Himara ka humbur qysh kur delegoi përfaqësimin
ALEKSANDËR ÇIPA
Si do që ta përmbysin e ta rikompozojnë historinë e administrimit territorial filogrekët apo edhe shërbestarët e ndier grekë në Himarë dhe jashtë saj, do të rezultojë se 100 vjetëshi i fundit është tkurrës dhe i mbushur me paqëndrueshmëri në hartën e shënjimit territorial të emrit historik të saj.
Vetëm diçka është e pandryshueshme; tendenca dhe historia e bukur e vetëqeverisjes. Mirëpo kjo tendencë dhe histori dinjitoze komunitare njerëzore është kompromentuar keqazi së paku politikisht në tri kohë të ndryshme të 100 vjetëshit të fundit. Në dy momente komprometimi ka qenë flagrant. Në fillesë të regjimit komunist dhe fatkeqësisht, më shumë kjo është kompromentuar përgjatë periudhës së të ashtuquajturit tranzicion postkomunist.
Në këtë periudhën e fundit, komprometimi është bërë më shumë prej përfshirjes së dy kategorive në lojë dhe si faktorë artikulues.
Në fillim të viteve 1990, përfaqësuesi i parë legjitim i pushtetit vendor në Himarë ishte ish-kryebashkiaku, poeti Odise Goro. I ardhur në zgjedhjet e atëhershme si përfaqësuesi i parë i zgjedhur prej votimeve të lira të demokracisë së sapoardhur shqiptare, zotëria i pajisur me një vokacion lëvdues në të shprehur dhe në të artikuluar, theu tabunë për dy kërkesa: Së pari për shtrirjen e Himarës edhe në territorin e dikurshëm të ish-nënprefekturës së Himarës, ku nënkuptonte përfshirjen e Lumit të Vlorës, ose siç njihet sot me emrin e njësisë administrative: Komuna Horë-Vranisht. Kërkesa e sugjeruar për këtë bashkim të atëhershëm, natyrisht që kishte lidhje me tendencën e shpërndarjes së OMONIA-s dhe PBDNJ-së në territore ku s’kishte as grekë minoritarë e as grekë të ndierë si rishtarë të tillë. Shumica e opinionit publik kombëtar dhe vendas si dhe shtypi, e kundërshtoi këtë kërkesë.
Së dyti, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës theu tabunë me kërkesën zyrtare që i bëri ish-Presidentit të Republikës, zotit Berisha në takimin e zhvilluar në Teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës në vitin 1994 për çeljen e shkollës greke në Himarë. Një kërkesë e tillë ra si “rrufe në qiell të pastër”. Kuptohet inspirimi për formulimin e saj nga kishte ardhur dhe prej kujt ishte mbështetur.
Prej atëherë, për arsye të njohura e të mirëditura, Himara u bë një pikë e paheqshme nga axhenda e debateve, polemikave, diplomacisë dhe politikës bilaterale shqiptaro-greke. Në të dy vendet u gërmua e vijon të gërmohet për të gjetur nga pala greke të dhëna që zbulojnë e provojnë qenësinë greke të saj. Ndërsa nga pala jonë këmbëngulet me bindje dhe nervozizëm, për të mos i thënë asaj që dihet, “shih se si po del”. Kjo ndarje dhe sidomos “dilema” që u mboll në opinionin publik greko-shqiptar për Himarën, më shumë protagonist ka politikën se sa qytetarët e ditur. E theksoj “qytetarët e ditur”, sepse në shumë akte incidentesh dhe ngjarje buje, janë përdorur e ekspozuar injorantë e të paditur klasikë të këtij visi, ndërsa kanë heshtur të diturit dhe sidomos të mençurit e atij visi me pak njerëz.
