Opinion

Heronjtë e papërfaqësuar

the-independent-kishte-di-ccedil-ka-q-euml-fshihej-pas-nj-euml-ndeshje-futbolli_hdLIZANDËR SARAÇI

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSF (Federata Serbe e Futbollit me në krye Platini) për ndeshjen Serbi-Shqipëri, ishte shumë zhgënjyes dhe i padrejtë për të gjithë ata që ndiejnë se kanë gjak shqiptari në vena. Pa dyshim që ky vendim ishte akoma më i padrejtë për heronjtë e Beogradit, që rrezikuan jetën vetëm që të na përfaqësonin denjësisht në atë fushëbetejë. Por, përveç vendimit, që i hoqi atë që fituan në fushë, ata duhet të ndihen të zhgënjyer edhe nga vetmia që i rrethon në misionin e tyre përfaqësues.

Kjo vetmi filloi që para ndeshjes, kur shumë pak në Shqipërinë zyrtare e kuptonte se pala serbe nuk po organizonte një ndeshje futbolli, por një përballje etnike. Kjo u nevojitej drejtuesve aktualë serbë për të kënaqur krahun ekstremist (nga vijnë) dhe për të përfshirë në një vorbull nacionaliste tërë Serbinë që do u mbyllte gojën atyre që nuk e shihnin të arsyeshme mënyrën se si do të pritej Putini. Për fat, shoqëria serbe ka edhe një pjesë të shëndoshë e proeuropiane, që nuk i mirëpret projektet filoruse e antieuropiane si South Stream apo thyerjen e embargos ndaj Rusisë.

Në funksion të këtij qëllimi u vunë të gjitha strukturat e FSF-së, mediat serbe dhe më gjerë. Për javë të tëra ato i frynë rrezikut shqiptar që i kanosej Beogradit, nëse do të shkonin atje tifozë nga Kosova e trevat e tjera shqiptare. Na sajuan një pingpong të turpshëm me FSHF-në për shitje biletash vetëm për ata që kanë pasaportë shqiptare, e më pas pretendime të tjera akoma më absurde. Por me sa kuptuam nga deklarata e Platinisë të nesërmen e ndeshjes, kjo ishte thjesht një lojë. Platini deklaroi në TF1: “Nous avons eu le nez creux de ne pas autoriser la vente de billets aux Albanais” (Ne treguam nuhatje të hollë që nuk lejuam shitjen e biletave për shqiptarët). Pra, ky nuk paska qenë një debat midis dy federatave, por diçka e bërë me dakordësinë e UEFA-s.

Tifozët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë burim problemesh në asnjë nga stadiumet ku kanë shkuar për të mbështetur Kombëtaren. Madje, në një sërë stadiumesh të huaja jemi falënderuar nga drejtuesit e sigurisë së stadiumit për sjelljen e treguar. Krejt e kundërta ka ndodhur me tifozerinë serbe, që ka një historik të tërë dhune pas saj. Atëherë përse paraprakisht u dënuam ne me pamundësinë për të mbështetur kombëtaren dhe jo ata që kishin qenë vazhdimisht problematikë? Përse UEFA nuk e detyroi palën serbe që, nëse nuk garanton sigurinë për tifozët miq, atëherë ndeshja të zhvillohej pa tifozë? Përse FSHF-ja e pranoi këtë padrejtësi? Si është e mundur që shumica dërrmuese vazhdonte me bindjen fëminore se serbët do të lejonin që ajo të ishte vetëm një ndeshje futbolli?

Ky naivitet na bëri të shkojmë krejt të papërgatitur në Beograd. Madje ai vazhdoi edhe kur të gjithë e pamë se në ç’klimë terrori na pritën serbët. Serbët kishin kërcënuar hapur se do të arrestonin cilindo që guxonte të shpaloste simbolet kombëtare shqiptare dhe ndaluan për orë të tëra ata pak tifozë “VIP” që shoqëronin kombëtaren. Ata vendosën çmime qesharake për biletat (2,5 deri 9 euro), në mënyrë që ta mbushnin stadiumin dhe të kishin aty njerëz lehtësisht të manipulueshëm. Kurse ne gjenim 2-3 njerëz në Serbi që thoshin se shqiptarët ishin të mirëpritur dhe vazhdonim të flinim të qetë. FSHF-ja nuk mori asnjë masë paraprake për sigurinë e kombëtares. Madje shkoi në një ndeshje të tillë pa njerëz që e njohin mirë rregulloren e UEFA-s dhe që do të mund të nuhasnin dhe parandalonin maskarallëkun e Atkinson.

