “për herë të parë në historinë e Shqipërisë, projektbuxheti i vitit 2027 tejkalon 10 miliardë euro, në një moment vendimtar të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian”.
Në një videomesazh të publikuar sot në rrjetet sociale, Gonxhja vuri në dukje se, ekonomia e shprehur në prodhimin e brendshëm bruto është trefishuar, duke arritur në 30 miliardë euro. Papunësia dhe borxhi publik zbritën në nivel historik, më shumë investime vendase e të huaja, më shumë të ardhura pa i rritur taksat.
Ai theksoi se rritja e buxhetit synon një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit, përmes rritjes së pagave, pensioneve dhe mbështetjes sociale, mbështetjes për familjet e reja me bonus mujor për fëmijët deri në 5 vjeç; dyfishim të mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara; rrite e bursave për studentët në nevojë. Ndërkohë që shtohen fondet për arsimin, shëndetësinë dhe strehimin e përballueshëm, si dhe programeve për familjet e reja dhe kategoritë në nevojë.
Duke u ndalur specifikisht tek institucioni që drejton, Gonxhja tha se projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit parashikon 7,65 miliardë lekë, me një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2026. Ministri bëri të ditur se financimi synon zgjerimin e investimeve në kulturë, trashëgimi kulturore, sport dhe mbështetjen e të rinjve.
“Kultura, turizmi, rinia dhe sporti marrin një dimension të veçantë: si sektorë që ruajnë dhe promovojnë vlerat tona kombëtare, krijojnë mundësi të reja zhvillimi shoqëror e ekonomik, duke forcuar imazhin tonë edhe ndërkombëtarisht”, u shpreh Gonxhja. Sipas tij, financimi për kulturën në vitin 2027 arrin në 5,45 miliardë lekë, gati katër herë më shumë se në vitin 2013. Ndërsa për trashëgiminë kulturore dhe muzetë janë parashikuar 2,08 miliardë lekë, me një rritje prej 80%.
“Kjo do të thotë më shumë monumente të restauruara, banesa historike të shpëtuara dhe kulla tradicionale të rijetësuara që jo vetëm ruajnë historinë tonë, por nxisin turizmin, ekonominë lokale dhe energjizojnë komunitetet”, tha Ministri.
Gonxhja bëri të ditur se do të vijojnë investimet në Teatrin e ri Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe rrjetin e kinemave publike në shtatë bashki.
Ai nënvizoi gjithashtu se “financimi për institucionet e artit dhe kulturës është rritur me 322% krahasuar me tre vite më parë, ndërsa parashikohen 106 pozicione shtesë për profesionistët e kulturës dhe një rritje prej 21,7% e financimit për projektet artistike në vitin 2027, përmes Fondit të ri Kombëtar për Artin”.
Një tjetër prioritet i buxhetit të MTKS është sporti, për të cilin Gonxhja theksoi se “financimi parashikohet të rritet me 73%, me synim mbështetjen e talenteve të reja dhe përmirësimin e rezultateve sportive”.
Sa i përket rinisë, ministri tha se fokusi do të jetë tek aftësimi, punësimi, kreativiteti dhe zgjerimi i mundësive për vajzat dhe të rinjtë në zonat rurale.
“Ky është edhe dimensioni njerëzor i Buxhetit 2027, me në qendër qytetarin, këtu, në atdheun e një jete më të mirë, më të pasur në mundësi e ku askush nuk lihet pas”, përfundoi Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.