Gratë, dy herë më të rrezikuara sesa burrat nga ankthi
Kërkimi nga Universiteti i Cambridge-s, i cili bëhet me qëllim që të kuptohet shpërndarja dhe tendencat e shqetësimeve më të zakonshme që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, vuri në dukje si problem frikën dhe prirjet për të shmangur situata stresuese, siç janë takimet sociale
Gratë rrezikojnë dyfishin e probabilitetit të burrave që të pësojnë sulme nga ankthi. Ky është përfundimi nga një studim i Universitetit të Cambridge-s, që analizoi dhe krahasoi mes tyre 48 raporte shkencore, të realizuara në vende të ndryshme mes viteve 1990-2010.
Kërkimi, i cili bëhet me qëllim që të kuptohet shpërndarja dhe tendencat e shqetësimeve më të zakonshme që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, vuri në dukje si problem frikën dhe prirjet për të shmangur situata stresuese, siç janë takimet sociale. Të tilla sjellje kanë prirje që të prekin përgjithësisht femrat.
“Shqetësimi nga ankthi mund ta bëjë jetën jashtëzakonisht të vështirë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të kuptohet sesa ky problem i prek njerëzit dhe cilët janë më të rrezikuar”, deklaroi Olivia Remes, autorja e studimit të publikuar në revistën “Brain and Behaviour”. Nga ky studim rezultoi se Europa Perëndimore dhe Amerika e Veriut janë vendet ku regjistrohen rastet më të shumta.
Ankthi, si një problem shëndetësor, mund të komprometojë marrëdhëniet sociale. Sipas kërkimit, ankthi bëhet më i pranishëm gjatë dhe në periudhën menjëherë pas shtatzënisë. Në bashkëjetesë me sëmundjet e tjera, përveç kësaj, i shton nivelet por edhe në këtë rast gjendet një diferencë e tillë. Nga përfundimet e arritura, një ndër dhjetë të rritur, i cili është i prekur nga problemet me zemrën, i është dashur që të luftojë edhe kundër ankthit. Megjithatë, gratë janë goditur nga kjo sëmundje gati dy herë më shumë sesa burrat.
Rezultatet treguan që të rinjtë nën 35 vjeç regjistruan nivele ankthi në mënyrë joproporcionale krahasuar me tendencat e përgjithshme.
Paqëndrueshmëria ekonomike, problemet në punë dhe në familje janë shumë të pranishme deri në atë moshë dhe ato minojnë ekuilibrat mendorë.
Por gratë të cilat janë nën 35 vjeçe nuk duhet që të dëshpërohen. Sipas përfundimeve rezulton se ka një luftë të pabarabartë kundër një të keqeje, me të cilën ato janë të detyruara që të jetojnë.
Për studiuesit ky ishte hapi i parë i një kërkimi, për të gjetur ndërhyrje më efikase që ankthi të mos të jetë më një pengesë në jetën tonë.