Kronika

Grekët i ofrojnë para familjes së Ilia Karelit

Mbrojtësit ligjorë, vizitë te shtëpia e Kudret Kumes në Fier

Avokatët grekë kanë kërkuar nga nëna dhe vëllai i Karelit firmosjen për mosndjekjen e hetimeve

Dhuna-ndaj-Ilia-Karelit-51

Gardianët që torturuan deri në vdekje Ilia Karelin në burgun e Nigritës në Greqi, kërkojnë të blejnë heshtjen e familjarëve, duke u ofruar para. Lajmi është bërë i ditur nga Artur Braka, një kushëri i viktimës, i cili thotë se disa ditë më parë, në Zhupan të Fierit, në shtëpinë e familjes së Kudret Kumes (Ilia Karelit) kanë shkuar dy avokatë grekë. Ata janë prezantuar si mbrojtësit ligjorë të gardianëve që akuzohen për vdekjen e Karelit. Braka pretendon se avokatët u kanë ofruar një shumë të konsiderueshme parash vëllait dhe nënës së Karelit, në mënyrë që familjarët të heqin dorë nga ndjekja e hetimeve në Greqi për vrasjen e 40-vjeçarit shqiptar.

Artur Braka ka rrëfyer për gazetën “Shqip”, se avokatët janë takuar me vëllain e Karelit për ta bindur këtë të fundit që të firmosë disa dokumente, që kërkonin mbylljen e hetimeve. Pavarësisht kësaj, thuhet se familjarët nuk e kanë pranuar një ofertë të tillë, por kërkojnë zbardhjen e së vërtetës. Artur Braka është një kushëri i afërm i Ilia Karelit. Ai ka ndjekur nga afër të gjithë procesin hetimor dhe ka qenë në Greqi, në momentet që është tërhequr trupi prej andej për në Shqipëri. Nuk ka shumë besim që e vërteta do të zbardhet dhe që drejtësia greke do të dënojë personat, të cilët i morën jetën kushëririt të tij. Madje, ai tregohet mjaft skeptik edhe për ekspertizën që po i bëhet zemrës së tij nga pala shqiptare. “Nuk besoj se vrasja do të zbardhet, ndonëse ne jemi të vendosur që ta ndjekim çështjen deri në fund. Pala greke po bën të pamundurën që e gjithë kjo histori të mbyllet. Disa ditë më parë, në banesën e Ilia Karelit kanë shkuar dy avokatë. Ata janë prezantuar si mbrojtës ligjorë të gardianëve që akuzohen për vrasjen e kushëririt tim. Qëndruan një kohë të shkurtër në Zhupan dhe u takuan me vëllain e Ilias. Ata ofruan para, që familja të heshtë dhe të mos ndjekë hetimet në Greqi”, shprehet kushëriri i 40-vjeçarit. Personi në fjalë ka dhënë disa detaje në lidhje me bisedën që është zhvilluar në shtëpinë e familjes së Karelit. Braka thotë se gjatë gjithë kohës, avokatët janë përpjekur që të bëjnë një “pajtim” mes familjes së viktimës dhe gardianëve. Një qëllim të tillë kanë dashur që ta legjitimojnë, me anë të disa dokumenteve që kishin sjellë më vete. “Avokatët kishin këmbëngulur që familja e Karelit të firmoste disa dokumente, të cilat kishin të bënin me heqjen dorë nga hetimet. Nëse vëllai dhe pjesëtarët e tjerë të familjes do të firmosnin, atëherë nuk do të shkonin më në Greqi për të ndjekur proceset gjyqësore, në lidhje me vrasjen e Ilias”, tregon Braka. I pyetur për shumën e parave që kanë ofruar avokatët grekë, Artur Braka thotë se nuk është në dijeni të këtij detaji. “Nuk është se unë di shumë detaje për takimin që është zhvilluar mes tyre. Nuk kam qenë i pranishëm. Këtë informacion që po të them, e kam prej vëllait të tij. Ai më tregoi arsyen e vizitës së avokatëve grekë në Shqipëri. Gjithashtu nuk di të them diçka ekzakte për shumën e parave që u janë ofruar. Avokatët kanë tentuar që t’u mbushin mendjen, duke u thënë se Ilia Kareli ka vdekur tashmë dhe se nuk kanë çfarë kërkojnë, pasi ai nuk vjen më në jetë”, tregon Artur Braka për gazetën “Shqip”.

Braka ka folur edhe për ekspertizën e zemrës së Ilia Karelit, e cila është duke u bërë në Shqipëri. Ai thotë se nuk kanë marrë asnjë informacion për këtë fakt. “Nuk di fare se çfarë është bërë me zemrën e tij. Di vetëm që erdhi në Tiranë, por që prej asaj kohe, nuk kemi marrë asnjë informacion”, e mbyll rrëfimin ai. Ilia Kareli u gjet më 27 mars 2014 pa shenja jete në qelinë e burgut të Nigritës të Greqisë, ku ishte transferuar për izolim pas vrasjes së gardianit në burgun e Malandrinos, për t’u mbrojtur nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Menjëherë, trupi i pajetë u dërgua në morg për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore. Rezultatet e autopsisë së trupit të të dënuarit shqiptar tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë treguan se 40-vjeçari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Po ashtu, mjekët kanë thënë se ai kishte shenja dhune në duar dhe mendohet se i është nënshtruar elektroshokut. Po sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, ndërkohë që shtohet se shqiptari është torturuar. Torturat çnjerëzore që ishin bërë në trupin e 40-vjeçarit, tronditën rëndë opinionin grek dhe atë shqiptar.

Mjekësia Ligjore

Ilia Kareli do të prehet pa zemër, hetimi në Fier me ekspertimin grek

Zemra e Ilia Karelit ka shumë mundësi që të mos vendoset kurrë pranë trupit të tij që prehet në varrezat e fshatit Zhupan të Rrethit të Fierit. Kjo, pasi pas dështimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Tiranës për kryerjen e krahasimit të ADN-së së zemrës së marrë prej hetuesve shqiptarë në Greqi me atë të indeve të marra nga trupi i Ilia Karelit, prokuroria nuk mund të gjejë në vendin tonë një institucion më të specializuar që mund ta kryejë këtë ekspertim. Kjo u bë e ditur pak ditë më parë nga burime të organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se për shkak të moskonkludimit të Mjekësisë Ligjore shqiptare ndaj faktit nëse zemra që mbërriti prej shtetit helen ishte ose jo e Karelit, janë të detyruar që hetimin ta mbështetin në ekspertimin mjekoligjor grek. Në këto kushte, do të mbeten të pazbuluara mjaft dyshime të ngritura fillimisht prej akuzës shqiptare.

Silvana Muça

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button