Graniq: Nuk ka negociata për kufirin tokësor me Malin e Zi, Kroacia do të jetë “e fortë si guri”
Këshilltari i posaçëm i kryeministrit kroat, Mate Graniq, deklaroi për HRT-në se kufiri tokësor me Malin e Zi është përcaktuar nga Komisioni i Badinterit dhe për të nuk ka negociata, ndërsa demarkacioni detar mund të zgjidhet me bisedime bilaterale ose përmes një procesi juridik ndërkombëtar.
Këshilltari i posaçëm i kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, Mate Graniq, ka deklaruar se për kufirin tokësor mes Kroacisë dhe Malit të Zi nuk ka asnjë negociatë, duke shtuar se Kroacia do të jetë “e fortë si guri” në këtë çështje, siç njofton Vijesti.
Në intervistën për televizionin kroat HRT, Graniq kujtoi se Plenkoviqi ka theksuar disa herë tetë çështjet që Mali i Zi duhet t’i zgjidhë para pëlqimit kroat për anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian, dhe se ndër pikat më të rëndësishme është ajo e kufirit. “Kufiri tokësor është përcaktuar me vendimin e Komisionit të Badinterit të 7 dhjetorit 1991, sipas të cilit kufijtë republikanë u bënë kufij shtetërorë”, ka thënë ai, sipas raportimit të Vijesti.
Duke kujtuar negociatat e viteve ’90, Graniq foli edhe për propozimin e shkëmbimit territorial që Sllobodan Millosheviqi i kishte bërë Franjo Tugjmanit gjatë negociatave të Dejtonit, si dhe për refuzimin e palës kroate për të negociuar për Prevlakën gjatë bisedimeve të mëvonshme me udhëheqjen e atëhershme serbe.
Sa i përket demarkacionit në det, Graniq vlerësoi se çështja mund të zgjidhet me negociata bilaterale, por edhe me një proces juridik ndërkombëtar, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit në Hamburg ose një arbitrazh ad hoc, përcjell HRT-ja.
Ai paralajmëroi gjithashtu për praninë e interesave ruse dhe serbe në Mal të Zi, të cilat, sipas tij, nuk duhen nënvlerësuar. “Interesat ruse dhe ato serbe janë edhe tani fuqishëm të pranishme në Mal të Zi, por sa i përket kufirit tokësor, Kroacia do të jetë e fortë si guri — për të nuk ka negociata”, ka theksuar Graniq.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.