Politika

Hapja e negociatave, vendimi parafinal i Këshillit të Ministrave të BE

Hapja e negociatave është vendimi parafinal i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Nuk ka një vendimmarrje të rëndësishme tjetër përveç se momentit kur vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe kjo është edhe arsyeja që radarët, në mënyrë figurative të fjalës, të vendeve anëtare do të funksionojnë me kohë të plotë për këtë proces për shkak të rëndësisë politike që ata i japin një vendimmarrjeje të tillë.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë në Vizion Plus u shpreh se rekomandimi i Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është i merituar dhe është nisje e një kapitulli edhe më të vështirë për mbajtjen dhe thellimin e ritmit të reformave sidomos në fushën e sundimit të së drejtës.

“Rekomandimi i Komisionit Europian është një hap i rëndësishëm drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim. Komisioni ka dhënë një çertifikatë përsa i përket reformave që ka ndërmarrë Shqipëria për këtë stad ku jemi në procesin e integrimit europian dhe tanimë vendet anëtare duhet të marrin vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati .

I pyetur se cilat do të jenë pikat kyçe të rrugëtimit deri në qershor kur 28 vendet anëtare duhet të votojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bushati u shpreh se, “që në fillim të këtij viti ne kemi bërë komunikimet tona dhe vizitat me një pjesë të vendeve anëtare të BE. Me vende që kanë kohë që kërkojnë që Shqipëria të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, me vende që përgjithësisht janë dashamirëse ndaj procesit të zgjerimit dhe kemi identifikuar gjithashtu vende me të cilët kemi nevojë të punojmë më shumë, aq më tepër që mënyra sesi sot për sot zhvillohet procesi i zgjerimit, mjedisi mbi të cilin operon ky proces nuk është ai i 2004, apo 2007. Nuk është më i miri i mundshëm, kur dihet që po fitojnë terren gjithnjë e më shumë forca ekstremiste në zgjedhjet parlamentare që kundërshtojnë projektin evropian në vetvete dhe në një mënyrë apo një tjetër kanë ndikim edhe në vendimmarrjet e vendeve anëtare sa i përket këtij procesi”.

Ministri Bushati theksoi se, “Kryeministri Rama do të jetë javën që vjen në Gjermani”. “Natyrisht, shtoi ai, “Gjermania është një vend motorr i proceseve të integrimit europian. Nuk kam hezituar ta konsideroj një kritik të rreptë dhe një partner të ndershëm për Shqipërinë dhe rajonin në të gjitha proceset për transformimin kritik të rajonit dhe zhvillimit ekonomik dhe social. Franca mbetet gjithashtu një stacion me të cilin ne do të intensifikojmë komunikimin në periudhën në vijim. Por jo vetëm, do të ketë vizita të rëndësishme gjithashtu në Shqipëri. Presim kryeministrin belg, Presidentin e Këshillit Europian, Tusk dhe disa vizita të nivelit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare ku ne besojmë se do të komunikojmë në mënyrën më të mirë të mundshme arritjet që ka ndërmarrë Shqipëria”.

“Por puna jonë nuk ndalet vetëm në suazën qeveritare. Është e rëndësishme që në këtë proces të kemi një aktivizëm të shtuar edhe nga ana e parlamentit edhe nga pjesëtarë të tjerë që përfaqësojnë grupe të ndryshme interesit, duke qenë se sidomos kur vjen puna tek Parlamenti vende si Gjermania apo Holanda kanë një peshë specifike në vendimmarrje në këtë proces”, tha Bushati .

I pyetur nëse qershori është një stacion i vështirë për t’u kapur duke parë kohën që kërkon komunikimi mes qeverisë gjermane dhe Bundestagut gjerman, Bushati tha se, “nuk jam në gjendje të shtjelloj çështjet proceduriale mes qeverisë gjermane dhe Bundestagut përsa i përket afateve dhe mbledhjeve që duhet të kapen në këtë proces. Për ne është e rëndësishme që krahas komunikimit me qeverinë gjermane në të gjitha nivelet. Ne të vijojmë komunikimin edhe me Bundestagun gjerman. Komunikimi me Bundestagun gjerman ka qenë aktiv edhe gjatë periudhës së marrjes së statusit të vendit kandidat me seanca dëgjimore, jo thjesht me Komisionin e Çështjeve evropiane apo me Komisionin e Çështjeve politike, por edhe me fraksionet e ndryshme parlamentare. E njëjta gjë do të vijojë edhe sa i përket hapjes së negociatave”.

