Europa

Goodbye Europe – euroskeptikët britanikë në pararojë

Përsëritja e votimeve në qytetin e vogël Rochester do të ishte e parëndësishme, nëse nuk do të pasqyronte një spostim të politikës britanike djathtas. Votimi përsëritet pasi një deputet konservator kaloi në anën tjetër.

Një ditë para hapjes së qendrave të votimit kandidati, mbase në një lloj euforie para fitores, tha më tepër se duhej. Në një intervistë në radio i pyetur, nëse të gjithë emigrantët nga Europa Lindore do të dërgohen në shtëpitë e tyre në rast të daljes së Britanisë së Madhe nga BE, Mark Reckless i Uk Indipendence Party (UKIP) tha: “Ne kemi nevojë për një lloj periudhe kalimtare dhe ne duhet që njerëzve, të cilët momentalisht ndodhen këtu, t’u japim të paktën një leje pune për një periudhë të caktuar”, që do të thotë, se atëherë pas skadimit të saj ata do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kjo duhet të vlejë për shembull për rreth 700.000 polakët, shumë prej të cilëve jetojnë prej vitesh në ishujt britanikë.

Këto janë shprehje të djathta radikale, qortime nuk erdhëm vetëm nga partia opozitare Labour Party, por pati një stuhi të vërtetë mediatike. Kryetarit të UKIP Nigel Farage iu desh të relativizonte shpejt ato, që u thanë: Kandidatit i janë bërë shumë pyetje. Ai ka qenë i hutuar. Partia nuk do në asnjë mënyrë që t’i kthejë të gjithë emigrantët, por vetëm të ndalojë ardhjen e të tjerëve. Kryetari i partisë nuk dëshiron të shkojë kaq në ekstrem, megjithëse parullat kundër Europës dhe emigrantëve i kanë sjellë një sukses të mahnitshëm politik kohët e fundit.

David Cameron
David Cameron

Sepse që kur sondazhet parashikojnë një fitore të qartë për UKIP në votimet e përsëritura në qytetin Rochester në lindje të Anglisë dhe në këtë mënyrë mund t’i sigurojnë edhe një deputet të dytë në dhomën e ulët, fushata e zgjedhjeve lokale atje dominon titujt e gazetave britanike, sepse këto votime shihen si provë për të ardhmen e peisazhit partiak në vend.

Sukses i një deputeti, që është larguar nga konservatorët

Ajo që e bën historinë më interesante, është se kandidati Mark Reckless, vjen nga konservatorët dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar vetë përsëritjen e votimit. Kur ish deputeti nga Tory (partia konservatore) në fillim të konferencës vjetore të partisë konservatore në shtator ndryshoi papritur anë, kryetari i partisë David Cameron në inat e sipër e quajti “gomar të trashë”.

Por të gjitha sharjet nga ish kolegët e partisë së tij si “dezertor i pamoralshëm, hipokrit dhe oportunist pa parime”, nuk e penguan dot daljen e tij si kandidat për UKIP. Tani ai me sa duket do t’u shkaktojë atyre një humbje tjetër në Rochester, që kanë qenë deri tani në duar të konservatorëve.

UKIP rrezikon shansin e konservatorëve
UKIP rrezikon shansin e konservatorëve

Ndërsa partia e madhe në pushtet është në panik. Sepse duket se strategjia e kryeministrit David Cameron nuk ka sukses dhe fitorja në zgjedhjet parlamentare të pranverës së ardhshme bëhet gjithmonë e më e pasigurtë. Që në dimrin e vitit të kaluar Cameron kishte filluar të përqafonte euroskeptikët në krahun e djathtë të konservatorëve tij, me qëllim që të ndalte suksesin e UKIP. Në fjalimin e tij për Evropën në shkurt kryeministri deklaroi se pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2015 ai do të mbante një referendum në lidhje me anëtarësinë e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, dhe se do të rinegocionte kushtet nga e para. Meqë Britania prej kohësh është një anëtar me rezerva, shoku prej kësaj në pjesën tjetër të Evropës nuk ishte aq i madh.

Cameron luan me anëtarësinë e Britanisë së Madhe në BE

Pas suksesit zgjedhor të UKIP në zgjedhjet e fundit evropiane, ku kundërshtarët e BE-së fituan shumicën e vendeve duke i çuar konservatorët në vendin e tretë, Cameron përpiqet të realizojë kërkesat populiste të partisë gati djathtas.

Angela Merkel kundërshton politikën e Cameronit për EVropën
Angela Merkel kundërshton politikën e Cameronit për Evropën

Kryetari i qeverisë bën gjithçka për t’u treguar qytetarëve të tij se sa eurokritik është, më së fundmi duke kërkuar një lloj moratoriumi, apo një sistem kuotash për lejimin e emigrantëve nga shtetet anëtare të BE. Kancelarja gjermane Angela Merkel, nga e cila Cameron kishte shpresuar vazhdimisht mbështetje, e refuzoi: liria e lëvizjes nuk shtrohet për diskutim, tha ajo. Pas kësaj ish kryeministri konservator John Major kërkoi në Berlin edhe një herë mirëkuptim për pozicionin britanik. Një grup parlamentar gjerman përsëriti edhe një herë në Londër qëndrimin gjerman. Në fakt Berlini gjithmonë ka theksuar, se është i interesuar që britanikët të qëndrojnë në BE, por ndërkohë pozicionet e qeverisë proevropiane gjermane dhe të udhëheqjes euroskeptike të Britanisë së Madhe, po bëhen gjithnjë e më të kundërta. David Cameron e përdor anëtarësinë e vendit të tij në BE si kartë në pokerin për ruajtjen e pushtetit në Londër dhe përsëritja e votimeve në qytetin e vogës Rochester mund të luante një rol vendimtar për konservatorët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button