Një ndër protagonistët, më aktivë dhe më trazues si përdorues politik i Himarës, rezulton të jetë Vangjel Dule. Natyrisht zoti Dule nuk është himarjot dhe është shumë i ndryshëm prej himarjotëve, i ndryshëm si nga etnia, ashtu edhe prej entitetit. (Këtë politikan të formuar dhe natyrisht edhe të kultivuar, për arsye të bashkëshkollimit në të njëjtën shkollë në Gjirokastër e njoh mirë). Pas marrjes së postit të kryetarit të PBDNJ-së, duke i bjerur mbështetja te zonat ku historikisht ka jetuar minoriteti grek, nisi të shfrytëzonte mbështetjen në zona ku jetojnë ortodoksë shqiptarë, të cilët shumicën e pjesëtarëve të familjeve të tyre i kanë në emigracion në Greqi. Kjo pjesë e shqiptarëve karakterizohen nga një ndjenjë e lartë dashjeje për Greqinë, kulturën greke dhe sidomos për kryebrendinë ortodokse që mishërohet te populli fqinj. Kjo substancë dhe infrastruktura ndihmuese e tranzicionit i dha mundësinë zotit Dule dhe subjektit politik të grekëve në Shqipëri që lehtësisht t’i fitonte votat elektorale më shumë se në zonat e grekëve natyralë të vendit.
Në këtë mënyrë, periferiku i deriatëhershëm V. B. që mori kryesimin e organizatës besimrënë në minoritet, pra OMONIA-s, i cili fitoi edhe cilësinë e kryebashkiakut të Himarës, u përdor për të bërë deklarata që shpërndanë falë edhe pakulturës dhe padijenisë historike të shumicës së reporterëve shqiptarë, se në Himarë ka minoritarë e madje edhe të përdoren emra vendesh siç artikulohen në greqisht. Koha e dy dekadave të fundit punoi që Dropulli si kryeqendër e minoritetit grek në Shqipëri të spostohej e zëvendësohej fiktivisht nga Himara. Në këtë mënyrë, u spostua pika e përfaqësimit politik të minoritetit nga Dropulli dhe Vurgu, përkatësisht në Gjirokastër dhe Sarandë dhe u ngul “gozhda” në Himarë. Natyrisht ndërkaq, koha punoi për këtë spostim për shkak të faktit se përfaqësimin politik të Himarës e fitoi në dy mandate të qeverisjes vendore përfaqësuesi politik “grek”, i cili greqishten e vet dialektike dhe arkaike e mësoi pak prej nënës, dhe pak prej një kursi special në Qipro. Në tubime që zhvillohen në Athinë dhe në Dervician apo në Sarandë, sa herë flet apo mban fjalim para minoritarëve kryetari himarjot i OMONIA-s, pasojnë të qeshura dhe sarkazma.(!)
Por falë këtij protagonizmi, përfaqësimi dhe sidomos politikës së njohur të strukturave parapolitike dhe parashtetërore greke si dhe atyre shtetërore po konfirmohet që Himara ta ketë tashmë të deleguar përfaqësimin dhe avokatinë e vet politike si krahinë dhe si komunitet, pranë Athinës. Një spostim i tillë është kryekëput i ndryshëm nga ai i viteve 1930 apo në vitet 1913. (Memorandumin e njohjes dhe përfshirjes së kryepleqësisë së Himarës nën juridiksionin e Qeverisë së Vlorës në 1913, do ta kishte zili çdo krahinë shqiptare. Kjo memorie dhe histori faktike duket se është zhbërë dhe shuar qëllimisht prej Himarës, së cilës nuk i ka mbetur në këto 24 vjet asnjë institucion lokal për historinë apo memorien, edhe pse kriteret e mëdha të vetëqeverisjes i bazon te kryeargumenti historik i venomeve.)!!
