“Hajdut! Kriminel!”, mazhoranca voton nën “korin” e opozitës; rrëzohet lista e dytë për KLGj e KLP
Nën korin e opozitës, që përsëriste thirrjet “Hajdut! Kriminel” duke përplasur duart mbi foltore dhe tavolina, mazhoranca nisi votimin e projektligjeve të rendit të ditës.
Opozita bllokoi menjëherë foltoren, ndërsa mazhoranca vijoi punën “e pashqetësuar”, duke miratuar ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar dhe çeljen e negociatave me kompaninë turke për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Me klimën në sallë, ajo që pritej në lidhje me listat për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndodhi; ato u votuan vetëm nga 73 vota të shumicës, duke mos kaluar.
Rrjedha e kësaj seance u përcaktua kur kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho nisi të flasë për ekstradimin e Nezar Seitit.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ndërpreu fjalën, pasi sipas tij, Spaho po i shmangej rendit të ditës. Në këtë moment, deputetët e opozitës lanë ulëset e tyre në sallë dhe iu drejtuan foltores, duke e bllokuar atë. Pas kësaj, seanca rinisi vazhdimisht e tensionuar. Gramoz Ruçi përjashtoi Edmond Spahon dhe kërkoi sërish pushim.
Taulant Balla e interpretoi qëndrimin e opozitës me zbatimin e reformës në drejtësi.
“Sa herë që ka në Parlament një votim të rëndësishëm për reformën në drejtësi, ndodhin këto skena”, tha ai.
Por, jashtë sallës së Kuvendit, Lulzim Basha përsëriti akuzat ndaj Qeverisë për ekstradimin e Nezar Seitit.
“Sipas vetë pohimeve të familjarëve të tij, ishte bërë gati të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke rrëzuar çdo alibi të Edi Ramës për të mos dorëzuar Saimir Tahirin, duke u dhënë kështu peshkun e madh shqiptarëve”, tha Basha.
Kreu i PD-së thotë se në ekstradimin e Nezar Seitit janë të përfshira dhe përgjegjëse të gjitha institucionet.
Njemij her turp per kete opozit qe ka vendi Yne. Kemi par e degjuar e lexuar shum pislleqe qe ka ber Berisha me qeveritaret e tij. Por qendrimi rrugaceror sot ne kuvendin e SHqiperis, I deputeteve te PD dhe LSHL, I vuri vulen e rrugaceris, te kesaj force politike qe per te keqen e shqiptareve, quhet opozit.. Ne vend te ishte shpres per qytetaret shqiptar jan kethyer ne penges dhe regres.
Duan me cdo kusht te pengojn rreformen ne drejtesi dhe integrimin e SHqiperis ne BE