Hetimi për lobimin në SHBA, Balla: PD peng i një financimi të dyshimtë rus
Seanca e sotme parlamentare ishte fotokopje e asaj të shkuarës. Deputetët e maxhorncës dhe opozitës së re brenda në sallën e Kuvendit duke diskutuar projekligjet dhe jashtë saj opozita që proteston.
Pas tre javë mungesë, kryeministri Edi Rama iu rikthye pjesëmarrjes në Parlament. Një grup politikanësh të korruptuar, tha Taulant Balla, dhe një huligan si Lulzim Basha, i cili merr guximin të godasë kundër punonjësve të Policisë së Shtetit, do të përballen me forcën e ligjit: “Mendoj se jemi në momentin e duhur për të ashpërsuar politikën penale, ligjet tona përkundrejt kujtdo që guxon të godasë Policinë e Shtetit”.
Taulant Balla gjithashtu propozoi edhe forcim të ligjit për financimet e partive politike pasi, sipas tij, PD sot dëshmohet të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus të një shume prej më shumë se 1 milion dollarësh. Balla citoi edhe njërin nga të intervistuarit e emisionit Top Story, në Top Channel.
“Ish-zv/ndihmësi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, z. Carpenter dje tha shumë qartë se: Kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e procesit politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, kjo është toka më pjellore, situata më e përkryer që Rusia të përfitojë e të ushqejë më shumë armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste foli edhe protestën e ardhshme të opozitës më 13 Prill: “Lulzim Basha nuk mund të ketë më të drejtën morale të flasë në emër të Partisë Demokratike, por ajo që duhet të ketë mbetur ende nga Partia Demokratike për t’u distancuar nga kjo lidhje e dyshimtë që nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, nuk është e rastësishme që në 16 shkurt të organizohej protestë edhe në Tiranë edhe në Podgoricë edhe në Beograd. Nuk është e rastësishme që edhe në 16 mars të kishte protestë edhe në Podgoricë edhe në Beograd edhe në Tiranë”.