Greqia lejon emigrantët shqiptarë të votojnë
Ministria greke e Punës ka njoftuar se nuk do të penalizojë emigrantët shqiptarë që marrin asistencë sociale nëse do të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Qarkorja, e cila lejon emigrantët shqiptarë të lëvizin drejt vendlindjes me rastin e votimeve, iu shpërnda gjithë zyrave të asistencës sociale në vend.
Në qarkore thuhet se afati i lëvizjes do të jetë për 5 ditë, duke filluar nga e premtja, datë 23 qershor. Ky afat është i vlefshëm deri të martën më datë 27 qershor.
Jashtë këtij afati rikthehen sanksionet dhe penalizimet sipas procedurave normale të shkeljes së afateve të parashikuara në ligj, sqarojnë burime nga kjo ministri.
Emigrantët shqiptarë duhet të bëjnë kujdes, pasi lëvizja lejohet vetëm për pikat kufitare me Shqipërinë dhe vetëm në afatet e përcaktuara prej kësaj ministrie.
Sipas ligjit grek, asistenca iu pritet të gjithë shtetasve grekë e të huaj që udhëtojnë jashtë vendit pa një arsye të veçantë si shëndetësore, vdekje, etj.
Çdo person që merr asistencë duhet të njoftojë më parë autoritetet vendase me shkrim dhe të marrë një leje të posaçme me afat kohor të përcaktuar.
Leja e posaçme iu mundësua emigrantëve shqiptarë, mbas interesimit të shprehur nga Ministria e Jashtme shqiptare, por edhe qëndrimit të kahershëm të Greqisë për mospengimin e lëvizjes në raste zgjedhjesh në vendet fqinje.
Për sezonin e pushimeve, kjo ministri njoftoi se do të japë sërish një leje tjetër, afatet e së cilës do t’i njoftojë gjatë muajit korrik.