Hektor Avdylit i caktohet paraburgimi në SHBA, gjykatësi në Milwaukee e lë në burg deri në gjykim
21-vjeçari nga Kosova, i ekstraduar më 19 nëntor, u paraqit para gjykatësit amerikan William E. Duffin, i cili urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim në pritje të gjykimit për shitjen e të dhënave të vjedhura të kartave bankare.
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi se Hektor Avdylit, 21-vjeçari nga Kosova i ekstraduar nga Kosova, do të mbahet në paraburgim në Shtetet e Bashkuara, ku dyshohet se u ka vjedhur të dhëna bankare qytetarëve amerikanë, siç njofton KosovaPress. Departamenti publikoi në rrjetin social X edhe fotografinë e Avdylit gjatë momentit të ekstradimit.
Avdyli u arrestua më 15 korrik 2026 në Prizren nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe u ekstradua në SHBA më 19 nëntor 2026. Një ditë më pas, më 20 nëntor, ai u paraqit para gjykatësit të magjistraturës William E. Duffin në Milwaukee të Wisconsin-it, i cili urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Avdyli përdorte forume kriminale në internet, në “Dark Web”, për të reklamuar dhe shitur të dhëna të vjedhura të kartave të kreditit dhe informacione personale, të cilat blerësit mund t’i përdornin për mashtrime financiare. Ai pohonte se i kishte vjedhur fshehurazi këto të dhëna nga faqet e blerjeve online, duke përdorur softuer keqdashës. Gjatë hetimit, FBI bleu në mënyrë të fshehtë mbi 27 mijë numra kartash të vjedhura dhe të dhëna personale nga ky shitës, mes tyre të dhëna të rreth 300 personave me adresa në Wisconsin.
Në një nga hard disqet e Avdylit, agjentët gjetën rreth 2.7 milionë numra kartash pagese — karta krediti, debiti dhe dhuratash — së bashku me informacione personale të lidhura me to.
Ndihmësprokurori i parë amerikan Schimel deklaroi se vjedhja e identitetit dhe e informacionit financiar u kushton konsumatorëve amerikanë miliarda dollarë, ndërsa kapja e një krimineli kibernetik të huaj me një sasi kaq të madhe të dhënash, tashmë në paraburgim në tokën amerikane, është një ngjarje e jashtëzakonshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.