Greqi: nga 1 nëntori, punëdhënësit detyrohen ta shpallin pagën në njoftimet e punës
Nga 1 nëntori të gjithë punëdhënësit në Greqi duhet ta bëjnë të ditur që në fillim pagën e ofruar në njoftimet e punës, bashkë me shpërblimet dhe përfitimet shtesë, ndërsa u ndalohet t'i pyesin kandidatët për pagën e tyre të mëparshme.
Nga 1 nëntori, të gjithë punëdhënësit në Greqi detyrohen ta bëjnë të ditur që në fillim pagën që u ofrojnë kandidatëve për punë, duke e shkruar atë në njoftimet e tyre, siç njofton ERT. Synimi i rregullave të reja është paga e barabartë për punë të barabartë.
Njoftimet nuk do të kufizohen më vetëm te paga bazë, të cilën disa biznese e deklaronin edhe në të kaluarën, sqaron ERT në raportimin e saj: ato duhet të përmendin edhe shpërblimet (bonuset), shtesat dhe përfitimet shtesë që e shoqërojnë pozicionin, në mënyrë që kandidati të ketë një pamje të plotë të paketës së shpërblimit përpara çdo kontakti me punëdhënësin.
Paralelisht, punëdhënësve u ndalohet t’i pyesin kandidatët për pagat që merrnin në punën e tyre të mëparshme. Në këtë mënyrë, siç thekson ERT, paga që do t’u ofrohet kandidatëve nuk do të varet nga e kaluara e tyre pagësore.
Kandidatët fitojnë gjithashtu të drejtën të kërkojnë të dhëna për pagën e pozicionit për të cilin konkurrojnë, si edhe për dallimet në paga mes burrave dhe grave për atë pozicion.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.