Hapat që t’i bësh për vete të tjerët për katër sekonda
Njerëzve u mjaftojnë vetëm pak sekonda për të krijuar një gjykim mbi personalitetin tuaj. Në bazë të atij gjykimi mund të vendosin nëse duan të vazhdojnë të dalin me ju për një tjetër takim ose të bëhen miq, kolegë etj. Ja se çfarë duhet të keni parasysh…
Takimi i parë, intervistë pune, njohje të reja…Në raste të ndryshme është e rëndësishme të bëni përshtypje të mira që në shikim të parë. Njerëzve u mjafton vetëm pak kohë për të krijuar një gjykim mbi personalitetin tuaj. Në bazë të atij gjykimi mund të vendosin nëse duan të dalin me ju për një tjetër takim ose të bëhen miq ose kolegë. Për të shfrytëzuar më mirë sekondat që përcaktojnë vazhdimësinë e marrëdhënieve me personat e saponjohur, Nicholas Boothman, në librin e saj “How to make people like you in 90 seconds” (Si t’i bëni njerëzit si ju për 90 sekonda) rrëfen për strategjitë fitimtare për të goditur në shenjë. Mendimi i parë, thuhet në “The Independent”, formohet në vetëm 4 sekonda, gjatë të cilave mjaftojnë disa lëvizje të thjeshta për të qenë të pëlqyeshëm nga të tjerët:
Jini të hapur
Në takimin e parë, gjuha e trupit është shumë e rëndësishme. Për t’u treguar të hapur ndaj njohjeve është e nevojshme të përçoni sinjale fizike që konfirmojnë vullnetin tuaj. Në mënyrë që t’ia dilni të “godisni” zemrën e personave që keni përballë është thelbësore të tregoni veten. “Fjalë për fjalë: mos e mbuloni zemrën me duar ose me krahë. Dhe nëse vishni një xhaketë, zbërthejeni”. Kjo është një këshillë filozofike nga autorja e sipërpërmendur, por që në thelb këshillon që të jeni vetvetja gjithmonë.
Kërkoni kontaktin sy më sy
Mos dredhoni shikim në takimin e parë. Kërkoni sytë e të tjerëve dhe lërini sytë tuaj të shprehen pozitivisht. Edhe sytë, në fakt janë në gjendje të qeshin. Gjithsesi kontaktin sy më sy mos e mbani gjatë gjithë kohës së takimit. “Mund të duket paedukatë dhe kërcënuese”.
Buzëqeshni
Buzëqeshja është “bileta” hyrëse më e mirë për çdo rast, ndërsa ajo u lë të tjerëve të kuptojnë se ju jeni të sinqertë. Do të jetë ajo buzëqeshje që do të ndihmojë tjetrin të kujtohet për ju.
Përshëndetja
Në momentin kur shqiptoni frazën “kënaqësi që u njohëm”, toni juaj i zërit duhet të tingëllojë shumë i lumtur për këtë takim. Shtrëngojeni dorën me shumë siguri kur tjetri t’ju prezantohet, përsëritni emrin e tij; për shembull ju mund të thoni: “Kënaqësi që u njohëm, Sara”.
Bëhuni të afërt
Nuk është e nevojshme t’i afroheni shumë personit që sapo njihni dhe as të përkuleni përpara tij. Por të flisni, të tregoheni të dashur në përshëndetjen që do të bëni dhe pse jo të jeni të gatshëm për të dhënë ndihmë atëherë kur të tjerët kanë nevojë. Pra lëreni bisedën të rrjedhë natyrshëm. Mos kaloni direkt në tema profesionale. Kur ju takoni personin, atëherë filloni të bisedoni me të sikur përballë keni një mik tuajin. Pyeteni se çfarë ka bërë këto kohë, flisni për motin, për sportin… kështu ju dukeni më njerëzorë dhe ju ndihmon të krijoni një përshtypje të mirë.
Kujdes me pamjen e jashtme
Kjo nuk duhej të ishte para personalitetit apo disa aftësive të tjera, por në të vërtetë është. Kujdesuni për higjienën dhe veshjen tuaj, përshtateni me ngjarjen ku do të merrni pjesë. Mos harroni: më mirë të keni veshur disa gjëra të tepërta, se sa të shkoni gjysmë e zhveshur. Kjo vlen më shumë për femrat. Kushtojuni rëndësi edhe flokëve.