Ekonomia

Grantet për fermerët, 13 sipërmarrës kanë përfituar nga skema e financimeve

Të paktën 13 sipërmarrës në bujqësi kanë përfituar nga skema e granteve të programit Sared, bashkëfinancuar nga qeveria gjermane dhe daneze, me një vlerë investimi prej 270 mijë eurosh, nga e cila 180 mijë euro përfitohet si grant.

Aplikantët fitues të granteve për investim në ferma dhe agropërpunim vijnë nga zonat e thella rurale nga gjashtë qarqe të Shqipërisë: Shkodra, Kukësi, Dibra, Elbasani, Berati dhe Korça.

“Programi mbështet zonat e paavantazhuara, por që mbartin potencial, veçanërisht sa i përket kombinimit të bujqësisë dhe agroturizmit. Një pjesë e madhe e investimit do të shkojë për pemëtarinë dhe përpunimin e qumështit”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“Gjermania e mbështet sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin rural, sepse është e bindur që ka akoma një potencial shumë të madh për rritje, sidomos në sektorin e punësimit dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve”, tha Hans Juergen Cassens, drejtor i zyrës së GIZ në Shqipëri.

Thirrja e parë për aplikim për grante u hap në muajin prill, kur u dorëzuan 41 aplikime gjithsej dhe vazhdon të mbetet e hapur deri më 31 korrik.

Thirrja e dytë do të hapet më 1 shtator 2015 dhe do të vijojë për 5 muajt në vazhdim. Një nga përparësitë e skemës është mbështetja për gratë dhe sipërmarrësit e rinj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button