Rajoni

Greqi: e vërteta vjen më vonë

Gjithçka ka një fund, edhe programi i ndihmave për Greqinë. Askush nuk dyshon që ky vend i përfshirë nga kriza do të ketë nevojë për ndihmë tjetër, pas përfundimit të programit në fund të vitit. Troika bisedon në Paris.

Antonis Samaras Yannis Stournaras 18.03.2014

Së shpejti mbushen pesë vjet, që kur Greqia e mbytur në borxhe e ka futur BE në një krizë të thellë. Që atëherë, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe nga BE në Athinë kanë rrjedhur 240 miliardë euro kredi emergjence. Veç kësaj, kreditorëve privatë iu desh të falin 107 miliardë euro kërkesa.

Të gjitha këto ndihmuan pak. Sot Athina përballet me një barrë borxhesh prej rreth 320 miliardë eurosh. Kjo i përgjigjet rreth 180 përqind të rendimentit ekonomik të Greqisë. Kuota e borxheve në këtë mënyrë është shumë më e lartë se sa para shpërthimit të krizës. Përpara këtij mali borxhesh, teprica primare prej 1,5 miliardë eurosh, pra teprica në buxhet pa barrën e interesave, është një pikë ujë në oqean.

“Ne vazhdojmë të kemi në Greqi papunësinë më të lartë në Evropë. Kemi një ekonomi, e cila ecën me marshin mbrapsht që në vitin 2008. Me tepricën e vogël ne duhet të pëballojmë edhe gjithë interesat dhe barrën e borxheve. Kështu kjo punë nuk ka për të funksionuar”, thotë ekonomisti dhe menaxheri i fondit, Max Otte në bisedë me DW. Edhe Joachim Scheide nga Instituti i Kilit për Ekonominë Botërore beson se Greqia nuk do të jetë në gjendje në fund të vitit, kur të mbarojë programi i ndihmës që të çlirohet me forcat e veta nga mali i borxheve. Ai është për një falje tjetër borxhesh, për një falje të vërtetë: “Më mirë të llogarisësh një përmasë te rreth 50 përqind, se sa dhjetë ose 20 përqind.”

Kjo falje borxhesh duhet të shoqërohet nga një politikë solide e buxhetit dhe një rimodelim i strukturës ekonomike. Por për grekët barra nuk do të ishte më e pranishme. “Pastaj ata mund të përqendrohen në projekte të tjera, që nxisin më tepër rritjen. Atëhere mund të kemi me të vërtetë një ristartim”, i thotë Scheide DW.

Meqenëse qeveritë e vendeve donatore nuk preferojnë që zgjedhësit t’i akuzojnë se hedhin para në një fuçi pa taban, një paketë e tretë ndihmash për Greqinë nuk do të jetë e lehtë të aprovohet. “Do të ndiqet një strategji tjetër, e cila nuk përfshin drejtpërdrejt taksapaguesin”, thotë Scheide. Kjo strategji tjetër do të thotë: ulje interesash dhe zgjatje afatesh. Ekspertët e quajnë një falje të butë dhe graduale të borxheve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button