Hekurudha Tiranë – Durrës, pritet vendimi i bordit për kredinë e BERZH
Bordi i Hekurudhës Shqiptare do të duhet të shprehet në lidhje me kredinë që synon të japë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Edhe pse ky projekt ka marrë një miratim të parë, tashmë bordi duhet të dalë me vendimin final për të cilin ka afat deri në datë 14 dhjetor të këtij viti, sikundër thuhet në faqen zyrtare të BERZH.
Përmes kësaj huaje shoqëria Hekurudha Shqiptare do të financojë: i) rehabilitimin dhe përmirësimin e standarteve për 34.7 km hekurudhë midis Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (TTP) dhe qytetit të Durrësit, si dhe ndërtimin e 7.4 km linjë hekurudhore midis Terminalit të Transportit Publik të Tiranës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).
Huaja e dhënë nga Banka do të përdoret për të bashkë-financuar punimet dhe mbikqyrjen e punimeve që lidhen me Projektin.
Projekti është pjesë e Route 2 të Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perendimor që lidh qytetet e Podgoricës në Malin e Zi dhe Vlorës në Shqipëri dhe është krijuar si një zgjatim orientues i Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN-T) në Rrjetin Kryesor hekurudhor të Ballkanit Perendimor.
Në dokumentin zyrtar thuhet se projekti do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në integrimin rajonal të saj duke përmirësuar lidhjen e qyteteve të saj kryesore me Portin e Durrësit dhe TIA-n.
Në të sqarohet se projekti do të përfshijë reforma sektoriale dhe masa përforcuese institucionale në fushat:
Menaxhimi i Aseteve dhe Tarifave të Aksesit Hekurudhor
Plani të Menaxhimit të Aseteve i cili do të përfshijë shqyrtimin e gjendjes së aseteve të Shoqërisë si dhe vlerësimin e të gjitha kostove të operimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit. Kjo do të mundësojë një përdorim efektiv të burimeve të mirëmbajtjes dhe do të ofrojë një bazë transparente për përllogaritjen e tarifave të aksesit hekurudhor në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Europian (BE) për sektorin hekurudhor, si dhe do të mundësojë hyrje të lirë dhe transparente të palëve të treta në rrjet;
Kontabiliteti sipas Standartet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar
Përmirësimi i sistemeve kontabël dhe të raportimit të Shoqërisë do t’i mundësojë përgatitjen e pasqyrave financiare në përputhje të plotë me Standartet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.
Ekonomia e Gjelbër
Shërbimet hekurudhore të cilësisë së lartë janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të transportit dhe reduktojnë emetimin e CO2 në përputhje me objektivat e politikave lokale dhe të BE që lidhen me transportin.
34.5 mln euro – Hua sovrane
86.4 mln euro kostoja totale e projektit
34.7 km gjatësia e hekurudhës Tiranë – Durrës