Bushati u shpreh se, “tre janë momentet që ja vlen të ndalemi. E para që reformat që janë ndërmarrë nga Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve vlerësohen nga ana e Komisionit Europian dhe ky vlerësim pasohet edhe me rekomandimin, kryesisht për reformat në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi.

Së dyti, tha ai, nuk bëhet fjalë për një fitore të një pale kundër një pale tjetër. Këto janë procese afatgjata që shkojnë përtej mandatit të një qeverie dhe në një mënyrë apo një tjetër secila prej qeverive vendosin nga një tullë në murin e procesit të integrimit evropian.

Së treti, deklaroi Bushati është legjitim gëzimi ynë dhe gëzimi i të gjithë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, por para nesh hapet një kantier më i madh pune dhe me të drejtë siç thuhet dhe në raportin e Komisionit Europian, por siç tha edhe Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, duhet të mbajmë ritmin e reformave dhe duhet të thellojmë këto reforma”.

I pyetur për kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, Bushati u shpreh se, “ne kemi një përqasje të re që Komisioni Europian ka adaptuar për këtë proces që në vitin 2012, që është i aplikueshëm edhe për vende të tjera si Serbia dhe Mali i Zi që janë në tryezën e bisedimeve dhe kapitujt 23 dhe 24 janë kapitujt e parë që do të hapen dhe do të vijojnë të mbeten të hapur deri në momentin që vendi përmbush plotësisht standardet që burojnë nga këto dy kapituj dhe në momentin që janë pranë anëtarësimit”.

Shqipëria, tha Bushati, “në bazë të rekomandimit të 2016-ës, që ishte një rekomandim i kushtëzuar dhe vendimmarjes së këshillit të 2016-ës, ka bërë seancën teknike përsa i përket kapitullit 23 dhe 24 me ekspertizën dhe shërbimet e Komisionit Europian dhe mendohet edhe për shkak të përparimit që ne kemi bërë në zbatimin e reformës në drejtësi, në zbatimin e procesit të vettingut dhe ndërtimin e arkitekturës së re të drejtësisë mendohet që një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve në rastin e Shqipërisë do të jenë qartësisht më të përballueshëm”.

“Në rast se i referohemi edhe konstatimit të Komisionit Europian, për reformën në drejtësi, qartësisht Shqipëria është në një pozicion më të avantazhuar për shkak të faktit që një pjesë e mirë e reformave të kërkuara janë bërë në një fazë më të hershme edhe për shkak të faktit se reforma në drejtësi dhe e gjithë mënyra sesi duhet organizuar sistemi i drejtësisë konsiderohet në rastin tonë një krye prioritet”, deklaroi Bushati.

I pyetur për ndëshkueshmërinë në nivelin e lartë dhe krimin e organizuar, Bushati u shpreh se, “kjo mbetet një sfidë jo thjesht për qeverinë shqiptare, por për institucionet dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Do të ishte naive të mendohet që ne e kemi çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të ishte naive të mendohej që janë larë të gjitha hesapet me krimin e organizuar dhe me korrupsionin që në fakt janë gangrena dhe mbajnë peng sektorë të caktuar nga zhvillimi i vrullshëm dhe vërshimin e kapitalit qoftë shqiptar apo qoftë të huaj, por besoj që gradualisht hapat që janë ndërmarrë në reformimin e sistemit të drejtësisë të krijojnë impaktin e duhur dhe masën kritike edhe përsa i përket ndëshkueshmërisë në nivele më të larta”.

“Nuk është se nuk ka ndëshkueshmëri në nivele më të larta, por ajo ç’ka me të drejtë kërkon Komisioni Europian, vendet anëtare, në radhë të parë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi është krijimi i historisë bindëse dhe mbyllja e ciklit. Sepse shpesh ka ping-pong institucional nga KLSH në Prokurori nga Prokuroria në Gjykatë kur flasim për çështjet e abuzimit me detyrën dhe korrupsionit apo edhe për çështjet e krimit të organizuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave. Janë bërë disa hapa përpara në këtë drejtim, por natyrisht këto nuk janë kurrsesi hapa të mjaftueshëm”, u shpreh kryediplomati.

“Ne besojmë se dhe në vetvete, tryeza e bisedimeve dhe ekspozimi i Shqipërisë, jo thjesht i qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese ndaj jo vetëm standardeve që duhet të arrihen, por ndaj një sistemi më të lartë monitorimi, do të krijojë një mundësi më të madhe dhe do të krijojë atë masën kritike për të pasur rezultate edhe më bindëse në këtë fushë”, tha ministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button