Hendeku i krijuar nga largimi i Floryhen nuk është mbushur plotësisht
Tre vjet pas daljes nga tregu të një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të vezëve në vend, hendeku nuk është mbyllur. Vitin e kaluar, prodhimi ra lehtësisht, edhe për shkak të dëmeve nga përmbytjet. Ndërsa sipërmarrësit ankohen për rregullat e reja antiinformalitet…
Prej vitesh, Shqipëria është eksportues i mirë i një prodhimi vendas si veza, pasi ka përmbushur kërkesat e tregut të brendshëm.Por, të dhënat e fundit tregojnë se hendeku i krijuar nga largimi i Floryhen nuk është mbushur plotësisht te prodhimi, e për më tepër tek eksporti i vezëve.
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se prodhimi në vend u tkurr me 7% në vitin 2013 dhe ka vijuar të mbetet në këto nivele. Vitin e kaluar, sasia e vezëve të prodhuara në të gjithë vendin ishte 830 milionë kokrra. Pas një rritjeje në 2014-n, prodhimi ka zbritur sërish në nivelet e vitit 2013.
Po ato që nuk janë mëkëmbur pas falimentimit të kompanisë më të madhe të prodhimit të vezëve janë eksportet. Përveçse zbritën në mënyrë drastike në 13 milionë kokrra vezë në 2013-n (sa rreth 1.5% e prodhimit), vitin e kaluar eksporti ishte rreth tre herë më i ulët, 4 milionë kokrra. Në të njëjtën kohë, eksportet e ulura janë të kufizuara vetëm në Kosovë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar vezët u eksportuan vetëm në Kosovë nga më shumë se gjashtë vende që eksportonim më parë. Në total, fabrikat janë po aq në numër sa 5 vite më parë. Në të gjithë vendin gjenden 15 pulari të prodhimit të vezëve
Rënia nga 2012
Prodhimi i shpendëve dhe i mishit të tyre ka marrë një “goditje” në vitin 2012, nga i cili duket se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në vend ka gati 6 milionë shpendë, ndërsa sasia e mishit të prodhuar në vend është rreth 17 mijë tonë. Kjo është panorama e fabrikave që rrisin pulat për mish
Fabrika të reja, problemet po ashtu
Në fund të 2014-s, veza pati rritjen më të madhe të çmimit të shënuar vitet e fundit. Me një çmim gati të dyfishuar, një kokërr vezë arriti afër 20 lekë. Ishte periudha menjëherë pas mbylljes së Floryhen, por që nuk zgjati shumë. Sipërmarrësit e pularive më të mëdha tregojnë se u angazhuan shpejt për të marrë pjesë të tregut. Pak kompani të reja u krijuan, ndërsa të tjera u riaktivizuan. Kjo bëri që çmimi i vezës të shkojë në parametrat e saj mesatarë brenda pak muajsh (10-12 lekë për një kokërr vezë).
Pavarësisht se shifrat në total të kësaj industrie nuk kanë pasur ndryshime të dukshme, brenda industrisë “kanë zier” zhvillimet e dukshme. Vitin e kaluar, prodhuesit e një prej kompanive, “Aiba”, thonë se e kanë rritur sasinë e prodhimit të vezëve në 2015-n, krahasuar me një vit më parë. Por ata vërejnë se u dëmtuan ndjeshëm nga përmbytjet e fillimvitit 2015 në Vlorë. Përmbytjet, sipas përfaqësuesve të kompanisë, dëmtuan rreth gjysmën e pulave të kësaj pularie dhe ulën prodhimin e vezëve në jug.
Vitin e kaluar, disa prej kompanive më me emër raportojnë ulje të shitjeve (megjithëse prodhimi i vezëve në nivel kombëtar ishte 0.5% më pak se një vit më parë). Po cilat janë arsyet e uljes së shitjeve, apo më saktë kërkesës së konsumatorëve. Përfaqësuesit e Aiba-s thonë se “situata ekonomike e vendit, emigracioni” janë një prej faktorëve. Ata shtojnë se “në treg kanë hyrë edhe operatorë të cilët janë në kushtet e konkurrencës së pandershme dhe pavarësisht cilësisë dhe parametrave të produktit të ofruar, kanë ndikuar në shitjet e produktit të kompanisë”.
Goditja nga taksat
Prodhuesit e vezëve që janë në territorin administrativ të kryeqytetit, thonë se rritja e taksave vendore do të ndikojë direkt në kostot e tyre të prodhimit dhe të transportit. Ata shohin me shqetësim edhe një ndryshim ligjor që u miratua me paketën antiinformalitet. I tillë është kufizimi i shitjes me pakicë nga prodhuesit, duke filluar nga fillimi i këtij muaji. Sipas përfaqësuesve të kompanisë Aiba, problemi më madhor i saj janë ligjet e reja fiskale, të cilat deri në datën 1 prill lejuan 10% të shitjeve direkte ose të quajtura ndryshe “derë më derë” dhe pas kësaj date duhet të jenë “0”. Ato theksojnë se kompania importon 95% të lëndëve të para.
Edhe ngërçi i krijuar në nëntor të vitit të kaluar duket të jetë pengesë për tregtarët e proteinës së lirë. Administratorët e fabrikave të vezëve thonë se pikat fundore të shitjes me pakicë, nuk pranojnë të punojnë me fatura të TVSH-së, siç e kërkon ligji, pasi kjo do të ndikojë direkt në tatimet dhe taksat e tyre. Sipas tyre, kjo ka sjellë vështirësi në shitje. Për më tepër, në këtë situatë, sipas tyre, përfitojnë operatorët që nuk punojnë me fatura TVSH-je, sipërmarrjet informale. Nëse institucionet qeveritare, si rregullatorë, nuk ndërhyjnë, por vazhdojnë të shtojnë presion vetëm te biznesi i madh, kjo do të sjellë rritjen e informalitetit, por edhe një konkurrencë të pandershme.