Hetimi i zyrtarëve, pas ndryshimeve kushtetuese, Prokuroria nuk vepron dot
Ndërsa Kushtetuta e re ka hyrë në fuqi javën e parë të muajit gusht, Prokuroria e Përgjithshme, përmes një njoftimi zyrtar, kërkon zgjidhje të menjëhershme për të miratuar një dispozitë kushtetuese transitore pasi po i pengohet puna normale, duke i shkaktuar ngërç.
Për shkak se Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin në juridiksion fillestar të zyrtarëve të lartë, deputetëve, ministrave etj, pasi këto të drejtat i merr SPAK, konstatohet mungesa e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut.
Po ashtu, problematikë është edhe fakti se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për trajtimin e rasteve të juridiksionin fillestar që janë aktualisht në gjykim apo në hetim.
Shikohet si problematike edhe heqja e të drejtës Prokurorit të Përgjithshëm për të drejtën e vendimmarrjes, ndërkohë që kjo kompetencë i caktohet KLP-së. Në optikën e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo ndërhyrje emergjente në ligjin themeltar duhet t’u japë fuqi dispozitave të mëparshme ligjore, deri në miratimin e paketës së plotë të Reformës në Drejtësi.
Në njoftim thuhet se Prokuroria e Përgjithshme nuk synon të gjejë arsyet që kanë nxitur hartuesit e Kushtetutës për këtë diferencim në trajtimin e institucionit, por është e prirur të sugjerojë zgjidhje që i shërbejnë mbarëvajtjes së aktivitetit të mëtejshëm. Në këtë fazë, kur Kushtetuta e re ka hyrë në fuqi, por ende nuk janë miratuar ligjet organike, Prokuroria e Përgjithshme u ka kërkuar zyrtarisht institucioneve vendimmarrëse që të hartojnë norma kushtetuese për të shmangur ngërçin.