Nevoja e reformës territoriale për të gjithë Shqipërinë po e rikthen debatin dhe polemikën shqiptaro-greke për Himarën si një refren nervozues dhe të padenjë, për një republikë dinjitoze dhe me autoritet në vetadministrimin territorial. Reagimi refuzues i Vangjel Dules për përfshirjen e Komunës së Horë-Vranishtit në një njësi administrative me Himarën, u mbështet nga disa të ashtuquajtura shoqata të Bregdetit, të cilat janë përdorur kohë pas kohe nga subjekti i tij politik dhe OMONIA. Në këtë kor u përfshinë edhe disa profesorë pensionistë që gjatë gjithë dekadave të diktaturës planifikuan planet 5-vjeçare dhe tani në demokraci kanë mishëruar ambiciet në tekste historie për Himarën. Të shkruara shqip, por të trajtuara sipas historiografisë greke. Në këtë mënyrë u kompozua kurora e qëndrimeve të bashkuara kundër bashkimit të Himarës me Labërinë. Ndërkohë që përgjigjja e ministrit tonë të Jashtëm, Bushati, homologut të tij Venizelos, se çështja e reformës territoriale është një çështje e brendshme, u zhvleftësua pas vizitës së zotit Dule në Athinë dhe takimit të tij me zëvendëskryeministrin grek. Sa lehtë dhe pa takt zhvleftësohet dinjiteti dhe vlera partneriale e shtetit tonë në raport me atë fqinj!
Natyrisht refuzimi prej përfaqësuesve grekë të minoritetit dhe atyre filogrekë të Himarës, i variantit për bashkim të Himarës me Horë-Vranishtin është qëndrim konform një skeme të njohur. Kjo është një skemë qëndrimi e mirërefuzuar, por jo e mirëmenduar.
Edhe nëse shumica e majtë parlamentare do të pranojë variantin e kërkuar nga zoti Dule dhe të negociuar nga kryediplomati i majtë i Athinës zyrtare, zoti Venizelos, përmes takimit Koço Kokëdhima-Piro Dhima këtë javë në Himarë, përsëri rezultati i pretenduar prej tyre do të jetë bumerang për vetë ata, domethënë për vetë minoritarët dhe filogrekët. Nëse me refuzim të Lumit të Vlorës kanë menduar dhe synojnë një zonë homogjene religjioni, llogaritë i kanë bërë dhe do t’i kenë të gabuara. Nuk është fjala se në këtë territor përfshihet Borshi jo ortodoks, por edhe periferia aq me dendësi demografike e Sarandës, ku potencohet sidomos popullsia bektashi që falet te Teqeja e Baba Rexhepit. Edhe pse denoncoi arsyen elektorale të ndarjes së hartës së re territoriale, zoti Dule naivisht po gabon, duke menduar se ka fituar një njësi elektorale për vetveten. Kjo arsye, shumë shpejt, ka për t’u vënë në provë dhe plani i tij dhe qëllimi i grekësisë do të dalin zbuluar, sepse “jorgani omonist” në Himarë nuk e mbulon dot gjithë Himarën. Përfaqësuesit politikë të tranzicionit në Himarë kanë kryer vetëm një mision për të cilin koha dhe e ardhmja janë mjaftueshmërisht gjykues: ata kanë deleguar përfaqësimin e një krahine që më të madhe se “shtatin ka historinë e saj”. Duke deleguar përfaqësimin, himarjotët kanë hequr lirinë e vetëqeverisjes dhe atë të balancës. Këtë humbje, himarjotët në emigracion nuk kanë logjikë dhe mundësi ta vlerësojnë e peshojnë aktualisht. Ndërkohë që ata që jetojnë aty, duke u falur ekzistencialisht gjer më sot, te remitancat dhe pensionet e pezulluara greke, nuk kanë leverdi ta deklarojnë. Diaspora e himarjotëve në SHBA dhe ndonjë vend tjetër të Europës është e asimiluar prej diasporës greke dhe si e tillë, përdoret si apendiks prej saj. Në këtë mënyrë, Himarës së këtij tranzicioni i ka mbetur iluzivisht vetëm “ombrella greke dhe avokatia politike e Athinës”. Iluzionet e saj në kohë të ardhme janë vetëm kosto e parathënë për vet’henë. Zhbërja e këtij iluzioni, nis pikërisht te rikthimi i vetëpërfaqësimit dhe qëndrimi në ekuidistancë prej Athinës, sikundër ka ikur në histori prej krahasimit me Dropullin.