Krejt ndryshe nga ne, pala serbe tregoi se ishte e përgatitur për të gjithë skenarët dhe se kishte garantuar paraprakisht që atë ndeshje do ta fitonte. Në fakt, nuk duket dhe aq e vështirë të fitosh një ndeshje kur me vete ke kreun e UEFA-s dhe arbitrin. Por ja që heronjtë tanë ditën me shumë maturi të mos bien pre e provokimeve të arbitrit, lojtarëve serbë dhe majmunëve që thërrisnin “Vritini e pritini shqiptarët”. Kjo ua ndërlikoi pak punët, por serbët e kishin gati, ose e improvizuan me ndihmën e Atkinson dhe Platini, skenarin edhe për këtë. Refuzimi i lojtarëve shqiptarë për t’u vrarë në atë fushë nga kafshët serbe, do të përdorej për t’u dhënë fitoren serbëve në tavolinë. Ama Platini e di fort mirë se opinioni publik nëpër botë nuk e pranon lehtë dënimin e të dhunuarit. Duke qenë në mes të një vorbulle akuzash për korrupsion në lidhje me votën e tij pro Rusisë dhe Katarit, ai nuk dëshironte të përballej me një tjetër skandal. Ndaj u përfshi personalisht në një fushatë denigruese ndaj nesh. Ai, me një aktrim të neveritshëm, do të asocionte fluturimin e një lodre fëmijësh (fluturakun) me një akt terrorist. Kurse Ballkani për të ishte “ces pays là-bas” (ato vendet andej), që kanë shumë tensione midis tyre. Më pas, në një tjetër intervistë akuzës se përse UEFA lejoi që Shqipëria dhe Serbia të ishin në një grup, iu përgjigj se po të mos na lejonte në një grup me Serbinë, ne s’duhet të ishim as në një grup me Greqinë apo ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Pra na bëri ne problemin e rajonit, pavarësisht se kemi luajtur edhe me të dyja këto ekipe, e në Shqipëri s’ka pasur as më të voglin problem.

Të nesërmen në mëngjes u vu në punë makineria shpifëse serbe, e cila prej vitesh nuk rresht së investuari për të nxirë imazhin e shqiptarëve nëpër botë. Ndalimi i lojës, pavarësisht se realisht ndodhi për shkak të flakadanëve dhe sendeve të forta në fushë përpara shfaqjes së fluturakut, u interpretua sikur ndodhi për shkak të tij. Shpifjet arritën deri në atë pikë, sa akuzuan qeverinë shqiptare se me anë të vëllait të Kryeministrit Rama kish futur në stadium fluturakun me parullën “e inkriminuar” dhe se ishin lojtarët shqiptarë që kishin ushtruar dhunë ndaj atyre serbë. Fushata “shpif, shpif se diçka do të ngelet” funksionoi shumë mirë, pasi të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare i reflektuan dhe na bënë edhe ne po aq fajtorë sa serbët. CNN kishte si “Breaking News” përfshirjen e Olsi Ramës sipas burimeve nga qeveria serbe dhe raportonte se zyra e shtypit pranë Kryeministrit shqiptar nuk u ishte përgjigjur. Me siguri që Kryeministri ynë ishte duke fjetur, pasi ndodhej në SHBA. Kjo sinqerisht të kujtonte atë skenën kur gjatë zbarkimit të aleatëve, oficerët gjermanë nuk dinin ç’të bënin, sepse askush nuk guxonte të zgjonte Hitlerin.

