Politika

Gradat përçajnë mazhorancën, Ndreu braktis mbledhjen: S’jam ushtar

Kuvend

Debate në Komisionin e Sigurisë për ligjin e SHKB-së për uljen në gradë për një vend pune

Pjerin NdreuDiskutimet për projektligjin e ri të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm përçajnë mazhorancën në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Gjithçka nisi nga një deklaratë e zëvendësministrit të Brendshëm, Ilir Mustafaraj, në shqyrtimin e nenit 73 që ka të bëjë me gradat, i cili deklaroi se punonjësit e policisë dhe të këtij shërbimi pranojnë vullnetarisht uljen në grada për të mbajtur ose për të kapur një vend pune. “Është një artificë për të rregulluar personelin për shkak të vendeve të vogla që ka. Është vendosur ulja e gradave për të kapur një vend pune më të ulët. Është e vërtetë që grada ulet me vendim gjykate, por që heq dorë vullnetarisht, është për t’u diskutuar. Po të doni pranojeni po të doni jo. Është për të zgjidhur një problematikë”, tha Mustafaraj. Kaq ka mjaftuar që ky nen të haste në kundërshti të ashpra nga deputetët e mazhorancës në komision Pjerin Ndreu e Luan Rama, e më pas edhe nga deputetët e opozitës, të cilët deklaruan se heqja e gradave vullnetare është shkelje e principeve në polici dhe ushtri. “Për të disatën herë diskutojmë çështjen e gradave. Grada fitohet nuk dhurohet dhe nuk ka se si të ulet në mënyrë vullnetare. Nëse mbetet siç është, kjo është një shkelje e të gjitha principeve. Argumenti që u përdor s’ka sens. Heqja e gradave vullnetare nuk ka as në ushtri as në polici. Kjo është absurd, dhe pse është absurd shqiptar, ta nisim këtë ndryshim. Të heqim këto lloje shpikjesh pa vend. Hajde ul gradën që të gjesh punë. Kjo gjë nuk duhet përdorur në Komisionin e Sigurisë”, tha deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu. Ndërsa socialisti tjetër, Taulant Balla, u kërkoi kolegëve që ta lënë këtë nen siç është, pasi kjo çështje sipas tij, rregullohet me ligjin e gradave dhe për këtë ai propozoi ngritjen e një komisioni bipartizan për mbikëqyrjen e ndryshimeve të gradave. Por Balla do të tërhiqej nga ky propozim pas replikës së deputetit të LSI-së, Luan Rama. “Meqë janë dhe grada të pamerituara, dhe për arsye shpeshherë politike është gjetur kjo artific. Marrë shkas nga ajo që tha Taulanti, nuk ka vend që ka një ligj bazë për gradat, nuk ka asnjë vend të NATO-s. Nuk e pengon kjo gjë, ne kemi në proces edhe ligjin për Policinë e Shtetit”, tha Rama. Debatet e shumta kanë bërë që kryetari i komisionit, Spartak Braho, ta hedhë në votim tri here rresht këtë nen, por rezultati i barabartë solli vendimin që në Parlament të dorëzohen të dyja variantet. Deputeti i majtë, Pjerin Ndreu, i cili kërkoi i pari rrëzimin e këtij neni u largua nga salla duke u shprehur i pakënaqur për këtë votim, ndërsa ka shtuar se nuk është ushtar. “Kujtoni se jam ushtar unë, i bëni votat si të doni ju”, tha Ndreu. Ndërkohë, deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën dhe kryetarin e Komisionit për manipulim të qëllimshëm të votimit të këtij projektligji. “Ky manipulim vote është i turpshëm, s’mund të marr pjesë në këto lloje mbledhjesh unë”, tha deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili u largua menjëherë nga salla e komisionit.

HERION MESI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button