Politika

Halimi në një linjë me qeverinë, Paloka ironizon guvernatorin

Eduard-Halimi_1-320x235Kreu i grupit të PD-së: Mirënjohje dhe falënderim për sakrificën që po bën

Brenda Partisë Demokratike po shfaqen dy linja të ndryshme për sa i përket fatit të Ardian Fullanit, nëse pas këtij skandali duhet të japë ose jo dorëheqjen si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Dy qëndrimet e ndryshme erdhën nga dy deputetët e PD-së, Eduard Halimi dhe Edi Paloka. Ish-ministri i Drejtësisë, Halimi, u shpreh se PD-ja është për stabilitetin financiar, duke dalë haptazi pro largimit të Fullanit. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, në një ironi të tij, i është drejtuar Fullanit me shprehjen se e falënderon Fullanin për sakrificën e tij për të mos ikur.

Halimi

Deputeti i PD-së, Halimi, u shpreh për mediat se “ngjarja e Bankës së Shqipërisë është padyshim e rëndë. Vjedhja e Thesarit është një ngjarje kriminale. Por duhen bërë të qarta dy çështje që ndahen me thikë me njëra-tjetrën, njëra anë ajo që është hetim i penal i ngjarjes, për të cilin Partia Demokratike e ka bërë të ditur se kërkon t’i shkojë deri në fund hetimit dhe përgjegjësisë ligjore të çdo personi që ka marrë pjesë në një vepër penale. Ana tjetër, e cila ndahet me thikë me këtë, është shumë i rëndësishëm, stabiliteti i vendit”. Më tej Halimi u shpreh se një qëndrim i tillë i PD-së vjen për faktin se është një opozitë e përgjegjshme, jo siç vepronte PS-ja dikur. “Fakti që ne jemi opozitë, s’do të thotë se ne duhet të kërkojmë destabilitetin e vendit. Opozita e djeshme shfrytëzonte çdo element për të destabilizuar vendin. Ne jemi një opozitë e përgjegjshme dhe gjykoj se të gjitha palët politike duhet të kenë në interes parësor stabilitetin e vendit, sepse stabiliteti i vendit është në interes të qytetarëve shqiptarë. Ligji parashikon qartë që Këshilli Mbikëqyrës është përgjegjës për pjesën e stabilitetit financiar dhe raporti që ka Parlamenti me Bankën e Shqipërisë përmes Këshillit Mbikëqyrës. Çdo sugjerim që do të vijë nga Këshilli Mbikëqyrës, Parlamenti duhet të reagojë. Pra, ajo që është e rëndësishme janë dy anët që duhet të shihen patjetër të ndara si me thikë, hetimi penal dhe stabiliteti financiar”, deklaroi Halimi. Ndërsa një postim në “Facebook”, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, ka reaguar në mënyrë ironike ndaj intervistës së dhënë të Fullanit në median e shkruar. “Të dashur miq! Pas intervistës të guvernatorit, shpreh veçse mirënjohje dhe falënderim për ‘sakrificën’ që po bën duke ndenjur në detyrë e duke ‘garantuar stabilitetin e sistemit bankar, që është shumë i rëndësishëm, me qëllim që njerëzit të kenë besim te bankat!!! … Kur u vodhën 7.3 milionë dollarë tanë, të shqiptarëve a thua se nuk ishte ai guvernator!! … Më mirë të mos lodhet e të sakrifikojë kaq shumë, se ndryshe do të fillojnë shqiptarët të protestojnë jo ‘Fullani Ik’, por ‘Fullani Rri!!!’ ‘Rilindja’ u mor e vazhdon të merret me shampanjën e djalit të Fullanit, Erikut dhe jo me kostumet e Kryeministrit 5 mijë euro, që gjithë jetën ka marrë rrogë 1 milion lekë”.

Shoqëria civile

Çollaku: Halimi na ktheu në sistem njëpartiak

Qëndrimi i mbajtur nga ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë nisur një fushatë për mbledhjen e firmave për të kërkuar mbledhjen e Parlamentit, me qëllim shkarkimin e guvernatorit Fullani. Basir Çollaku, përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, në një postim të tij shprehet se “opozita, nëpërmjet deputetit Eduart Halimi, deklaron se mbështet qeverinë për çështjen e bankës, duke pretenduar se është konstruktive. Ky është rikthim i shëndetshëm në sistemin njëpartiak të PPSH-së, ose Partisë së Parave Shqiptare … Turp dhe bukë ose pozitë dhe opozitë … PPSH, Partia e Parave Shqiptare …”.

Kryedemokristiani

Ndoka: Fullani europian, do të ikë pas mbylljes së hetimit

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, duke komentuar skandalin e vjedhjes në Bankën Qendrore të shtetit shqiptar, ndan mendimin se Fullani do të japë dorëheqjen, pasi të mbyllet hetimi i kësaj ngjarjeje.

“Në disa raste, guvernatorët janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga drejtësia, në pak raste kanë dalë të pafajshëm, por në të gjitha rastet kanë dhënë dorëheqjen pas përfundimit zyrtar të hetimit, pa u shprehur akoma gjykata. Në rastin tonë unë pres, që të kemi një guvernator europian, që po pret fundin e hetimit, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe kryer detyrën e tij institucionale dhe ky do të ishte precedenti i parë europian në Shqipëri. Ndaj unë preferoj një precedent europian dhe jo një dorëheqje shqiptare! Shpresoj në një guvernator shqiptar europian dhe jo në një Fullan shqiptar! Duhet të bëjmë durim edhe pak ditë, të marrim vesh, nëse do të kemi precedent europian apo rast shqiptar!”, shkruan Ndoka në faqen sociale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button