Reagimi i parë nga pala shqiptare ka ardhur në edicionin shqip të orës 18:00 te “Zëri i Amerikës”, ku foli Kryeministri Rama. Pothuajse 24 orë pas ndalimit të ndeshjes dhe në një transmetim shqip. Pra Rama foli për shqiptarët dhe mohoi me gjysmë zëri implikimin e të vëllait. Të gjitha intervistat e tij në ditët në vazhdim (CNN, DW, France24 etj.) ishin të sakta, por pothuajse të pavlera, sepse tepër të vonuara. Ne nuk e kemi luksin që një incident në ndeshjen Serbi-Shqipëri të jetë në vëmendjen e mediave të huaja më shumë se një ditë. Gjithashtu mungoi një padi për shpifje e ngritur nga Olsi Rama për palën serbe. Një padi e tillë ose edhe një kërcënim në CNN se do të ngrinte padi, do të diskreditonte totalisht palën serbe si shpifëse. Si qytetar shqiptar do të më kish interesuar shumë më tepër një padi demaskuese ndaj Vuçiç apo Daçiç, sesa ajo që nëna e Kryeministrit ngriti ndaj Berishës, përrallat e të cilit s’i beson më askush.

Gabimi tjetër i madh i qeverisë (Presidentin dhe opozitën nuk po i përfshi, pasi dëshiroj të ruaj seriozitetin e artikullit) ishte (dhe është) refuzimi për ta trajtuar politikisht këtë çështje. Të gjithë e pranojmë se UEFA mori një vendim politik, por qeveria kërkon që të zgjidhet duke paraqitur argumente sportive për atë që ndodhi. Madje reagimi i Kryeministrit për vendimin nuk u pasqyrua në asnjë media ndërkombëtare, se me siguri që nuk u është dërguar. Pra Kryeministri ka dalë përsëri të flasë vetëm me ne.

Është tepër naive të mendohet se zhdukja e fjalëve “dhunë” dhe “racizëm”, jo vetëm nga akuzat për serbët, por nga çdo qëndrim i zyrtarëve të UEFA-s u bë se nuk e panë apo dëgjuan. Ato u zhdukën vetëm sepse askush nuk ua pranon tolerimin e tyre. Ndaj të presësh drejtësi nga UEFA duke u paraqitur faktet, është e kotë. E vetmja zgjidhje ngelet që të ushtrohet trysni mbi UEFA-n. Së pari, duke reaguar ashpër për vendimin dhe krejt trajtimin e çështjes, me një letër zyrtare e jo me statuse shqip në rrjetet sociale. E dyta, duke përdorur të gjitha burimet diplomatike për t’ua bërë të qartë kancelarive kryesore europiane, se Platini po përdor aktivitetet futbollistike për t’i bërë qoka Putinit dhe sabotuar politikën e jashtme të BE-së. Nuk ka nevojë për mesazhe të pamundura të tipit “Shqiptarët janë të mirë e serbët të poshtër”, por mjafton të reagojnë kundër tolerimit të dhunës dhe racizmit në futboll. E treta, duke sensibilizuar komunitetin e futbollistëve nëpër botë. Ata do të ndiheshin shumë më në rrezik nga një precedent i tillë. Kush do të mund të luante i qetë në një stadium të nxehtë pas këtij vendimi? Sindikatat dhe shoqatat e futbollistëve nuk pyesin për lobin serb, para interesave të atyre që përfaqësojnë.

Fatkeqësisht më duhet të pranoj se heronjtë tanë u lanë në vetmi edhe nga ata, që dukeshin të fundit që mund ta bënin këtë, tifozët. Me përjashtim të disa qindra vetëve që protestuan në Tiranë, Prishtinë apo Zvicër, të tjerët u mjaftuan me reagime në rrjetet sociale. Si është e mundur që dalim me qindra mijë për të festuar një fitore të supozuar, por nuk dimë të dalim të protestojmë për një padrejtësi?! Një protestë masive do të kishte shumë impakt, pasi sado e padrejtë të jetë UEFA, ata nuk vijnë nga një kulturë ku protestuesit ironizohen me dy gishta. Gjithashtu, kjo do të mund të shërbente për një rikthim në vëmendjen mediatike të kësaj çështjeje.

Sidoqoftë, kohë për të korrigjuar gabimet ka ende nëse vendosim të zgjohemi nga gjumi dhe të ndalojmë së menduari se jemi të vegjël e se reagimi ynë nuk vlen. Edhe sikur të mos e kthejmë dot padrejtësinë që na u bë. Edhe sikur të mos arrijmë t’i bëjmë të paguajnë Platininë, Atkinsonin e të gjithë ata që e gatuan këtë padrejtësi, reagimi do të vlente për t’u treguar atyre heronjve se nuk rrezikuan për copa leckash, por për një dinjitet kombëtar që ne vërtet e kemi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button