Hillary Clinton, e dyta e vërteta?
Për muaj të tërë, në mos vite, shumë pyesnin veten nëse Hillary Clinton do ta bënte edhe një përpjekje të dytë për presidencën amerikane. Kjo pyetje, tanimë, e ka marrë përgjigjen.
Loja e hamendësimeve u mbyll për t’i lënë vendin rrugës së gjatë e të mundimshme të përzgjedhjes së kandidatit partiak mes një grupi jo të vogël aspirantësh. Për ish-Sekretaren e Shtetit e njëkohësisht ish-zonjën e parë të Amerikës, fushata nis sot nga Iowa me turin në shtetet e tjera kyçe, me fjalimet e kopsitura mirë, tubimet publike, eventet e mbledhjes së fondeve që do të zgjasin për muaj të tërë.
Të gjitha këto do të kryhen nën syrin zhbirues të medias gjithmonë në kërkim të një rrëfenje dhe atë të kundërshtarëve të etur për gabime apo skandale që mund ta fundosin një kandidaturë. Për ish-shefen e diplomacisë amerikane, kjo sigurisht nuk përbën ndonjë risi. Ka kaluar nëpër dy fushata të mundimshme zgjedhore: e para, me të shoqin në vitin 1990 dhe e dyta në vitin 2008, kur u përball me Barak Obamën për kandidaturën demokrate.
Ekspertët mendojnë megjithatë se këtë herë, gjërat do të jenë më të lehta për Hillary. Ndryshe nga 7 vjet më parë, nuk ka përballë asnjë kandidat frymëzues, nga ata që vijnë një herë për gjeneratë, siç ishte Obama. Fushëbeteja nuk sheh asnjë pretendent karizmatik e të testuar në luftë, siç ishte dikur i nominuari për zëvendëspresident John Edëards apo guvernatori hispanik me aftësi të mëdha në politikën e jashtme, Bill Richardson.
Por, ndërsa fushata e nominimit mund të mos jetë aq e vështirë, marrja e Shtëpisë së Bardhë është tjetër gjë: ndryshe nga viti 2008, kandidati demokrat do të mbrojë 8 vite qeverisje të partisë së vet, përballë gjithë pakënaqësive të akumuluara nga elektorati, ashtu siç ndodh me çdo parti në pushtet. Në vend që të mposhtë një parti republikane me të cilën njerëzit të jenë lodhur, Clinton do të gjendet përballë një kandidati që shtyhet në lundrim prej erërash të favorshme politike.
Por, nga ana tjetër, e ka një as nën mëngë. Ashtu siç bëri me Obamën, të parin president afro-amerikan të Shteteve të Bashkuara, Partia Demokrate do të synojë sërish të hedhë themelet e një kapitulli të ri. Nëse arrin të kapitalizojë entuziasmin e votuesve për të shkruar një faqe të re të historisë, Hillary Clinton, që platformën e vet e mbështet tek përmirësimi i të ardhurave për shtresën e mesme dhe tkurrjen e pabarazisë së pagës, ka për të qenë e para presidente femër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.