Guruja i famshëm që po trazon botën me komentet e tij
Sri Sri Ravi Shankar ka shkruar një duzinë me libra shumë të shitur, ka hapur me mijëra qendra meditimi dhe ka me miliona ndjekës, një pjesë të mirë në SHBA. Pavarësisht famës, ai e ka bërë i qetë punën e tij. Por në dy muajt e fundit, deklaratat që ka bërë janë përhapur në rrjetet sociale, duke tërhequr edhe më shumë vëmendje
Për shumë vite, Sri Sri Ravi Shankar, një nga liderët botërorë më të njohur dhe themeluesi i fondacionit “Arti i të jetuarit”, e ka bërë punën e tij pa ngjallur shumë debate dhe kundërshti.
Ai ka shkruar një duzinë me libra që kanë fituar statusin e ndër më të shiturve, ka hapur me mijëra qendra meditimi dhe ia doli që të mblidhte me miliona ndjekës ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në dy muajt e fundit, guruja indian ka parë se si deklaratat e tij janë ripërsëritur nëpër televizione të ndryshme dhe kanë qenë tema e bisedimeve mes përdoruesve në “Twitter”. Madje, shumë më shumë sesa ai vetë do të donte. Shumë indianë nuk i kursyen talljet për këtë deklaratë.
Në muajin mars, guruja u vu në qendër të kritikave, edhe pse disa persona thonë në mënyrë të pamerituar, pasi kërkoi ndërtimin e një tende gjigante qyteti përgjatë buzës së brishtë të lumit Yamuna, që rrjedh mes përmes Nju Delhit, kryeqytetit indian. Kjo u bë me rastin e 35-vjetorit të fondacionit “Arti i të jetuarit”.
Sipas aktivistëve, ky projekt shkaktoi një dëm aq të madh, sa do të duhen vite që të riparohet. Por, nga ana tjetër, anëtarët e fondacionit shprehen se në këtë tendë u akomoduan miliona njerëz, të cilët morën pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Presidenti indian, pas këtij veprimi, vendosi që të anulonte vendimin për të marrë pjesë në aktivitet. Për më tepër që fondacioni u gjobit me 750 mijë dollarë nga Tribunali i Gjelbërimit Kombëtar. Shumë banorë të Nju Delhit e panë këtë debat me cinizëm, duke qenë se lumi Yamuna është ndotur aq shumë përgjatë viteve, si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale, sa tani uji i tij në ngjyrë kafe me zor rrjedh.
Më pas, në muajin prill, guruja, i cili gjithnjë ka kërkuar që t’i përhapë mësimet e tij me anë të paqes së brendshme, u përpoq t’u jepte lehtësim dhe kthjelltësi personave në zonat në konflikt. Por në mënyrë të paqëllimtë përfundoi duke bërë thirrje për luftë kundër Shtetit Islamik. Dhe kjo, pasi terroristët islamikë hodhën poshtë me forcë lutjet e tij për bisedime për paqe.
Ai u tha mediave indiane se në përgjigje të thirrjes së tij për të ulur armët e për të diskutuar, Shteti Islamik i dërgoi një foto të një burri, të cilit i ishte prerë koka.
Ky mesazh tregonte qartësisht se fjalët e tij nuk ishin absolutisht të mirëpritura në Raka, kryeqyteti i IS-it.
“Unë mendoj se IS-i nuk do që të bëhen bisedime për paqe. Nisur nga kjo, ata duhet që të përballen me ndërhyrje ushtarake.”
Dhe në fund, në këtë javë të fundit, Sri Sri Ravi Shankar, kur u pyet nga një gazetar nëse ai do ta pranonte çmimin “Nobel” për paqe nëse do t’i ofrohej, u përgjigj se ai tashmë e kishte refuzuar atë. Por jo vetëm kaq. Ai shprehu pakënaqësi të madhe për vendimin politik për t’i dhënë çmimin “Nobel” në atë kohë 17-vjeçares pakistaneze, Malala Yousafzai, që u qëllua nga talebanët, sepse bënte thirrje me forcë për edukimin dhe emancipimin e femrave.
“Mua në të kaluarën m’u ofrua çmimi ‘Nobel’, por e refuzova atë. Kjo sepse unë besoj vetëm te të punuarit dhe jo të nderohem për punën që bëj. Gjithmonë ne duhet që të nderojmë ata që e meritojnë këtë gjë dhe unë jam plotësisht kundër nderimit të Malala Yousafzai-it me këtë çmim. E shikoj si të pavlerë”, u shpreh ai në një intervistë për “Deccan Chronicle”, një gazetë indiane me reputacion.
I vërtetë është fakti që Shankar është nominuar për çmimin “Nobel” për paqen nga një demokrat njujorkez në “Shtëpinë e përfaqësuesve” në vitin 2006. Megjithatë ngelet e paqartë nëse atij formalisht iu ofrua çmimi, në mënyrë që t’i jepej shansi ta refuzonte atë.
Guruja indian shtoi se Yousafzai nuk ka bërë asgjë për të merituar çmimin “Nobel” dhe këto çmime përgjithësisht nuk hynin te shqetësimet e tij, sidomos “Nobeli”.
Një lexim i shpejtë i uebsajtit të fondacionit “Arti i të jetuarit” tregon se Sri Sri Ravi Shankar është nderuar me një numër shumë të madh çmimesh. Ato përfshijnë çmimin “Padma Vibhushan”, që konsiderohet për nga rëndësia si vlerësimi i dytë më i lartë civil dhe urdhri mongol i “Yllit të Polit”, që është nderimi më i lartë në këtë vend. Ai ka fituar 15 doktoratura nderi dhe për të parë tërësisht listën e titujve të marrë, është e nevojshme që të kalohen disa minuta përpara ekranit të kompjuterit. Për më tepër që më shumë sesa 20 qytete amerikane kanë krijuar ditë të veçanta gjatë vitit që i kanë quajtur “Ditët Sri Sri Ravi Shankar”. Vetëm Uashingtoni e ka bërë këtë gjë dy herë.