Rajoni
Greva paralizon Greqinë, sindikatat kundërshtojnë reformat e Mitsotakis
October 2, 2019
0 1 minute read
Greqia është paralizuar prej orës 6 të mëngjesit të së mërkurës nga greva e përgjithshme 24 orëshe që ka thirrur Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve të Greqisë (GSEE) me pjesëmarrjen edhe të Konfederatës së Administratës së Përgjithshme të Greqisë (ADEDY) kundër reformave të qeverisë konservatore të Kyriakos Mitsotakis.
Për herë të dytë brenda dy javësh tragetet që lidhin Pireun me ishujt grekë kanë qëndruar të ankoruar dhe mjetet e shërbimit publik kanë funksionuar vetëm për disa orë, pas grevës së nëpunëseve të sektorit shtetëror javën e kaluar.
Në grevë përveç punonjësve të porteve marrin pjesë arsimtarët, nëpunësit e bankave, ndërtuesit, ndërsa spitalet funksionojnë me personel sigurie. Gjithë mediat televizive dhe radiofonike heshtin sot dhe gazetat për ditën e nesërme nuk do të qarkullojnë.
Sindikatat kundërshtojnë pjesë të legjislacionit të propozuar për punësimin dhe sindikalizimin që do të vështirësojë thirrjen e grevave, ndërsa përmban gjithashtu dispozita të pafavorshme për negociatat kolektive, përfaqësimin e sindikatave, pagën dhe kushtet e punës për mijëra të punësuar.
Ndërsa mijëra grevistë kanë marshuar në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke shkaktuar kaos dhe trafik të rënduar në pjesët e tjera të qyteteve, kryeministri Mitsotakis me një mesazh në rrjetin social në Facebook ka përkrahur projektligjin e qeverisë që udhëheq, pasi sipas tij edhe njëherë provohohet se në grevë marrin pjesë shumë pak sindikalistë, ndërsa shumica e qytetarëve torturohen nga ky veprim.
Nga ana e saj partia më e madhe opozitare, SYRIZA, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në grevë për të mbrojtur, siç thotë ajo, arritjet e sindikalistëve në vitet e kaluar të cilat qeveria kërkon t’i fshijë me një projektligj që shkel të drejtat elementare të punëtorëve.