Politika

Gruevski kundër Ramës: Protestat janë fetare, s’bëhen për Ohrin

Provokimi: Rama nuk do të jetë gjatë Kryeministër, të shohë se si jetojnë maqedonasit

Rama Gruevski 6 nentor

Partia e Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE në një deklaratë zyrtare ka kontestuar qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me zhvillimet për protestat e shqiptarëve pas vendimit të gjykatës për rastin “Monstra”. Për këtë parti në pushtet protestat e shqiptarëve nuk kanë lidhje me marrëveshjen e Ohrit, por ato janë të natyrës fetare. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka vendosur t’i hedhë benzinë zjarrit në vend. Një qëndrim ky që po acaron më shumë gjendjen tashmë të trazuar dhe të acaruar në Maqedoni.

VMRO-DPMNE deklaroi se protestat radikale që po ndodhin këtyre ditëve në Maqedoni nuk kanë lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, apo me marrëdhëniet ndëretnike. Përkundrazi organizatorët e këtyre protestave fshehin axhendën e tyre radikale, duke krijuar huti dhe duke mobilizuar më shumë përkrahës, duke gënjyer se i bëhen padrejtësi dhe po rrezikohen të drejtat e shqiptarëve. “Kjo nuk mund tw kalohet, për shkak se kjo situatë nuk ka asnjë lidhje me atë që ata e organizojnë. Këto protesta janë të motivuara dhe produkt i elementeve radikale islamike, që kundërshtojnë vendimin e gjykatës së pavarur për kryerjen e një vrasje makabre të pesë personave, prej të cilëve katër të rinj”, reagon VMRO-DPMNE. Sipas mediave shqiptare në Maqedoni, kjo parti thotë se reagon dhe dënon çdo tentim që këto protesta të shihen në konotacion etnik dhe ndëretnik dhe se nuk pajtohet që elementet radikale islamike të fshihen pas dimensioneve etnike, duke gjeneruar tensione dhe ndarje. “Në kontekst të deklaratës së zotit Rama, dhe duke marrë parasysh faktin se ai nuk do të jetë gjatë nw kohë si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i bëjmë thirrje që të bëjë një vizitë në mjediset ku jeton popullata etnike maqedonase në Shqipëri dhe të shohë kushtet në të cilat jetojnë ata dhe të bëjë një paralele me kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë”, nënvizon VMRO-DPMNE.

Deklarata e Ramës

Në një pritje të organizuar dy ditë më parë për nder të muajit të Ramazanit, Kryeministri Rama foli dhe për ngjarjet në Maqedoni, duke kërkuar mbi të gjitha ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. “Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbëjnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e gjashtë shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen. Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet t’i kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë, edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin”, tha Rama.

Maqedonasit në Protestë: Vdekje shqiptarëve

Si kundërpërgjigje e protestave të shqiptarëve, të cilët po kërkojnë drejtësi, një grup i të rinjve maqedonas ka dalë me banderolën “Vdekje për shqiptarët” (Smrt za shiptari). Sipas agjencisë së lajmeve “Ilira”, baneri është shpërndarë në rrjetet sociale, ndërsa në të shihen të rinjtë maqedonas me dorën lart, simbolin e Hitlerit, si dhe banerin me mbishkrimin në gjuhën maqedonase “Vdekje për shqiptarët”.

Gjithashtu, në “Facebook” është hapur profil enkas për fyerjet ndaj shqiptarëve me moton “Vdekje për shqiptarët”.

 

BLEDAR HOTI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button