Hacker-i që futi City-n në telashe, Rui Pinto: Infantino e dinte, ka mbuluar edhe PSG-në
Rui Pinto, portugezi që hapi “kutinë e Pandorës” mbi shkeljet e klubit anglez dhe të tjerëve ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me çështjen.
Në shtator të 2015-ës, siti “Football Leaks” filloi të publikonte miliona dokumente të rezervuara mbi botën e futbollit. U zbuluan detaje për kontratat e kampionëve të mëdhenj, projektet për Superlega-n, si dhe shkelje fiskale e veprime financiare të parregullta klubesh dhe fondesh investimi.
Ai që hapi “kutinë e Pandorës” në futboll ishte Rui Pinto, një hacker autodidakt portugez, ish-student i historisë. Publikimet e tij edhe nëpërmjet të përditshmes gjermane “Der Spiegel”, ndikuan në ngritjen e akuzave për shkelje financiare nga Manchester City. Klubi anglez i ka mohuar gjithmonë shkeljet, duke pretenduar se dokumentet ishin të pavërteta.
Në prill të vitit pasardhës Pinto u lirua nga akuzat në një proces të dytë në Portugali, pasi gjykata i vlerësoi kontestimet si të pavlefshme.
Tani që City është shpallur fajtor për parregullsi financiare, Pinto ka folur sërish për çështjen në profilin e tij në X, duke mos i kursyer akuzat veçanërisht ndaj Gianni Infantino-s, për të cilin hacker-i përdor fjalë të ashpra:
“Në 2014-ën ishte një njeri që kishte dijeni për parregullsitë e Manchester City. Ai njeri sot drejton FIFA-n. Gianni Infantino, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, abuzoi me autoritetin e tij, shpërndau dokumente konfidenciale. Shpejt ai kaloi Dhomën Investigative, duke shfrytëzuar pushtetin për të garantuar që Manchester City dhe PSG të merrnin vetëm gjobë. Kështu evitoi një hetim më të thellë, që do të sillte përjashtimin nga Champions League.
Këto detaje u zbuluan nëpërmjet “Football Leaks”. Nga sjellja e tij si sekretar i përgjithshëm i UEFA-s e më pas si president i FIFA-s, personalisht mund të them se Gianni Infantino u bë një kancer për futbollin. Ai nuk duhet të ketë vend në të ardhmen e kësaj loje”, – ka shkruar Pinto.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.