Hapet ekspozita ‘Masakrat në Kosovë 1998 – 1999’
Organizatat INTEGRA dhe Admovere kanë hapur ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Në hapje të kësaj ekspozite ka marrë pjesë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se “Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”.
“Ekspozita ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’. Nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara. Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri! Kjo ekspozitë u organizua nga INTEGRA dhe Admovere”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapaur nga sot deri më 7 prill, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
“Në këtë ekspozitë janë paraqitur, në mënyrë kronologjike, 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në Familjen Bala (12 qershor 1999). Nga 105 masakra, në këtë ekspozitë janë përfshirë vetëm ato për të cilat kemi pasur fotografi dhe citate të dëshmitarëve, ndërsa në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” figurojnë të gjitha masakrat. Po ashtu, edhe në uebfaqen “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të lansohet muajin tjetër, do të figurojnë të gjitha masakrat”, thuhet në njoftim.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.