Kosova

Haradinaj: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO deri në 2020

Në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), filloi konferenca rajonale e sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, ku të pranishëm janë drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të lartë të NATO-s.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli gjatë fjalës së tij tha se Kosova është dëshmuar si shtet i cili ka kontribuar në paqen, stabilitetin dhe forcimin e demokracisë në rajonin e Ballkanit. Ai tha se Kosova ka kontribuar për paqe duke e luftuar me përkushtim dhe efikasitet terrorizmin brenda aleancës globale.

Sipas tij, Kosova do të vazhdojë t’i ndalojë rrymat të cilat kanë për qëllim destabilizimin dhe që promovojnë ektremizmin. Duke folur për transformimin e Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri Veseli tha se shumë shpejtë do të ndodhë transformimin përfundimtar ndërsa “veprimet do të jenë të përbashkëta me SHBA-në dhe NATO-n, pra nuk do të ketë surpriza”.

“Në të njëjtën kohë raportet tona me Malin e Zi janë të shkëlqyeshme dhe nuk do të lejojmë me asnjë kusht që të cenohen. Përshëndesim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Poashtu edhe Mali i Zi ka qenë një faktor kryesor stabiliteti në rajon. Zotohemi se çdo çështje që e kemi në mes nesh do ta zgjedhim në mënyrën më të duhur përmes një respekti të sovraniteteve të shteteve tona të pavarura”, tha Veseli.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova dëshiron që të ndalojë së absorbuari siguri ndërsa të fillojë të ndihmojë në aspektin e sigurisë. Ai tha se sfidat e sigurisë kanë kaluar kufijtë si terrorizmi global, krimi i organizuar ndërkombëtar, rreziqet kibernetike, ato sociale ekonomike.

Ai shtoi se siguria në dinamikat rajonale ka ndikim vendimtar në Ballkan dhe siguria kërkon respektin që shtetet duhet ta respektojnë. Haradinaj tha se “Asnjë shtet nuk është i vetëmjaftueshëm dhe na duhet bashkëpunimi i ndersjellë”.

“Ne nuk jemi shtet neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme. Ne duam dhe e meritojmë anëtarësimin sa më shpejtë në NATO, pra ne jemi në NATO. Ne duam që NATO të qëndrojë në Kosovë, kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne synojmë që brenda kësaj dekade, deri në vitin 2020 ta arrijmë fazën e dialogut, gjegjësisht ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, u shpreh Haradinaj.

Drejtori i QKSS-së Florian Qehaja tha se qeveria e vendit dhe shoqëria civile janë bashkuar për anëtarësim në NATO ku ishte kërkuar ndërveprimi nga ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ndërsa NATO është zotuar për një politikë të hapur me Kosovën. Ai tha se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në NATO.

Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem tha se NATO-ja mbështet aspiratat euroatlantike të popujve në rajon duke shtuar se vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe raportet e mira fqinjësore në rajon nuk janë gjëra luksoze.

Ai theksoi se një Ballkan stabil do të thotë një Evropë stabile. Ildem theksoi rëndësinë e madhe që NATO-ja i jep dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës. që sipas tij, dialogu i mirë në mes dy shteteve është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale.

“Ky shtet i ka nuancat e veta dhe historinë e vetë mirëpo njerëzit kanë një perspektivë të përbashkët të integrimit dhe të bashkëpunimit dhe ne dëshirojmë që t’u ndihmojmë që ta kuptojnë këtë. Suksesi kërkon dedikim, progres të vërtetë, reforma dhe pajtim”, tha Ildem.

Ildem theksoi se NATO-ja i bën këto apele për shkak të investimeve të suksesshme që i ka bërë për këto 18 vite për të mbajtur Kosovën dhe rajonin të sigurtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button